Në ambientet e Crew Shop Albania u zhvillua një event i veçantë, i dedikuar vlerësimit të profesionit, eksperiencës dhe perspektivës së ardhshme të nautikës shqiptare. Në qendër të vëmendjes ishin Kapitenët e Jahtit, por edhe Junior Kapitenët; fëmijë të trajnuar dhe të certifikuar për të lundruar në mënyrë të sigurt, të shoqëruar nga prindërit e tyre.
Ky aktivitet shkoi përtej një ceremonie simbolike, duke u shndërruar në një moment reflektimi dhe krenarie për një komunitet që po merr formë: komuniteti i nautikës shqiptare, i ndërtuar mbi standarde profesionale, edukim të hershëm dhe respekt për detin.
Emocioni dhe pasioni për lundrimin bashkuan breza të ndryshëm, duke dëshmuar se dashuria për detin nuk njeh moshë, por kërkon përgatitje, disiplinë dhe kulturë detare. Junior Kapitenët u panë si simbol i një filozofie të re edukimi, ku siguria, përgjegjësia dhe eleganca transmetohen që në moshë të vogël.
“Fëmijët janë e ardhmja në çdo fushë, por është detyrë e të rriturve t’i orientojnë drejt pasioneve që më pas ata i përqafojnë si të tyret,” thekson Dorian Mersini, themelues & CEO i Crew Shop Albania – Yacht Club & Boutique. Sipas tij, komuniteti i Junior Captains përfaqëson një investim real për brezat që vijnë dhe një bazë të shëndoshë për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme detare në Shqipëri.
Mersini nënvizon se nautika shqiptare ndodhet ende në hapat e saj të parë dhe ka nevojë për zhvillim të strukturuar, të bazuar në standarde sigurie, formim profesional dhe edukim të drejtë. “Ky zhvillim kërkon një gjithëpërfshirje brezash, pa dallime, me një ide të vetme që na bashkon të gjithëve: dashurinë për detin,” shprehet ai.
Një tjetër temë kyçe e diskutuar gjatë eventit ishte sfida e krijimit të një identiteti të qëndrueshëm për komunitetin e nautikës shqiptare. Sipas Mersinit, sfida më e madhe mbetet mundësia e kufizuar ekonomike e klasës së mesme, e cila në vendet e zhvilluara është shtylla kryesore e kulturës detare.
Lexo edhe: Evropa dhe paradoksi i patentave detare: një treg i përbashkët pa një sistem të unifikuar
“Forcimi i klasës së mesme, e cila dominon numerikisht dhe është përçuese e kulturës shoqërore, do të sillte edhe një identitet të qëndrueshëm për nautikën detare shqiptare,” shpjegon ai. Sipas Mersinit, ky sport dhe stil jetese duhet të përqafohet nga profesionistë të lirë si mjekë, avokatë, inxhinierë, arkitektë, artistë, gazetarë, sportistë dhe akademikë, njësoj siç ka ndodhur në vendet me traditë të zhvilluar detare.
Ai thekson gjithashtu rolin frymëzues që këta prindër luajnë për fëmijët e tyre. “Këto kategori janë etalon për brezin e ri, të cilët përpiqen t’i imitojnë në çdo aspekt, profesional dhe shoqëror. Prandaj, në komunitetin detar brezat nuk bëjnë dallim,” shton Mersini.
Duke folur për të ardhmen, themeluesi i Crew Shop Albania e përshkruan atë me një metaforë detare: “Të ardhmen e nautikës detare shqiptare e shoh si horizontin e vetë detit. Porti i nisjes dihet, ndërsa porti i destinacionit do të përcaktohet nga fëmijët që ne sot po formojmë, duke korrigjuar mangësitë tona.”
Crew Shop Albania vijon të jetë jo vetëm një pikë referimi për pajisje dhe shërbime nautike, por edhe një hapësirë ku ndërtohen komunitete, lindin ide dhe promovohet kultura e vërtetë detare shqiptare, duke vendosur themele të forta për një sektor me potencial të madh zhvillimi në vend.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto