Në 10 vite emigruan 500 mijë shqiptarë - Business Magazine Albania

Në 10 vite emigruan 500 mijë shqiptarë

emigrim

Marrë nga Monitor

Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës përllogariti se nga viti 2010 deri në vitin 2019 janë larguar nga Shqipëria në emigracion rreth 499 mijë persona, në një raport të fundit për migracionin neto të Ballkanit Perëndimor.

Ekspertët i morën të dhënat nga Eurostat për vendet e BE-së dhe nga vende jo anëtare të BE-së. Numri i emigrantëve për Shqipërinë u përllogarit nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë nga këto vende.

56% e lejeve janë dhënë pêr arsye familjare, 17.5% për punë dhe pjesa e mbetur raportohet për arsye të tjera, ose studimi.

Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë dhe Kosovën.

Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit sidomos në Shqipëri dhe Kosovë.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë sipas Bankës Botërore e për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore.

Një faktor tjetër janë rrjetet e diasporës, të cilat ofrojnë informacion dhe burime që lehtësojnë emigrimin.

Skemat lehtësuese që vendet perëndimore si Gjermania kanë krijuar për thithjen e krahut të punës janë një faktor tjetër.

Në Malin e Zi emigracioni i dekadës së fundit është tipar i popullsisë së re në moshë. Për të rinjtë e Malit të Zi janë lëshuar rreth 20 mijë leje pune gjatë periudhës 2010-2019, shprehen ekspertët e Vjenës. Shumica e lejeve të punës janë të natyrës sezonale, për punë në ndërtim, turizëm dhe tregti.

Në Serbi, profili i emigracionit tregon për largim të personave mbi të 30-at, kryesisht për qëllime punësimi.

Në Shqipëri ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ka emigrim te të gjitha moshave, por është shumë më i theksuar në mesin e grupeve më të reja. Shqipëria përjeton emigracion neto për të gjitha grupmoshat.

Edhe në Bosnjë, emigracioni ka përfshirë të gjithë grupmoshat e popullsisë, por është më i dukshëm tek të rinjtë.

Papunësia e lartë e të rinjve, ribashkimet me familjet dhe arsimi shpjegojnë arsyet për emigrimin në masë të të rinjve.

Shkalla e papunësisë në grupmoshat e reja (15-19 dhe 20-24 vjeç) në vendet e Ballkanit është shumë më e lartë se në ato më të vjetrat.

Llogaritjet tregojnë se në Bosnjë, Serbi, Shqipëri, Kosovë, të rinjtë kishin gjasa të ishin të papunë dy-tre herë më shumë se moshat më të vjetra./ B.Hoxha

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0