Kronologjia e një viti të mundimshëm - Business Magazine Albania

Kronologjia e një viti të mundimshëm


Viti 2015 filloi me rritje taksash dhe u mbyll me konsum të ulët. Një ekonomi që mund të rritet jo më shumë së 2.5% vuajti politikat agresive e të pastudiuara mirë të qeverisë, të cilat rrezikojnë të japin efekte negative edhe për 2016-n

 

Nga Albana Muçaj

 

Viti 2015 filloi me një paketë të dytë fiskale që rriti më tej taksat. Taksa e qarkullimit të automjeteve u rrit me 10 lekë për një litër karburant. Pas taksimit në mënyrë progresive të të ardhurave nga paga një vit më parë dhe rritjes së tatimfitimit për biznesin e madh nga 10% në 15%, këtë vit, qeveria vendosi të shtojë edhe 50% tatimin mbi të ardhura të tjera, si qiratë, interesi i depozitave bankare e dividenti. Tatimi për to kaloi nga 10% në 15%.

Ende pa u miratuar këto taksa, u kundërshtuan nga ekspertë e sipërmarrës, të cilët paralajmëruan qeverinë se po i zë frymën ekonomisë së vendit. Por, si një vit më parë, edhe kësaj radhe qeveria u kujtoi atyre se është në marrëveshje me FMN-në, dhe është detyruar të marrë hua e të rrisë taksat për të paguar detyrimet e prapambetura ndaj biznesit. Po në marrëveshje me FMN-në, qeveria u angazhua për një konsolidim fiskal, duke synuar të ulë deficitin buxhetor që krijohet gjatë një viti mes shpenzimeve dhe të ardhurave, e në të njëjtën kohë të fillojë uljen e borxhit publik. Ky i fundit ka arritur kulmin këtë vit duke arritur sa 73% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në dokumentet e qeverisë synohet të fillojë zbritja nga 2016-a.

Paralajmërimet e ekspertëve se po asfiksohet ekonomia duket se ranë në vesh të shurdhër. Qeveria, Banka e Shqipërisë dhe institucionet ndërkombëtare parashikuan se ekonomia jonë do të rritej 3% duke e bazuar këtë tek rritja e konsumit të brendshëm.

Por, që në muajt e parë, filluan të duken dobësitë e ekonomisë, të cilat u pasqyruan si në tregtinë e jashtme edhe te të ardhurat në buxhet.

Të dhënat fiskale në janar, për herë të parë për qeverisjen e majtë shënuan vlera negative krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ato ishin 3.3% më pak. Financat shpjeguan se kjo erdhi nga sistemi i ri online i deklarimit të tatimeve, ende jo plotësisht në funksion. Duke filluar nga shkurti, të ardhurat filluan të shkojnë afër objektivit e të jenë pak përqindje më shumë se një vit më parë, por ajo që filloi të bjerë gjithnjë e më shumë në sy është gropa e të ardhurave nga doganat e tatimet. Zëra të rëndësishëm si akciza, mbeten prapa aq sa në fund të prillit, të ardhurat në total u rritën mbi 4%, ndërsa tatimet e doganat ishin 1% minus. Por, nga u siguruan më shumë para në buxhet, kur burimi kryesor “tatime dogana” vetëm sa pakësohej me kalimin e muajve?! Dhënia e licencës 4G për telefoninë e lëvizshme, ishte shpëtimi i të ardhurave për gjysmën e parë të vitit. Por, si çdo familje që nuk mund të mbahet me burime të rastësishme, edhe arka e shtetit nuk mund të mbijetonte me një shitje. Kalimi i muajve dhe pakësimi i parave nga akciza, pasqyroi uljen e çmimeve të lëndëve të para, të cilat sollën më pak prodhim e më pak eksporte. Ato vunë kështu në pikëpyetje optimizmin e qeverisë, punën e Croën Agents, e mbi të gjitha përforcuan dyshimet se evazioni e kontrabanda u rritën bashkë me rritjen e akcizës.

Në këto kushte, qeveria u tregua e kujdesshme të shpenzojë më pak para për investime, në mënyrë që të mos prekte kushtin numër një të marrëveshjes me FMN-në: deficitin buxhetor. Kusht të cilin u përpoq ta ruajë deri në fund të vitit dhe pse e rishikoi dy herë buxhetin.

