Përgjatë dekadës së kaluar, eksportet shqiptare ishin promotor kryesor i rritjes ekonomike, por që nga viti 2023 ato janë shndërruar në faktor frenues. Të dhënat e fundit për PBB-në e tremujorit të dytë të vitit aktual tregojnë se eksportet u tkurrën me −8,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga viti 2011 deri në 2018, eksportet ishin rritur me rreth 30% në vit, të nxitura kryesisht nga lulëzimi i industrisë fason dhe zgjerimi i fabrikave të veshjeve e këpucëve si dhe industria e naftës. Ato ishin faktori kryesor i rritjes ekonomike, në një kohë kur shtrëngimi fiskal nuk stimulonte investimet publike dhe rritjen e pagave në administratë.Edhe pas pandemisë, në vitet 2021–2022, eksportet mbajtën rol pozitiv në rritjen ekonomike falë kërkesës së lartë për mallra pas heqjes së kufizimeve, duke u rritur mbi 30% në secilin vit.
Por tendenca ndryshoi në vitin 2023, kur ndikimi i eksporteve kaloi në territor negativ (−15,6%). Dy tremujorët e mesit të vitit, i dyti dhe i treti, shënuan tkurrje të ndjeshme (−27,7% dhe −24,7%), duke reflektuar vështirësi në tregjet e jashtme, rënie të kërkesës dhe humbje nga kursi i këmbimit për shkak të forcimit të euros. Në vitin 2024 kjo prirje u përkeqësua më tej, me tkurrje vjetore −15,8%.
Të dhënat paraprake për vitin 2025 mbeten në trend negativ. Tremujori i parë tregoi një ndikim pozitiv prej +6,7% vetëm për shkak të bazës së ulët të vitit 2024, ndërsa në tremujorin e dytë eksportet ranë sërish në territor negativ me −8,3%.
Lexo edhe: Inteligjenca artificiale “si e vetëdijshme”? Mustafa Suleyman paralajmëron për rreziqet
Në vitet e kaluara, eksportet janë përballur me sfida sezonale të kërkesës ose çmimeve, por këtë herë rënia përfaqëson një cikël të zgjatur me shumë faktorë. Dobësimi i euros dhe rritja e pagës minimale gjatë 2022–2023 nga 32 në 40 mijë lekë shtuan sfidat strukturore duke e bërë eksportin shqiptar më pak konkurrues.
Rritja e mëtejshme e pagës minimale nga 40 në 50 mijë lekë do të shtojë presionin, pasi sektori i eksporteve ishte mbështetur tek krahët e lirë të punës. Teksa fabrikat shqiptare detyrohen të rrisin pagat, ato nuk kanë arritur të kalojnë në zinxhirin e lartë të vlerës. Nën presionin e mungesës së fuqisë punëtore, shumë njësi të vogla dhe të mesme të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve për eksport kanë mbyllur aktivitetin në dy vitet e fundit.
Klientët europianë të tregut shqiptar po transferohen drejt vendeve me kosto më të ulëta, si Maroku, Tunizia dhe shtetet aziatike.
Struktura e rritjes ekonomike është bërë gjithnjë e më e varur nga konsumi i brendshëm dhe investimet, ndërsa tregtia e jashtme dhe sektorët prodhues po veprojnë si faktorë dobësues. Nëse kjo prirje vijon, ekonomia shqiptare rrezikon të humbasë një nga burimet më të rëndësishme të mbështetjes së saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.