Kur ChatGPT hyn në klasë! Të nxënit dhe mësimdhënia në realitetin e inteligjencës artificiale - Business Magazine Albania

Kur ChatGPT hyn në klasë! Të nxënit dhe mësimdhënia në realitetin e inteligjencës artificiale

Inteligjenca artificiale po ndryshon rrënjësisht mënyrën si mësojmë dhe mësojmë të tjerët. Dy vende me realitete dhe qëllime të ndryshme,  Estonia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, po e përdorin këtë teknologji për të transformuar arsimin. Estonia, e njohur si një prej pionierëve të digjitalizimit në Evropë, ka ndërmarrë një iniciativë ambicioze: duke nisur nga 1 shtatori 2025, 20 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe 3 mijë mësues të tyre do të kenë qasje të lirë në ChatGPT Edu, një version i personalizuar i ChatGPT për përdorim arsimor. Kjo nismë është pjesë e programit “AI Leap”, që ka për synim të përgatisë të rinjtë për të ardhmen e dominuar nga inteligjenca artificiale dhe të forcojë pozicionin e Estonisë në konkurrencën globale të teknologjisë. Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ofruar abonim falas në ChatGPT Plus për të gjithë banorët, duke e vendosur veten si një epiqendër të re të AI-së në Lindjen e Mesme. Ky hap synon të përmirësojë qasjen në teknologjitë më të avancuara të AI-së dhe të nxisë përdorimin e tyre në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin, biznesin dhe shërbimet publike.

Nxënësit mendojnë më pak, klikojnë më shumë

Nëse dikur në klasë garonin ide, sot mësuesit përballen me një sfidë të re, bashkëjetesën me inteligjencën artificiale. Si ndikon kjo në procesin mësimor? A po përjeton arsimi një epoke të re, ku dijet gjenerohen në sekonda, apo po rrezikojmë të humbasim thelbin e të menduarit kritik? Në një kohë kur ese të tëra “shkruhen” me një klik, pedagogët përballen me pyetje thelbësore: Si të dallosh zërin e studentit nga ai i algoritmit? Është ChatGPT rrezik apo aleat? Granit Zela, pedagog i “Shkrimit Akademik” dhe “Analizës së ligjërimit” në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, me mbi 24 vite përvojë akademike, ndan përvojën e tij në një klasë që nuk është më vetëm e tij…por edhe e inteligjencës artificiale.

Si po e përjetoni ju si mësues praninë gjithnjë e më të madhe të ChatGPT dhe mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale në klasë? A është kjo një mundësi për zhvillim apo një kërcënim për të menduarin kritik të nxënësve?

Në krye të herës me një lloj tronditje, me të kuptuar që gjysma e eseve që duhej të shkruanin studentët ishin krijuar plotësisht ose pjesërisht me ChatGPT. Në pamje të parë u duk që ChatGPT kishte shkundur nga themelet gjithçka që kisha ndërtuar përgjatë një semestri. Një mysafir i pazakonshëm ia kishte behur sakaq në klasë dhe si një magjistar mëtonte të bënte në pak sekonda punën krijuese të studentit dhe madje edhe të profesorit, duke korrigjuar atë që kishte krijuar vetë. Ishte e qartë që u kthye në një prani të pashmangshme në jetën tonë, dhe duhej të bashkëjetonim me të. Një arsim më bashkëkohor është i hapur ndaj inovacionit. Në këtë kuptim, mund të përdoret si një mundësi për zhvillim, pa e asgjësuar të menduarin kritik. Arritja e kësaj mbetet sfida më e madhe.  

A keni vënë re ndonjë ndryshim konkret në mënyrën si nxënësit shkruajnë apo përgatiten për detyrat, që nga momenti kur këto mjete u bënë lehtësisht të qasshme?

Në lëndën time të Shkrimit Akademik, studentët po i përdorin mjete të inteligjencës artificiale për të marrë ide, për të sqaruar koncepte dhe për të përmirësuar variantin (draftin) e shkrimit, dhe jam i sigurt se e përdorin për shumë e shumë detyra. Nga ana tjetër, një nga ndryshimet më të dukshme është në stilin dhe strukturën e shkrimit, toni dhe regjistri është më uniform, ka ngjashmëri në formulim, një regjistër fjalësh nganjëherë që përdoren rrallë ose që shfaqen si fraza që përsëriten, pa variacion, pa sinonimi, shenja se ndihma e inteligjencës artificiale nuk ka qenë e përpunuar dhe ka rrafshuar apo zhdukur “stilin” elementin dallues në një shkrim. Kësisoj, është detyë e mësuesit që të bëjë të qartë se në çdo hap, studenti duhet të gjykojë, të mendojë, të reflektojë dhe të bëj disa zgjedhje që janë vendimtare për të pasur një krijim origjinal dhe unik.

A mendoni se shkollat janë të përgatitura të përballen me këtë realitet të ri digjital? Dhe a ka vend për integrimin e kontrolluar të AI në mësimdhënie, pa zëvendësuar procesin mendor të vetë nxënësit?

Institucionet e edukimit u gjetën të papërgatitura, por tani besoj se janë vetëdijësuar dhe kanë  nisur të ndërmarrin hapa konkret për ta njohur personelin mësimdhënës me platformat dhe mjetet e Inteligjencës Artificiale që ndihmojnë në krijimin e materialeve mësimore, përgatitjen e leksioneve, zhvillimin e ideve kërkimore dhe analizën e literaturës shkencore. AI mund të luajë një rol pozitiv në personalizimin e mësimdhënies dhe lehtësimin e punës akademike, por edhe në  përmirësimin e qasjes ndaj kërkimit shkencor. Nëse kemi integrimin e kontrolluar dhe të menduar të AI në mësimdhënie ajo nuk e zëvendëson të menduarit e nxënësit, por e ndihmon. Përdorimi i teknologjisë duhet të bëhet sipas rregullave, sipas një kodi etik, dhe me mekanizma kontrolli, për shembull duke përdorur instrumente të kontrollit të plagjiarizmit dhe përdorimit të teksteve të krijuara nga AI për t’i paraqitur si të krijuara nga njeriu. Sidoqoftë unë përdor gjithmonë disa paralajmërime: Beso, por kontrollo! Burimet mund të jenë të rreme! Informacioni mund të jetë i gabuar, i pjesshëm apo i njëanshëm! Këto janë masa parandaluese ndaj rrezikut që AI të mendojë në vendin tënd. 

Për të lexuar artikullin e plotë abonohu në një nga paketat tona.
Kliko këtu për t'u abonuar.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Kurrë mos iu ndaj parimeve të tua të nderit dhe qëllimit të mirë.”
— Winston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0