Kur ekonomia flet gjelbër! - Business Magazine Albania

Kur ekonomia flet gjelbër!

24 mars vjen premiera e një serie podcastesh që nuk flet thjesht për ekonominë e gjelbër, por e vendos atë në tryezë, me emra, shifra dhe shembuj konkretë.

Për sa kohë që tranzicioni i gjelbër është kthyer në prioritet strategjik për zhvillimin ekonomik dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë, Business Magazine Albania, me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projektit EU4GreenGen, sjell një seri prej katër episodesh që synojnë të bëjnë pikërisht këtë: ta zbresin ekonominë e gjelbër nga niveli i sloganit në nivelin e zbatimit.

Katër episode. Katër tema thelbësore. Katër hapësira dialogu ku 14 të ftuar, ekspertë, sipërmarrës, këshillues biznesi dhe përfaqësues institucionesh mbështetëse, ndajnë përvojat, sfidat dhe mundësitë reale të tranzicionit drejt një modeli më të qëndrueshëm zhvillimi.

Ekonomia qarkulluese, inovacioni i gjelbër, energjia e rinovueshme, eficienca energjetike dhe përafrimi me standardet europiane trajtohen pa retorikë të tepërt, por me fokus praktik: çfarë funksionon, ku janë boshllëqet dhe cilat instrumente financiare e bëjnë të mundur ndryshimin.

Lexo edhe: EU4GreenGen /Gonzato: Tranzicioni i gjelbër, prioritet për integrimin e Shqipërisë

Sepse ndryshimi ka edhe shifra. Plot 620 milionë euro janë investuar në Shqipëri për tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ndërsa për rajonin e Ballkanit Perëndimor mbështetja arrin në 6 miliardë euro. Investime që kanë prekur sektorë strategjikë nga energjia dhe modernizimi i rrjetit elektrik, te menaxhimi i mbetjeve, trajtimi i ujërave të ndotura, biodiversiteti dhe mbështetja e inovacionit.

Rezultatet janë konkrete: mbi 190 mijë qytetarë kanë përfituar nga përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve; rreth 37 mijë banorë në zonat rurale kanë fituar akses në ujë të pijshëm; 56 startup-e shqiptare janë mbështetur për të zhvilluar modele biznesi të gjelbra. Tranzicioni i gjelbër nuk është një koncept abstract, është një proces që prek jetën e përditshme dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Kjo seri podcastesh nuk ofron përgjigje të gatshme, por hap pyetje të nevojshme. A është ekonomia e gjelbër një kosto apo një avantazh? Si mund të përfitojnë bizneset shqiptare nga ky transformim? Dhe sa të përgatitur jemi për standardet që kërkon integrimi europian?

Më 24 mars, ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij dialogu.
Një seri që shkon përtej formatit mediatik  dhe propozon një mënyrë tjetër për të parë zhvillimin: më të pastër, më inteligjent dhe më konkurrues.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0