Ky është libri më i mirë për Inteligjencën Artificiale! - Business Magazine Albania

Ky është libri më i mirë për Inteligjencën Artificiale!

Ky është libri më i mirë për Inteligjencën Artificiale!

“Vala që po vjen” ofron një perspektivë të qartë mbi mundësitë e jashtëzakonshme dhe rreziqet reale që na presin.

BILL GATES

Kur njerëzit më pyesin për inteligjencën artificiale, pyetjet e tyre shpesh reduktohen në këtë: Për çfarë duhet të shqetësohem dhe sa i shqetësuar duhet të jem? Gjatë vitit të fundit, i jam përgjigjur kësaj pyetjeje duke u sugjeruar që të lexojnë “Vala që po vjen” nga Mustafa Suleyman. Ky është libri që rekomandoj më shumë se çdo gjë tjetër mbi inteligjencën artificiale – për krerë shtetesh, drejtues biznesesh dhe çdokënd që më pyet – sepse ofron diçka të rrallë: një vizion të qartë mbi mundësitë e jashtëzakonshme dhe rreziqet reale që kemi përpara.

Autori, Mustafa Suleyman, ka një perspektivë unike mbi këtë temë. Pasi ndihmoi në ndërtimin e DeepMind, duke e kthyer nga një startup i vogël në një nga kompanitë më të rëndësishme të inteligjencës artificiale të dekadës së fundit, ai themeloi Inflection AI dhe tani drejton sektorin e AI në Microsoft. Por, ajo që e bën këtë libër të veçantë nuk është vetëm përvoja e tij e drejtpërdrejtë, por edhe kuptimi i thellë i historisë shkencore dhe i mënyrës se si shpalosen revolucionet teknologjike. Mustafa është një intelektual serioz që di të gjejë paralele kuptimplota nëpër shekuj të tërë përparimesh shkencore.

Shumë nga analizat mbi “Vala që po vjen” janë përqendruar te inteligjenca artificiale – gjë që ka kuptim, pasi ky është një nga librat më të rëndësishëm të shkruar ndonjëherë mbi këtë fushë. Dhe ndoshta nuk ka askënd më të kualifikuar se Mustafa për ta shkruar. Ai ishte aty në vitin 2016, kur AlphaGo i DeepMind mundi lojtarët më të mirë të Go, – një lojë më komplekse se shahu, me 2,500 vjet strategji pas saj, – duke bërë lëvizje që askush nuk i kishte menduar më parë. Duke vepruar kështu, Inteligjenca Artificiale tregoi se makinat mund të sfidojnë njerëzit në lojën e tyre, duke i dhënë Mustafa-it një vështrim të hershëm mbi atë që do të vinte. Ajo që e dallon këtë libër nga të tjerët është kuptimi i thellë i Mustafa se Inteligjenca Artificiale është vetëm një pjesë e një bashkimi të paprecedentë të përparimeve shkencore. Redaktimi i gjeneve, sinteza e ADN-së dhe avancime të tjera në bioteknologji po zhvillohen në mënyrë paralele. Siç sugjeron titulli, këto ndryshime po formohen si një valë larg në det, – ende e padukshme për shumëkënd, por që po vjen duke fituar forcë. Çdo inovacion do të ishte transformues më vete; së bashku, ato priten të ndryshojnë çdo aspekt të shoqërisë.

Historiani Yuval Noah Harari ka argumentuar se njerëzit duhet të mësojnë të punojnë së bashku dhe të krijojnë besim përpara se të zhvillojnë Inteligjencë Artificiale të avancuar. Në teori, jam dakord. Nëse do të kisha një buton magjik për ta ngadalësuar këtë proces me 30-40 vjet, ndërsa njerëzimi gjen mënyra për të ndërtuar besim dhe synime të përbashkëta, ndoshta do ta shtypja. Por, ky buton nuk ekziston. Teknologjitë do të krijohen, pavarësisht se çfarë bën një individ apo kompani. Ndërkohë, përparimi po përshpejtohet, pasi kostot bien dhe fuqia kompjuterike rritet. Shtojini kësaj shtysën për fitim dhe pushtet që po e çon zhvillimin përpara. Shtetet konkurrojnë me njëra-tjetrën, kompanitë me kompani, individët për lavdi dhe lidership. Këto forca e bëjnë avancimin teknologjik të pandalshëm – dhe njëkohësisht e bëjnë më të vështirë kontrollin e tij. Ajo që e dallon këtë libër nga të tjerët është kuptimi i thellë i Mustafës se AI është vetëm një pjesë e një bashkimi të paprecedentë të përparimeve shkencore. Redaktimi i gjeneve, sinteza e ADN-së dhe avancime të tjera në bioteknologji po zhvillohen në mënyrë paralele. Siç sugjeron titulli, këto ndryshime po formohen si një valë larg në det – ende e padukshme për shumëkënd, por duke fituar forcë. Çdo inovacion do të ishte transformues më vete; së bashku, ato priten të ndryshojnë çdo aspekt të shoqërisë.

Lexo edhe:Bytes & Books #2 – “Vala që po vjen” nga Mustafa Suleyman

Në bisedat e mia për inteligjencën artificiale, shpesh theksoj tre rreziqe kryesore që duhet të marrim parasysh:

I pari është ritmi i shpejtë i ndryshimeve ekonomike. Inteligjenca artificiale mund të transformojë në mënyrë themelore natyrën e punës dhe të ndikojë në vendet e punës në shumicën e industrive, përfshirë rolet intelektuale, të cilat tradicionalisht kanë qenë të mbrojtura nga automatizimi.

I dyti është problemi i kontrollit, ose vështirësia për të siguruar që sistemet e inteligjencës artificiale mbeten të përshtatura me vlerat dhe interesat njerëzore ndërsa bëhen më të avancuara.

Rreziku i tretë është se kur një aktor i keq ka akses në inteligjencën artificiale, ai bëhet më i fuqishëm, —dhe më i aftë për të kryer sulme kibernetike, për të krijuar armë biologjike, madje edhe për të komprometuar sigurinë kombëtare.

Ky rrezik i fundit—përforcimi i aktorëve të këqij—është ai që na çon te sfida më e madhe e kohës sonë: përmbajtja. Si mund të kufizojmë rreziqet e këtyre teknologjive, duke shfrytëzuar njëkohësisht përfitimet e tyre? Kjo është pyetja në zemër të “Vala që po vjen”, sepse përmbajtja është themelore për gjithçka tjetër. Pa të, rreziqet e inteligjencës artificiale dhe bioteknologjisë bëhen edhe më akute. Duke e zgjidhur atë, fillimisht krijojmë stabilitetin dhe besimin e nevojshëm për të trajtuar gjithçka tjetër. Sigurisht, kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.

Ndryshe nga teknologjitë e mëparshme transformuese, si armët bërthamore, të cilat mund të përmbaheshin përmes sigurisë fizike dhe kontrolleve të rrepta të aksesit, inteligjenca artificiale dhe bioteknologjia paraqesin një sfidë krejtësisht të ndryshme. Ato janë gjithnjë e më të aksesueshme dhe të përballueshme, zhvillimi i tyre është pothuajse i pamundur të zbulohet ose monitorohet, dhe mund të përdoren pas dyerve të mbyllura me një infrastrukturë minimale. Ndalimi i tyre do të thoshte që “të mirët” të çarmatoseshin njëanshëm, ndërsa aktorët e këqij do të ecnin përpara gjithsesi. Dhe do të dëmtonte të gjithë, sepse këto teknologji janë në thelb me përdorim të dyfishtë. Të njëjtat mjete që mund të përdoren për të krijuar armë biologjike mund të shërbejnë edhe për të kuruar sëmundje; e njëjta inteligjencë artificiale që mund të përdoret për sulme kibernetike mund të forcojë edhe mbrojtjen kibernetike.

Pra, si mund ta arrijmë përmbajtjen në këtë realitet të ri? Nuk është e drejtë të ankohemi që Mustafa nuk ka zgjidhur i vetëm njërin nga problemet më komplekse që ka hasur ndonjëherë njerëzimi. Megjithatë, ai parashtron një agjendë që është ambicioze në mënyrë të përshtatshme për shkallën e sfidës, — duke filluar nga zgjidhjet teknike (si ndërtimi i një ndërprerësi emergjent për sistemet e inteligjencës artificiale) deri te ndryshime institucionale të mëdha, përfshirë traktate të reja globale, korniza rregullatore të modernizuara dhe një bashkëpunim historik mes qeverive, kompanive dhe shkencëtarëve. Kur përfundon listën e tij të rekomandimeve, mund të pyesësh veten nëse me të vërtetë mund t’i realizojmë të gjitha këto në kohë. Por pikërisht për këtë arsye ky libër është kaq i rëndësishëm: na ndihmon të kuptojmë urgjencën e situatës ndërsa ende kemi kohë për të vepruar.

Kam qenë gjithmonë një optimist, dhe leximi i “Vala që po vjen” nuk e ka ndryshuar këtë. Unë besoj fort se përparimet në inteligjencën artificiale dhe bioteknologji mund të ndihmojnë në krijimin e trajtimeve të reja për sëmundje vdekjeprurëse, në gjetjen e zgjidhjeve inovative për ndryshimet klimatike dhe në ofrimin e një arsimimi cilësor për të gjithë. Por optimizmi i vërtetë nuk ka të bëjë me besimin e verbër. Ka të bëjë me të parit e të dyja anëve, — përfitimeve dhe rreziqeve, — dhe më pas, me punën për të ndikuar në rezultatet në favor të së mirës.

Pavarësisht nëse je një entuziast i teknologjisë, një politikëbërës, apo dikush që thjesht përpiqet të kuptojë se ku po shkon bota, duhet ta lexosh këtë libër. Ai nuk do të të japë përgjigje të lehta, por do të të ndihmojë të bësh pyetjet e duhura, — dhe të të lërë më të përgatitur për të përballuar dallgën që po vjen, në vend që ajo të të rrëmbejë.

Klubi i Librit “Bytes&Books” ju mirëpret në takimin e dytë të tij, më datë 9 prill 2025, ora 18.00 në mjediset e One Innovation Hub, tek Piramida për të diskutuar për librin “Vala që po vjen” të Mustafa Suleyman.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0