Mjeku në linjë, 1/4 e vizitave në disa vende europiane bëhet online - Business Magazine Albania

Mjeku në linjë, 1/4 e vizitave në disa vende europiane bëhet online

Telekonsultimet, të cilat patën kulmin gjatë pandemisë COVID-19, vazhdojnë të jenë dukshëm më të shpeshta se nivelin para pandemisë në të gjithë Europën. Ekspertët shpjegojnë pse përdorimi i tyre ndryshon kaq shumë nga vendi në vend.

Pandemia ndryshoi shumë aspekte të jetës së përditshme dhe një nga këto ndryshime me ndikim të qëndrueshëm është telekonsultimi mjekësor.

Gjatë periudhës së COVID-19, vizitat fizike mbartnin rreziqe të konsiderueshme shëndetësore, duke nxitur shumë vende të lançojnë ose zgjerojnë shërbimet e konsultimeve në distancë. Që atëherë, telekonsultimet kanë vazhduar të zënë terren në Europë, krahasuar me nivelin para pandemisë.

Sipas raportit “Health at a Glance 2025” të OECD, në vitin 2019, konsultimet në distancë me telefon ose video ishin mesatarisht 0.5 për pacient në vit në vendet e OECD. Deri në vitin 2021, ky numër ishte më shumë se dyfishuar, duke arritur 1.3 telekonsultime për pacient. Në vitin 2023, ky tregues u stabilizua në 1 për pacient për vit, duke reflektuar një rënie nga kulmet e pandemisë, por ende mbi bazën para COVID-19.

Spanja dhe Lituania shënuan rritjen më të madhe, me 1.7 dhe 1.2 telekonsultime për pacient respektivisht. Norvegjia (0.7), Kroacia (1.7), Portugalia (1.4) dhe Sllovenia (0.9) shënuan gjithashtu rritje të rëndësishme. Ndër vendet më të populluara të Europës, Gjermania mbeti e pandryshuar në 0.1, ndërsa Franca u rrit në 0.2.

Lexo edhe: Stetoskopi inteligjent, një armë e re kundër sëmundjeve të zemrës

Në vendet nordike, telekonsultimet përbëjnë rreth një të katërtën e vizitave në Danimarkë dhe Suedi, ndërsa në Finlandë kjo shifër është 7%. Estonia kryeson me 36% të konsultimeve që kryhen në distancë, e ndjekur nga Portugalia (26%), Suedia (25%), Danimarka (25%), Spanja (22%) dhe Kroacia (20%).

Ekspertët vënë në dukje se rritja e telekonsultimeve nuk është e shkaktuar nga një faktor i vetëm, por nga kombinimi i kapaciteteve teknologjike, vendimeve politike dhe pranimit nga profesionistët e shëndetësisë.

Sistemet shëndetësore që ofrojnë pagesa të plota për telekonsultimet, me infrastrukturë të mirë dixhitale dhe aftësi të qytetarëve për përdorim teknologjie, arrijnë të ruajnë dhe rrisin përdorimin e këtyre shërbimeve. Në vendet ku këto incentiva mungojnë, përdorimi bie ndjeshëm.

Francesc Saigi nga Universitat Oberta de Catalunya vuri në dukje se në disa vende vizita ballë për ballë ende shihet si standardi i artë, dhe profesionistët e pacientët mund të jenë më të rezervuar për ta zëvendësuar atë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0