Nga hekurudhat te startup-et, BEI mbështet transformimin ekonomik të Shqipërisë - Business Magazine Albania

Nga hekurudhat te startup-et, BEI mbështet transformimin ekonomik të Shqipërisë

Nga Fatima Gorezi – E quajtur shpesh si “krahu financiar i Bashkimit Evropian”, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është më shumë sesa një institucion kredidhënës, është një motor i heshtur që shtyn përpara transformime konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve evropianë. Në Shqipëri, BEI po luan një rol gjithnjë e më vendimtar në përshpejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afrimin me standardet evropiane. Por çfarë do të thotë konkretisht kjo? Si përkthehet vizioni ambicioz i BE-së në projekte reale, nga hekurudhat e modernizuara te financimet konkrete dhe energjia e gjelbër? Për të kuptuar më shumë mbi këto çështje dhe për të zbuluar angazhimin e Bankës Evropiane të Investimeve në vendin tonë biseduam me Petia Manolovën, përfaqësuese e BEI-së në Shqipëri.

BEI shpesh quhet krahu financiar i BE-së. Si përkthehet ky vizion në terren në Shqipëri dhe cili është misioni juaj personal si përfaqësuese e bankës këtu?

Banka Evropiane e Investimeve (BEI Globale) luan një rol kyç në avancimin e objektivave të politikës së Bashkimit Evropian si brenda dhe jashtë kufijve të tij. Banka është në pronësi të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe shërben si një instrument kyç për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe qëndrueshmërisë ekonomike, këtu në Shqipëri dhe në mbarë globin. Në terma praktikë, kjo përkthehet në përfitime të prekshme për njerëzit: një mjedis më të pastër, rrjet të modernizuar transporti, mundësi të reja pune, furnizim më të sigurt me energji elektrike dhe ujë, kujdes shëndetësor dhe arsim më të mirë.

Së bashku me partnerët tanë, përpiqemi të sigurojmë që mbështetja e disponueshme nga BE-ja të jetë e qasshme për qytetarët shqiptarë, përfshirë financimin e favorshëm, grantet dhe asistencën teknike. Një shembull kryesor i kësaj oferte gjithëpërfshirëse në kuadër të qasjes së ‘’Team Europe” është modernizimi i seksionit hekurudhor Durrës–Rrogozhinë. Për këtë projekt strategjik, ne kemi siguruar një paketë financimi prej 90,5 milionë eurosh, që përfshin një grant me vlerë 60,5 milionë euro të BE-së sipas kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP), një hua me vlerë 30 milionë euro të BEI Globale dhe asistencë teknike për përgatitjen e projektit. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë si bankë e BE-së për të ofruar projekte me ndikim të lartë që nxisin rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal.

Ku e shihni potencialin më të madh për investime të BEI-t në Shqipëri gjatë 5 viteve të ardhshme, infrastrukturë, energji të gjelbër, NVM apo diçka tjetër?

Këto mbeten fusha prioritare ku mbështetja e qëndrueshme është thelbësore. BEI Globale do të vazhdojë të financojë infrastrukturën e transportit më të sigurt dhe më të gjelbër, prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme dhe investimet e udhëhequra nga NVM-të që çojnë në krijimin e vendeve të punës dhe praktikat e qëndrueshme të biznesit. Paralelisht, banka synon të mbështesë rritjen e aksesit në internet me brez të gjerë, duke përfshirë shkollat, për të rritur kompetencat digjitale dhe për të përshpejtuar digjitalizimin e industrisë, veçanërisht në sektorët ku automatizimi mund të nxisë produktivitetin dhe konkurrencën. Një fokus strategjik i është kushtuar gjithashtu përshtatjes klimatike, si forcimi i infrastrukturës për parandalimin e përmbytjeve, e cila është gjithnjë e më kritike pasi Shqipëria përballet me rrezik të lartë ndaj ndryshimeve klimatike.