Në fakt, shkurtimi i buxhetit u rikthye shpejt, duke bërë që brenda një viti të bjerë objektivi i qeverisjes së majtë për të mos arnuar buxhetin, apo më tepër për të mos e ulur. Akti normativ i shkurtimit të buxhetit u firmos nga qeveria në ditën e fundit të korrikut. Ai uli 16.5 miliardë lekë planin e të ardhurave në total dhe po kaq shpenzimet. Një tërheqje e zbutur e qeverisë kjo, ndërsa të gjitha gjasat ishin edhe për një rishikim të dytë të buxhetit. Në fakt, në dhjetor, buxheti u arnua sërish, duke ndjekur praktikën e vjetër të rishpërndarjes së fondeve dhe shpenzimeve të tyre në momentin e fundit. Një hap shumë i kritikuar ky nga ekspertët e ekonomisë, pasi investimet në dhjetor nuk janë efektive e nuk japin në punësim apo konsum, atë ndikim që mund të sillnin po të bëheshin në fillim të vitit.

 

Po rritja ekonomike?!

Për mbushjen e arkës këtë vit, shpresat e qeverisë ishin tre: rritja e ekonomisë me 3%, kontrolli i rreptë i të ardhurave dhe të ardhurat shtesë nga rritja e taksave. Por, kalimi i muajve tregoi se po lëkundeshin të tre këto shtylla. Ekonomia po rritej më pak dhe taksat vetëm sa rritën më tej kontrabandën e evazionin.

Rrjedhjet në dogana u shtuan pas largimit të drejtoreshës Elisa Spiropali, aq sa detyruan kryeministrin Rama pak muaj më vonë të bëjë një vizitë flesh në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, duke shkarkuar me një fjalë goje disa drejtues e duke i quajtur ata turpi i administratës.

Që evazioni e kontrabanda te mallrat e akcizës arritën kulmin e konfirmoi më vonë edhe Ministria e Financave. Edhe pse kishte rënë dakord me FMN-në të rriste 3 vite rresht akcizën e duhanit e cigares, ajo hoqi dorë për vitin e tretë, për 2016-n, me argumentin se po rritej kontrabanda.

Por evazioni e kontrabanda janë vetëm njëra anë e medaljes.

Që në muajt e parë të vitit, të dhënat e konsumit, kredisë dhe eksporteve tregonin për një ekonomi të plogësht e në përkeqësim.

Një rritje më e ulët u përmend për herë të parë në fund të shkurtit nga përfaqësuesi i FMN-së në vendin tonë, ndërsa më vonë edhe nga Guvernatori Gent Sejko. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Guvernatori dhe ministri i Financave, pohuan se eksportet tona po goditeshin nga çmimet e ulëta të karburanteve e metaleve, ndërsa ekonomia në tërësi do të prekej edhe nga kriza greke. Për këtë arsye, rritja ekonomike do të ishte 2.7%. Pak muaj më vonë, po në praninë e FMN-së, u fol për një rritje edhe më të ulët, me rreth 2.5%.

Në thelb, ndoshta një rritje 3 apo 2.5%, mund të mos përbëjë ndryshim të madh për xhepat tonë. Ekonomistët, mbrojnë idenë se një vend në zhvillim si Shqipëria, duhet të rritet të paktën 4% në vit, që qytetarët të ndiejnë përmirësimin e gjendjes së tyre financiare. Ulja e parashikimeve nuk është ndonjë habi, ndodhi edhe për ekonominë botërore këtë vit, kur në tetor u rishikua në ulje rritja globale. Por, qeveria shqiptare mund të parashikonte të paktën që eksportet nuk do të ecnin mirë këtë vit, pasi çmimet e mallrave që ne eksportojmë ranë që vitin e kaluar. Muaj pas muaji, eksportet vetëm sa u thelluan, duke shënuar në dhjetë muaj një ulje prej 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përveçse dërguam më pak mallra jashtë, edhe konsumi i brendshëm erdhi në ulje sipas shifrave zyrtare, duke futur gati në kolaps edhe ato pak ndërmarrje prodhuese që kemi. Për tremujorin e parë të vitit, konsumi ra 1.2%, sipas Institutit të Statistikave dhe u përkeqësua më tej në tremujorin e dytë, duke u tkurrur me 3.2%.

Banka e Shqipërisë në analizat e saj i vuri një emër kësaj ulje, duke thënë se në fillim të vitit, një pjesë e parave për konsum shkoi për të paguar faturat e prapambetura të energjisë. Por, surprizë për ekspertët e bankës ishte ulja e konsumit në mes të vitit. Disa tregues që ndikojnë në konsum ishin përmirësuar, por ndërkohë u rrit pasiguria. Në raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë, banka thekson se “shkaku kryesor i rënies së konsumit privat ishte rritja e pasigurisë”. Për këtë arsye, Guvernatori i tërhoqi vëmendjen qeverisë në një nga daljet e tij publike.

