Kur suksesi në real estate nuk është rastësi, historia e Jonida Zerbës dhe Ijon Muho - Business Magazine Albania

Kur suksesi në real estate nuk është rastësi, historia e Jonida Zerbës dhe Ijon Muho

Në tregun e pasurive të paluajtshme, ku çdo vit sjell dinamika të reja dhe kërkesat e klientëve bëhen gjithnjë e më komplekse, spikasin profesionistët që punojnë ndryshe: me pasion, etikë dhe një standard të palëkundur shërbimi. Dy prej tyre janë Jonida Zerba dhe Ijoni Muho, të cilët kanë ndërtuar karriera që frymëzojnë dhe tregojnë se suksesi në real estate vjen nga përkushtimi i përditshëm, jo nga rastësia. Jonida shënon një kapitull të ri me hapjen e Century 21 Terra, ndërsa Ijoni është kurorëzuar si Agjenti i Vitit 2024 në gjithë rrjetin Century 21. Historitë e tyre bashkohen në një pikë: dëshira për të krijuar besim, për të kuptuar njerëzit dhe për t’i udhëhequr drejt vendimeve të rëndësishme për jetën, sikundër është investimi në një banesë. 

Kur përvoja, formimi dhe pasioni bashkohen! 8 vite suksesi të Jonida Zerba në tregun imobiliar!

Gushti i këtij viti shënoi 8 vite karrierë të suksesshme të Jonida Zerba-s në industrinë e pasurive të paluajtshme, të gjitha nën logon e Century 21 Albania.


Rruga drejt këtij profesioni nuk ishte rastësi. Ajo ka përfunduar studimet e larta për Menaxhim Biznesi dhe ato pasuniversitare në Shkencat Politike dhe Juridike, duke ndërtuar një bazë të fortë teorike. Përvoja e saj në institucione të lidhura drejtpërdrejt me pronën e përgatiti në mënyrë të shkëlqyer për të kuptuar proceset ligjore dhe administrative që qëndrojnë pas çdo transaksioni.

Për Jonidën, udhëtimet kanë qenë një tjetër universitet; një mënyrë për të parë botën nga këndvështrime të ndryshme. “Udhëtimet më mësojnë më shumë se çdo libër”, thotë ajo. Ky kombinim i njohurive ligjore dhe perspektivës globale i ka dhënë një stil unik pune, ku çdo pronë shihet si histori, jo vetëm si metra katrorë.

Arritjet e saj flasin vetë: Jonida ka thyer rekorde shitjesh brenda kompanisë dhe është shpallur agjentja më e suksesshme për dy vite radhazi në grupin elitë Team 21, pjesë e të cilit është që prej vitit 2020. Për të, suksesi nuk matet vetëm me çmimin e shitjes, por me emocionin e një dere që hapet për një jetë të re, aty ku pronat shndërrohen në shtëpi dhe klientët në miq.

Pas tetë viteve në një karrierë të ndërtuar gur e mbi gur, për Jonidën erdhi momenti i natyrshëm për të hapur kapitullin e radhës: kalimin nga agjente në broker. Këtë vit ajo krijoi zyrën e saj, Century 21 Terra, një hap që përfaqëson pjekurinë profesionale, vizionin dhe standardet që ajo ka ndjekur në çdo transaksion. 

Si lindi zgjedhja për këtë profesion dhe pse Century 21 Albania?

Ky profesion nuk ishte rastësor. Kisha vite që e njihja pronën nga ana ligjore, administrative dhe nga fusha e shitjeve. Kur vendosa të hyj seriozisht në tregun imobiliar, nuk doja të “provoja fatin” me një markë të panjohur. Zgjodha Century 21, rrjetin më të madh në botë, sepse nuk më pëlqen të luaj në ligat e vogla. Rezultati? Tetë vite më vonë, jo qe nuk gjeta nje arsye per tu larguar, por sot operoj si broker nën logon e Century 21 Albania.

Cila është filozofia juaj e punës me klientët?

Filozofia ime është e thjeshtë: nuk shes metra katrorë, shes ndjenja. Çdo pronë ka një histori dhe çdo klient ka një ëndërr. Roli im është t’i bashkoj këto dy komponentë me besim dhe korrektësi. Suksesi matet me kujtimet që klientët krijojnë pas blerjes apo shitjes, jo vetëm me kontratën e nënshkruar.

Ju jeni e apasionuar pas udhëtimeve. Çfarë kanë shtuar udhëtimet e shumta në perspektivën tuaj si profesioniste?

Udhëtimet më kanë mësuar se nuk ekziston një standard unik bukurie apo komoditeti. Ajo që për një italian është luks, për një japonez mund të konsiderohet hapësirë e humbur. Ato më kanë treguar se shtëpia nuk është thjesht një vend, por një ndjesi. Kjo është busulla ime në çdo proces, të gjej pronën që i bën klientët të ndihen në shtëpi.

Çfarë ndryshimesh keni parë gjatë këtyre viteve në treg? A ka ndryshuar klienti?

Në fillimet e mia, çmimet dukeshin të larta vetëm për klientët. Sot, ndonjëherë më duken të larta edhe mua. Në disa zona çmimet janë trefishuar. Por paralelisht është rritur edhe niveli i informacionit, kërkesave dhe standardeve, ndaj çdo transaksion kërkon më shumë kujdes dhe profesionalizëm. Klienti i sotëm është shumë më i informuar dhe më kërkues.

Si parashikoni të jenë çmimet në Tiranë dhe në bregdet për dy vitet e ardhshme? Cila zonë e Tiranës po zhvillohet më shumë?

Në Tiranë pres një stabilizim të lehtë të çmimeve, me rritje të moderuar në zonat në zhvillim. Në bregdet, kërkesa nga tregu vendas dhe ai ndërkombëtar do të vijojë të nxisë rritjen e çmimeve, sidomos në destinacionet elitare.


Brenda kryeqytetit, potencialin më të madh e shoh te Bulevardi i Ri, një projekt që nuk po shton vetëm ndërtesa, por po krijon një realitet të ri urban. Aty do të ndërtohet, sipas meje, “qendra e dytë” e Tiranës.

Çfarë do t’i këshillonit dikujt që dëshiron të hyjë në këtë profesion?

Këshilla ime është: hyni me pasion dhe durim. Nuk është një rrugë e lehtë, por është një rrugë që shpërblen çdo hap. Ky profesion të mëson pafund, të lidh me njerëz të jashtëzakonshëm dhe, me kohë e përkushtim, të sjell fitime shumë të mira. Është një profesion që të ndryshon jetën.

Besimi, pasioni dhe rezultatet e matshme kanë qenë gurët e themelit të karrierës së Jonidës. Sot ajo është një figurë frymëzuese në rrjetin Century 21 Albania; një dëshmi e gjallë se suksesi nuk lind rastësisht, por ndërtohet me vizion dhe vendosmëri.

Lexo edhe: Editorial/ Koha për të NDËRTUAR… ekonomi të qëndrueshme dhe digjitale!

 

Ijoni Muho, 9 vite eksperiencë dhe një karrierë në rritje të pandalshme në real estate

Rrugëtimi profesional i Ijoni Muhos në industrinë e pasurive të paluajtshme është një histori këmbënguljeje, rritjeje të vazhdueshme dhe suksesesh të merituara. I shpallur Agjenti i Vitit në sistemin e Century 21 Albania, ai ka ndërtuar një profil të fortë falë përvojës 9-vjeçare në treg, profesionalizmit dhe aftësisë për të krijuar besim me klientët.

Ijoni e nisi këtë rrugë rastësisht, por me kalimin e kohës e ktheu në një karrierë të qëndrueshme, duke kombinuar formimin akademik në Financë me ekspertizën praktike në tregun dinamik shqiptar.

Si e përkufizoni sot një vit të suksesshëm në këtë industri?

2024 ishte një vit i jashtëzakonshëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për zyrën dhe gjithë sistemin tonë Century 21 Albania. Suksesi nuk matet vetëm me shifra, por edhe me marrëdhëniet që krijojmë me klientët dhe projektet ku angazhohemi. Çdo arritje është rezultat i shumë orëve pune, sakrificave dhe përkushtimit të vazhdueshëm.

Si lindi ideja për të hyrë në këtë rrugë?

Para 9 vitesh nisa rrugëtimin tim në profesionin e agjentit imobiliar dhe, gjatë kësaj kohe, iu bashkova rrjetit Century 21 Albania në zyrën C21 Cooperate. Që në fillim kuptova se marrëdhënia me klientët dhe balancimi i interesave në procesin e negociatave do të bëheshin pikat e mia më e forta. Sot, pas 9 vitesh eksperiencë, ndihem i lumtur dhe krenar për zgjedhjen që kam bërë.

Cilat kanë qenë projektet më të rëndësishme ku jeni angazhuar?

Çdo pronë e trajtoj si një projekt më vete, pavarësisht nëse është një apartament i vogël apo një kompleks i madh. Aktualisht, projekti më i rëndësishëm është Jal Y’Mar Residence në Jalë, një ndër zonat më të bukura të rivierës shqiptare. Ky projekt ka zgjeruar portofolin tim me klientë potencialë dhe ka tërhequr interes të madh ndërkombëtar, duke e pozicionuar Shqipërinë si destinacion elitar në Mesdhe.

Sa interes ka tregu ndërkombëtar mbi projektet në bregdetin shqiptar?

Interesi është shumë i lartë, sidomos pas zhvillimeve infrastrukturore të viteve të fundit. Shqipëria shihet tashmë si një vend i sigurt, vetëm pak orë larg kryeqyteteve europiane. Një pjesë e rëndësishme e këtij interesi vjen edhe nga diaspora shqiptare në SHBA dhe Europë, e cila e sheh vendin si një mundësi reale investimi.

Përveç punës në terren, a ka pasur evente apo ekspozita ku keni marrë pjesë?

Po, dhe ato janë një pjesë e rëndësishme e punës sonë. Kam marrë pjesë në panaire ndërkombëtare, si International Real Estate Expo 2024 në Pragë, ku prezantuam projektet tona dhe bukuritë e Shqipërisë. Gjithashtu, eventet në rajon, sidomos me investitorët nga Kosova, tregojnë qartë rritjen e interesit për tregun tonë.

Cili është mesazhi juaj për agjentët e rinj që duan të arrijnë të njëjtat rezultate?

Ky profesion kërkon pasion, përkushtim dhe respekt ndaj klientit. Duhet pasur parasysh se për shumë njerëz prona është investimi i jetës. Roli ynë është ta bëjmë këtë proces sa më të lehtë dhe transparent, duke ndërtuar besim dhe marrëdhënie afatgjata. Vetëm kështu arrihet një sukses i qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Ky artikull është publikuar në numrin 40 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0