Një studim i ri sugjeron se statusi martesor mund të jetë një faktor i rëndësishëm social që ndikon në rrezikun për kancer, me norma dukshëm më të larta te personat që nuk janë martuar kurrë. Sipas kërkimit të realizuar nga studiues nga Universiteti i Maiamit dhe publikuar në revistën shkencore Cancer Research Communications, personat që janë ose kanë qenë të martuar kanë një probabilitet më të ulët për të zhvilluar kancer krahasuar me ata që nuk janë martuar asnjëherë.
Studimi zbulon se burrat që nuk janë martuar kurrë kanë një incidencë të kancerit 68% më të lartë, ndërsa për gratë kjo shifër arrin në 85%. Diferencat bëhen edhe më të theksuara te personat mbi 55 vjeç, duke sugjeruar se ndikimi i statusit martesor akumulohet gjatë jetës.
“Gjetjet tona tregojnë se faktorët socialë si statusi martesor mund të shërbejnë si indikatorë të rëndësishëm të rrezikut për kancer në nivel popullate,” u shpreh Paulo Pinheiro, bashkautor i studimit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet nuk duhet të interpretohen si një thirrje për martesë. Sipas Frank Penedo, mesazhi kryesor është që personat beqarë duhet të tregojnë më shumë kujdes ndaj faktorëve të rrezikut, të kryejnë kontrolle të rregullta dhe të ndjekin kujdesin shëndetësor në mënyrë aktive.
Analiza përfshiu të dhëna nga mbi 100 milionë persona në SHBA dhe më shumë se 4 milionë raste kanceri të diagnostikuara mes viteve 2015 dhe 2022. Studiuesit ndanë pjesëmarrësit në dy grupe: ata që nuk janë martuar kurrë dhe ata që kanë qenë të martuar më parë, por nuk janë më (të divorcuar, të ndarë ose të ve).
Rezultatet tregojnë se lidhja mes statusit martesor dhe kancerit nuk është e njëjtë për të gjitha llojet. Për shembull, burrat beqarë kishin gati pesë herë më shumë raste të kancerit anal, ndërsa gratë beqare pothuajse trefish më shumë raste të kancerit të qafës së mitrës. Po ashtu, kanceret e ezofagut, mëlçisë dhe mushkërive ishin rreth dy herë më të shpeshta te personat që nuk janë martuar.
Sipas studiuesve, martesa lidhet prej kohësh me rezultate më të mira shëndetësore, përfshirë jetëgjatësi më të madhe dhe nivel më të ulët sëmundshmërie. Kjo shpjegohet me faktorë si mbështetja sociale, sjelljet më të shëndetshme (më pak alkool dhe duhan), stabiliteti ekonomik dhe kujdesi më i madh për shëndetin.
Për më tepër, studime të mëparshme kanë treguar se pacientët e martuar diagnostikohen më herët dhe kanë norma më të larta mbijetese, shpesh falë mbështetjes së partnerit në ndjekjen e trajtimit dhe kontrolleve mjekësore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto