Nga Najada Balla Taçi* – Në dekadat e fundit, investimet e qëndrueshme, që përfshijnë faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes (ESG) në vendimmarrjen financiare janë shndërruar në një forcë transformuese në financat globale. Ndërgjegjësimi në rritje për ndryshimet klimatike, pabarazitë sociale dhe përgjegjësinë korporative po e shtyn gjithnjë e më shumë kapitalin drejt qëllimeve me ndikim pozitiv. Por, ndërsa produktet e investimeve të gjelbra po shumëfishohen, mënyra si i qasen brezat e ndryshëm këtij trendi mbetet e ndryshme dhe shpesh kontrastuese.
Në një kohë kur kapitali është një nga mjetet më të fuqishme për të nxitur ndryshime pozitive, kuptimi i sjelljes dhe motivimeve të brezave të ndryshëm është thelbësor. Për të arritur që investimet e qëndrueshme të kenë ndikim real, institucionet financiare duhet të dinë kush investon, pse e bën dhe çfarë e pengon pjesëmarrjen më të gjerë. Pikërisht këtë synon të zbulojë raporti im “Generational Differences in Demand for Sustainable Investments”, i cili analizon në mënyrë krahasuese qëndrimet e baby boomers, gjeneratës X, milenialëve dhe gjeneratës Z.
Nga idealizmi etik te strategjia ekonomike
Koncepti i investimeve të qëndrueshme nuk është i ri. Që nga vitet ’60, investitorët etikë nisën të shmangnin sektorë si duhani, armët dhe energjia fosile. Por, në dekadat e fundit, qasja ka evoluar nga përjashtimi moral në integrim strategjik. Sot, investitorët nuk kërkojnë vetëm të shmangin dëmet, por edhe të përfitojnë nga mundësitë që sjell një ekonomi më e pastër, më gjithëpërfshirëse dhe më e përgjegjshme.
Ngjarje si kriza financiare e vitit 2008 apo pandemia e COVID-19 kanë tronditur besimin ndaj institucioneve tradicionale dhe kanë forcuar kërkesën për transparencë. Paralelisht, raportet shkencore mbi ndryshimet klimatike dhe raportet si ”Planetary Boundaries” kanë vënë në dukje se pesë nga nëntë kufijtë planetarë që garantojnë stabilitetin e jetës në Tokë janë tashmë tejkaluar. Kjo ka sjellë një valë të re ndërgjegjësimi, veçanërisht mes brezave të rinj që po e shohin financën si një mjet për ndryshim sistemik.
Ndikimi i brezave. Kush investon dhe pse
Raporti thekson se sjelljet financiare formohen nga përvojat e brezave me ngjarjet ekonomike të kohës së tyre.
Baby boomers janë rritur në një epokë stabiliteti pas Luftës së Dytë Botërore, me besim të lartë tek institucionet financiare dhe fokus te kthimi afatgjatë i investimeve. Për ta, qëndrueshmëria shpesh shihet si një “bonus moral”, jo domosdoshmërisht si strategji ekonomike.
Gjenerata X, e formësuar nga tranzicioni i tregjeve dhe krizat e viteve ’90, ruan një skepticizëm më të lartë. Ajo kërkon prova të qarta se investimet ESG sjellin kthime reale dhe nuk janë thjesht “greenwashing”.
Millenians, të rritur në erën digjitale dhe me vetëdije të theksuar sociale, përfaqësojnë shtytjen më të fortë drejt investimeve të qëndrueshme. Ata kërkojnë transparencë, ndikim konkret dhe përputhje me vlerat e tyre.
Gjenerata Z, që tashmë po hyn fuqishëm në tregun e kapitalit, po tregon një qasje më radikale: për ta, investimi është një akt politik dhe një mjet presioni ndaj korporatave për të ndryshuar praktikat mjedisore e sociale.
Në këtë kuptim, brezat e rinj po e çojnë përpara një model të ri investimi ku përfitimi financiar dhe ndikimi social nuk janë më qëllime në konflikt, por pjesë të së njëjtës strategji.
Roli i rregulloreve dhe tregjeve globale
Transformimi i investimeve të qëndrueshme nuk po ndodh vetëm për shkak të presionit moral. Rregulloret ndërkombëtare po i japin këtij trendi një bazë të qëndrueshme ligjore. Rregullorja e Bashkimit Europian për Zbulimin e Financave të Qëndrueshme (SFDR) dhe Taksonomia e BE-së për aktivitetet e qëndrueshme kanë vendosur standarde të reja transparence, duke i detyruar institucionet financiare të raportojnë ndikimin e investimeve të tyre në mjedis dhe shoqëri.
Këto kuadro ligjore po e reduktojnë “greenwashing”-un dhe po e orientojnë kapitalin drejt projekteve me ndikim real. Për investitorët institucionalë, si fondet e pensioneve, sigurimet apo fondet e përbashkëta, ESG është bërë tashmë një kriter strategjik, jo më thjesht etik. Ndërkohë, bankat dhe bursat po nxisin inovacionin për të zhvilluar produkte të reja financiare që lidhin fitimin me ndikimin social dhe klimatik.
Nga rreziku klimatik te mundësia ekonomike
Në aspektin makroekonomik, investimet e qëndrueshme po shihen si mënyra më e mirë për të menaxhuar rreziqet e reja financiare që lidhen me klimën, mungesën e burimeve natyrore dhe pasiguritë gjeopolitike. Raporti thekson se “dekarbonizimi i ekonomisë globale nuk është më një opsion moral, por një domosdoshmëri ekonomike”.
Nëse nuk ndërmerren masa për të ndarë rritjen ekonomike nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, pasojat financiare do të jenë të pashmangshme. Prandaj, modelet e reja të investimeve po fokusohen në eficiencën e burimeve, ekonominë rrethore dhe teknologjitë e pastra. Kompanitë që arrijnë të adoptojnë këto modele jo vetëm që reduktojnë kostot dhe varësinë nga zinxhirët e brishtë të furnizimit, por edhe rrisin vlerën e tyre në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Një ndarje e re financiare: e qëndrueshme apo jo
Përtej dinamikës brezash, ky raport sinjalizon edhe një ndarje të re strukturore në tregjet financiare: investimet e qëndrueshme po bëhen standardi i ri, ndërsa ato që nuk përputhen me kriteret ESG po përballen me rrezik devalvimi.
Sipas të dhënave të “Morgan Stanley Institute for Sustainable Investing” (2024), fondet që përfshijnë kritere ESG kanë performuar më mirë gjatë krizave të fundit financiare, duke demonstruar se qëndrueshmëria rrit rezistencën afatgjatë. Në të njëjtën kohë, investitorët e rinj po e shohin mungesën e politikave të përgjegjshme si një sinjal rreziku — jo vetëm etik, por edhe ekonomik.
Për një financë gjithëpërfshirëse dhe rezistente
Në fund, raporti nënvizon një ide thelbësore: për të arritur një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm, është e nevojshme që investimet e gjelbra të jenë të qasshme për të gjitha grupet shoqërore dhe brezash. Kjo kërkon edukim financiar, produkte të personalizuara dhe politika që u mundësojnë investitorëve të vegjël të marrin pjesë në këtë transformim.
Në një botë ku kapitali përcakton drejtimin e zhvillimit, investimet e qëndrueshme përfaqësojnë jo vetëm një trend financiar, por një ndryshim kulturor në mënyrën se si njerëzimi e sheh veten në raport me planetin dhe me të ardhmen.
Raportin e plotë mund ta aksesoni këtu
*Najada Balla Taçi ka mbi 20 vjet përvojë në bankë dhe konsulencë për financa të qëndrueshme dhe aktualisht është Executive Research Fellow në The Digital Economist, duke u fokusuar në investime ESG dhe etikën e AI.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto