Kur dezinformimi vret! - Business Magazine Albania

Kur dezinformimi vret!

Kur dezinformimi vret!

Nga Peter Singer- Tre persona, përfshirë dy fëmijë, vdiqën nga fruthi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2025. Vdekjet e tyre ishin plotësisht të parandalueshme. Vitin e kaluar, në SHBA u konfirmuan 2,267 raste me fruth, më shumë se shtatë herë krahasuar me 285 rastet e vitit 2024, dhe numri më i lartë i regjistruar në më shumë se 30 vjet. Edhe këto raste ishin të gjitha të parandalueshme. Atëherë, pse ndodhën?

Për më shumë se dy dekada, Robert F. Kennedy Jr., i cili u konfirmua si Sekretar i Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në shkurt të vitit të kaluar, ka promovuar teori të pabazuara që lidhin vaksinat me autizmin. Ai ka pretenduar se vaksinat kanë “helmuar një brez të tërë fëmijësh amerikanë”, dhe deklaratat e tij ka të ngjarë të kenë kontribuar në rënien e normave të vaksinimit në SHBA. Si pasojë, incidenca e fruthit është rritur ndjeshëm.

Që nga marrja e detyrës, Kennedy ka shkarkuar shkencëtarë me përvojë nga një komitet kyç këshillimor për vaksinat dhe i ka zëvendësuar me skeptikë. Ai ka tërhequr gjithashtu financimin për zhvillimin e vaksinave mRNA – teknologjia që mundësoi prodhimin e shpejtë të vaksinave shumë efektive kundër COVID-19, duke shpëtuar me gjasë disa milionë jetë. Kennedy ka sugjeruar marrjen e vitaminës A si alternativë ndaj vaksinimit kundër fruthit, çka bëri që disa prindër në Teksas t’u jepnin fëmijëve doza aq të larta, sa fëmijët shfaqën simptoma të toksicitetit.

Kthimi shpinën standardeve shkencore në shëndetin publik nuk është vetëm një problem amerikan. Në Sllovaki, kryeministri Robert Fico emëroi Peter Kotlár, një kirurg ortoped dhe aktivist antivaksinë, për të hetuar reagimin e vendit ndaj pandemisë. Raporti i tij i tetorit 2024 e përshkruante COVID-19 si “një akt bioterrorizmi” të dizajnuar për të “testuar naivitetin e popullsisë globale për t’iu bindur urdhrave në mënyrë subliminale”. Raporti pretendonte, pa prova, se vaksinat mRNA ndryshojnë ADN-në njerëzore dhe rekomandonte ndalimin e tyre.

Në një shoqëri të lirë, individët kanë të drejtë të shprehin mendime të pabazuara mbi vaksinat; shkencëtarët e informuar mund t’i kundërshtojnë ato; dhe autoritetet e shëndetit publik duhet të shqyrtojnë provat dhe të veprojnë në përputhje me to. Në raste shumë të rralla, pikëpamje kundër konsensusit shkencor rezultojnë të sakta dhe bëhen ortodoksia e re.

Lexo edhe: A funksionojnë vërtet “super këpucët”? Shkencëtarët bëjnë thirrje për kujdes

Por zyrtarët e shëndetit publik mbajnë një përgjegjësi të veçantë, sepse politikat e tyre prekin jetën e miliona njerëzve. Vaksinat janë ndër ndërhyrjet mjekësore më të testuara në histori. Megjithatë, skeptikë si Kennedy kërkojnë gjithnjë e më shumë studime, ndërkohë që për pretendimet e tyre pranojnë standarde shumë më të ulëta prove, anekdota, të dhëna të zgjedhura me kujdes dhe teori konspirative mbi kompanitë farmaceutike.

Kur mbulimi i vaksinimit bie nën pragjet kritike, humbet ajo që quhet “imunitet i tufës”, mbrojtja që grupet e cenueshme marrin nga normat e larta të vaksinimit në popullatë – dhe sëmundjet e parandalueshme rikthehen. Këtë e dimë nga precedenti historik dhe nga shembuj bashkëkohorë si Rumania, e tani edhe Kanadaja, ku fruthi konsiderohej i eliminuar.