Ne gjithashtu presim me padurim ndikimin e Programit Këshillimor të Sistemeve Financiare të Gjelbra (SFGj) të BEI-t, i cili po ndihmon Bankën e Shqipërisë të integrojë vlerësimet e rreziqeve klimatike në kuadrin rregullator dhe të menaxhimit të rrezikut dhe të zhvillojë një taksonomi të gjelbër. Kjo do t’u mundësojë bankave lokale të fusin praktikat më të mira, të mobilizojnë financimin e gjelbër dhe të forcojnë aftësinë e tyre për të mbështetur kompanitë në përshtatjen ndaj rreziqeve klimatike dhe rregulloreve të reja, siç është mekanizmi i ardhshëm për rregullimin e kufirit të karbonit (CBAM). Ky instrument i politikës së çmimit të karbonit të BE-së mund të ndikojë veçanërisht në industritë e varura nga lëndët djegëse fosile që do të duhet të investojnë në teknologji më të pastra për të mbetur konkurruese në tregjet e BE-së.

BEI e cilëson veten si “Banka e BE-së për klimën”. Si i balanconi objektivat e gjelbra afatgjata me nevojat e menjëhershme të zhvillimit të një vendi si Shqipëria?

Si banka e BE-së për klimën, BEI ka investuar një vlerë rekord prej 51 miliardë eurosh në të gjithë botën vitin e kaluar, për të mbështetur tranzicionin e gjelbër, masat për klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Në përputhje me ambiciet tona për sigurinë klimatike dhe energjetike, ne po mbështesim në mënyrë aktive ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës së energjisë së rinovueshme në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ku mund të përmendin aktualisht projektin e fermës eolike në Vlashiç dhe Pokleçan në Bosnjë dhe Hercegovinë, termocentralin diellor pranë Prishtinës, si dhe hidrocentralet dhe matësit inteligjentë në Serbi. Mbështetje e ngjashme është planifikuar për Shqipërinë, ku banka synon të kontribuojë në tranzicionin e vendit drejt një ekonomie me karbon të ulët, gjithashtu në kuadër të planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kjo përbën një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë për të diversifikuar përzierjen e saj të energjisë, veçanërisht duke zgjeruar kapacitetin diellor dhe të erës. Nuk duhet të harrojmë transmetimin dhe shpërndarjen, të cilat janë thelbësore për një sistem energjie që funksionon mirë. 

Përtej infrastrukturës së energjisë së pastër, BEI Globale po financon zgjidhje të qëndrueshme transporti, veçanërisht projekte hekurudhore, efikasitet të energjisë dhe energji të rinovueshme të synuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe përpjekjet për përshtatjen ndaj klimës dhe mbrojtjen e mjedisit. Në Shqipëri, ne jemi tashmë aktivë në të gjitha këto fusha, duke mbështetur drejtpërdrejt objektivat e dekarbonizimit dhe klimës.

Infrastruktura ekzistuese dhe ajo e re ndaj klimës është thelbësore për t’i bërë ballë motit ekstrem. Çdo euro e investuar në parandalimin e rreziqeve dhe përshtatjen ndaj klimës kursen pesë deri në shtatë euro në kostot e ardhshme të riparimit dhe rindërtimit. Në vitin 2024, BEI siguroi një vlerë rekord prej 4,6 miliardë eurosh për përshtatjen klimatike – gati 2 miliardë euro më shumë se në vitin 2023. Ne tani integrojmë vlerësimet klimatike në të gjitha projektet tona dhe jemi gati të mbështesim më tej nisma të tilla me shërbime këshillimore, duke përfshirë këtu Shqipërinë.

Për të lexuar artikullin e plotë abonohu në një nga paketat tona.
Kliko këtu për t'u abonuar.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Dikush po rri në hije sot, për shkak se dikush mbolli një pemë shumë kohë më parë.”
— Uarren Buffet
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0