Nga dështimi te miliardat, historia e 500 dollarëve që ndryshoi... - Business Magazine Albania

Nga dështimi te miliardat, historia e 500 dollarëve që ndryshoi jetën e Kendra Scott

Një biznes i dështuar. Një foshnjë në krahë. Dhe vetëm 500 dollarë. Kjo ishte pika e nisjes për Kendra Scott, një nga sipërmarrëset më të suksesshme të Amerikës sot. Por para se të ndërtonte një perandori në industrinë e bizhuterive, ajo kishte provuar shijen e hidhur të dështimit.

Biznesi i saj i parë, një linjë kapeletesh, kishte dështuar plotësisht. E zhgënjyer, Kendra u betua se nuk do të merrej më kurrë me retail. Por realiteti i jetës, si nënë e re dhe me nevoja financiare, e detyroi të gjente një rrugë tjetër.

Në vitin 2002, nga dhoma e gjumit në shtëpinë e saj në Austin, Teksas, ajo nisi të krijonte bizhuteri, jo si biznes të mirëfilltë, por si një punë anësore. Me foshnjën të lidhur në kraharor dhe bizhuteritë në çantë, Kendra trokiste derë më derë në butikë lokale, duke kërkuar t’i shiste produktet me konsignacion.

Shumica refuzuan. Disa hezituan. Pak pranuan. Por diçka e papritur ndodhi, klientët filluan ta kontaktonin drejtpërdrejt, kërkonin ngjyra të reja, modele të personalizuara dhe blerje pa ndërmjetës. Tregu po fliste, dhe Kendra po dëgjonte.

Pa investitorë dhe pa buxhete të mëdha marketingu, biznesi u rrit ngadalë, i mbështetur vetëm në fjalën e mirë dhe punën këmbëngulëse. Ajo punësoi staf, u largua nga dhoma e gjumit, por vazhdoi të shmangte hapjen e dyqaneve fizike.

Deri në vitin 2010.

Tetë vite pas nisjes, Kendra bëri pikërisht atë që kishte premtuar se nuk do ta bënte kurrë: hapi dyqanin e saj të parë fizik të bizhuterive, jo sepse donte, por sepse klientët e kërkonin. Dhe rezultati ishte spektakolar. Radhë të gjata, shitje të larta dhe një përvojë që klientët nuk e kishin pasur më parë.

Brenda tre vitesh, të ardhurat u rritën nga 1.7 milionë dollarë në 24 milionë dollarë.

Sot, Kendra Scott operon qindra dyqane në SHBA dhe jashtë saj, kompania vlerësohet në miliarda dollarë dhe vetë Kendra është një nga sipërmarrëset më të fuqishme femra në SHBA, madje edhe e ftuar si “shark” në emisionin Shark Tank.

Historia e saj dëshmon se dështimi nuk është fundi, por shpesh mësimi më i vlefshëm. Ndonjëherë, suksesi nuk vjen nga ajo që ti mendon se di, por nga aftësia për të dëgjuar tregun dhe për të ndryshuar mendje në kohën e duhur.

NTAE

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0