Nën komunizëm në Rumani, vaksinimi i fëmijëve ishte i detyrueshëm dhe fruthi ishte praktikisht i zhdukur. Rënia e diktaturës së Çaușeskut solli liri të mirëpritura dhe anëtarësimi në BE përmirësoi standardet e jetesës, por një pasojë ishte që disa vaksina u bënë vullnetare. Deri në vitin 2023, shkalla e vaksinimit kundër fruthit në Rumani kishte rënë në 62%, nga 95% që ishte kur vaksina u prezantua. Në vitin 2024, vendi regjistroi mbi 30,000 raste me fruth dhe 23 vdekje.

Disa zyrtarë thonë se thjesht po respektojnë lirinë individuale. Por liria e të rriturve kompetentë për të bërë zgjedhje personale nuk shtrihet te vendimet që dëmtojnë të tjerët. Refuzimi i vaksinimit të fëmijëve e bën pikërisht këtë. Fëmijët që ndjekin kopshtin apo shkollën fillore duhet të vaksinohen jo vetëm për t’u mbrojtur vetë – pasi janë shumë të vegjël për të marrë vendime – por edhe sepse refuzimi i vaksinimit rrit rrezikun për të tjerët: për foshnjat që janë ende shumë të vogla për t’u vaksinuar, për personat me imunitet të dobësuar që nuk mund të vaksinohen dhe për gjithë komunitetin kur imuniteti i tufës prishet.

Kennedy paraqitet si luftëtar kundër fuqisë së kompanive farmaceutike, duke përmendur skandale reale si promovimi i OxyContin nga Purdue Pharma. Por raste të dokumentuara mirë të abuzimit korporativ nuk justifikojnë refuzimin e një kategorie të tërë ndërhyrjesh mjekësore, të mbështetura nga prova të forta shkencore për sigurinë dhe efektivitetin e tyre,prova që vijnë nga studiues të pavarur, agjenci shëndetësore në mbarë botën dhe dekada të tëra të dhënash në nivel popullate. Ideja se ky konsensus shkencor global është një konspiracion i madh është thellësisht e pabesueshme.

Kur zyrtarët qeveritarë veprojnë mbi bazën e bindjeve të pabazuara për rreziqet e vaksinave, njerëzit vdesin – si fëmijët e pavaksinuar në Teksas që humbën jetën nga fruthi. Ata që kanë pushtet mbi politikat shëndetësore mbajnë përgjegjësi për këto pasoja. Pakujdesia epistemike – këmbëngulja në besime që bien ndesh me prova dërrmuese, kur nga saktësia varet jeta e shumë njerëzve – është një dështim themelor etik.

Sigurisht, kuptimi shkencor nuk është kurrë i përsosur apo përfundimtar. Pyetje të vërteta mbi sigurinë e vaksinave meritojnë hetim serioz, prandaj ekzistojnë sistemet e monitorimit të sigurisë së vaksinave dhe prandaj efektet anësore të rralla studiohen me kujdes. Por ka një hendek të madh mes kërkimit me mirëbesim dhe rezistencës ideologjike ndaj provave dërrmuese.

Shpërfillja e provave shkencore nga kundërshtarët e vaksinimit po prodhon tashmë pikërisht dëmet që ekspertët kishin paralajmëruar: shpërthime sëmundjesh, vdekje të parandalueshme dhe shkatërrimin e përparimit në shëndetin publik që u deshën dekada për t’u arritur. Kjo duhet të ndalet tani, përpara se pasojat të bëhen vërtet katastrofike.

Qeveritë duhet të emërojnë zyrtarë me ekspertizë shkencore përkatëse, që respektojnë provat. Agjencitë e shëndetit publik duhet të veprojnë mbi bazën e konsensusit shkencor, jo të ideologjisë politike. Dhe kur zyrtarët tregojnë përkushtim të vazhdueshëm ndaj pikëpamjeve që bien ndesh me provat, ata duhet të largohen nga pozitat ku mund t’i shndërrojnë këto bindje në politika me pasoja vdekjeprurëse.

Peter Singer është profesor i Etikës Mjekësore në Qendrën për Etikë Biomedikale në Universitetin Kombëtar të Singaporit dhe profesor emeritus i Bioetikës në Universitetin Princeton. Ai është autor i librit “The Life You Can Save” dhe themelues i organizatës jofitimprurëse me të njëjtin emër.

Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0