Dita e katërt e Javës Globale të Sipërmarrjes në Shqipëri iu kushtua ndikimit që zgjidhjet teknologjike të avancuara po kanë në transformimin digjital të bizneseve dhe institucioneve publike, duke sjellë një seri aktivitetesh që shpalosën rolin e teknologjisë, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërsektorial në ekonominë moderne. Dita nisi me fokus akademik, ku Universiteti i Biznesit të Tiranës trajtoi sfidat dhe dinamikat që formësojnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si turizmi, duke nxjerrë në pah rëndësinë e edukimit të integruar me nevojat reale të tregut.
Në Piramidë u zhvillua eventi final EWA 2025, “Demo day”, një përmbyllje gjashtëmujore e një programi trajnimi, mentorimi dhe zhvillimi të udhëhequr nga Qendra Balance në bashkëpunim me EIT Food dhe GIZ. Ky aktivitet solli në vëmendje historitë e grave sipërmarrëse, zgjidhjet inovative në sektorin agro-ushqimor dhe potencialin e tyre në tregun lokal dhe ndërkombëtar. Paralelisht, u zhvillua paneli i dedikuar Ekonomisë Blu, një platformë dialogu ndërmjet institucioneve publike, universiteteve, bizneseve dhe aktorëve të shoqërisë civile, me fokus te inovacioni i qëndrueshëm dhe roli i tij në sektorët detarë e bregdetarë.
Një aspekt thelbësor i ditës ishte sesioni informues mbi Programin e Evropës Digjitale (DEP), i cili synon të mbështesë NVM-të shqiptare në integrimin e tyre në ekonominë digjitale europiane, duke u prezantuar mundësi financimi, teknologji të reja dhe rrugë konkrete për adoptimin e modeleve të reja të biznesit. Në të njëjtën kohë, një aktivitet i specializuar në Piramidë prezantoi zgjidhje të avancuara teknologjike për sektorin bankar dhe institucionet mikrofinanciare, duke përfshirë ERP, sigurinë kibernetike dhe mjetet për monitorimin e infrastrukturës IT, si mënyra moderne për të rritur efikasitetin dhe kontrollin e sistemeve.
Përgjatë ditës, u vijua puna me EIT Manufacturing në një aktivitet të zgjeruar bootcamp-i në fokus të prodhimit të qëndrueshëm, duke bashkuar akademinë, industrinë dhe ndërmarrjet për të bashkëkrijuar zgjidhje të reja në sektorin e prodhimit. Po kështu, studentët e Fakultetit të Ekonomisë së UT-së prezantuan idetë e tyre në Konkursin e Ditës së Startup-eve FEUT, duke treguar se fryma sipërmarrëse po rritet edhe brenda universiteteve shqiptare.
Bizneset patën mundësi të diskutojnë të ardhmen e tregtisë elektronike në Shqipëri, sfidat e adoptimit të teknologjive moderne dhe rolin që platformat digjitale po luajnë në transformimin e shitjeve dhe shërbimeve. Ndërkohë, një prezantim i veçantë nga JETRO solli më afër ekosistemin e kompanive japoneze dhe mundësitë e bashkëpunimit me startup-et shqiptare, duke hapur rrugë të reja për inovacion ndërkombëtar.
Pasditja solli edhe prezantimin e raportit të ekosistemit të startupeve në Shqipëri, i përgatitur nga Startup Genome, në bashkëpunim me Startup Genome, Eu4Innovation dhe GIZ.
Në tërësi, dita e katërt e GEW Shqipëri 2025 shënoi një kombinim të fuqishëm mes teknologjisë së avancuar, inovacionit strategjik dhe partneriteteve ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah mënyrën se si Shqipëria po ecën drejt një ekonomie më digjitale, më efikase dhe më të qëndrueshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.