Për të rritur kredinë e konsumin, banka vijoi përpjekjet, duke ulur dy herë normën e interesit këtë vit. Me 1.75%, norma bazë e interesit për lekun, jo vetëm është në nivelet më të ulëta historike, por gati në kufijtë e së pamundurës. E gjithë kjo përpjekje nuk dha rezultat, duke treguar se duhet edhe dora e institucioneve të tjera për të gjallëruar ekonominë.

monitor 711.indd

Në fund të nëntëmujorit, stoku i kredisë jo vetëm që nuk u rrit, por ra 1.8% ose 10 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë

monitor 711.indd

 

Lufta ndaj informalitetit e raporti me FMN…

Të ardhurat e ulëta në buxhet filluan të tensionojnë marrëdhënien mes qeverisë dhe FMN-së. Grupi i Misionit në qershor u largua pa nënshkruar rishikimin e pestë të marrëveshjes, duke bllokuar këstin prej 25 milionë eurosh.

E gjendur mes presionit të FMN-së nga njëra anë për të rritur të ardhurat dhe presionit të qytetarëve e biznesit për të mos rritur taksat nga ana tjetër, qeveria vendosi të fillojë në shtator luftën ndaj informalitetit. U quajt një operacion, ai që do të angazhonte krahas tatimorëve, inspektorë të Inspektoratit të Punës e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Por edhe 400 tatimorë të rinj.

Aksionet që filluan në shtator u kritikuan ashpër nga ekonomistë të djathtë e të majtë. Duke nënvizuar se ishin pro luftës së informalitetit, të gjithë kritikuan mënyrën si po bëhej aksioni dhe kohën e zgjedhur për ta bërë këtë. Ekonomistët Arben Malaj, Adrian Civici, Zef Preçi e shumë të tjerë përsëritën disa herë se aksioni nuk duhej të fillonte nga më të vegjlit, e për më tepër në një moment të vështirë për ekonominë tonë. Bizneset e vogla, sipas tyre, janë një amortizator social në kohë krize, që ndërsa nuk sjellin të ardhura në buxhet sigurojnë një burim të ardhurash për familjet e tyre.

Me kalimin e ditëve, aksioni filloi të zbehet, me të ardhura, që jo vetëm nuk u rritën 30% aq sa mendohet të jetë informaliteti, por nuk u arrit as objektivi në buxhet.

E ndërsa qeveria vendosi të forcojë dënimet e gjobat për shkeljet e biznesit, deri në burgim, shqetësimi i grupeve të interesit u rrit edhe më tej, nëse sipërmarrja pas rritjes së taksave do të mund të përballonte edhe këtë terapi të qeverisë.

Ndërkohë sipërmarrje të mëdha formale po vuanin sëmundjen botërore të çmimeve të ulëta, sa në shtator kompania e bakrit Beralb pezulloi aktivitetin, duke çuar në shtëpi mbi 300 të punësuar.

E në të njëjtën kohë kur ambulantët nxituan të regjistrojnë biznesin, sipërmarrjet e mëdha larguan nga puna, në më pak se dy muaj, 73 mijë të punësuar. Një shifër alarmante kjo sipas drejtoreshës së Tatimeve, në komunikim me vartësit e saj. Tendenca u konfirmua më pas, kur Anketa e Forcave të Punës e INSTAT konfirmoi një rritje të papunësisë në tremuorin e tretë, të udhëhequr nga femrat.

Kjo po bënte më të dukshme, rrezikun që aksioni antiinformalitet po kthehej në autogol për qeverinë, dhe në vend të rritjes së të ardhurave po gjunjëzonte më tej ekonominë e të ardhurat. Por, edhe pse faktet janë kokëforta, i pyetur mbi rrezikun se antiiformaliteti do të ulë konsumin, ashtu si edhe aksioni i energjisë, ministri i Financave u shpreh optimist në një konferencë për shtyp. Sipas tij, aksioni nuk do të prekte konsumin, ashtu si edhe aksioni i energjisë nuk e uli atë.

Sa dhe si ndikoi lufta ndaj informalitetit, zyrtarisht do të mësohet pas pak muajsh, por që qeveria punoi qorrazi për ekonominë e vendit këtë vit, kjo është e sigurt.

Në mes të “lojës” antiiformalitet, ajo vendos të ndryshojë tërësisht rregullat, duke lënë gojëhapur edhe kritikët më të mëdhenj të saj. Vendosi të ulë taksat për biznesin e vogël e të ndryshojë fashën. Me këtë hap, jo vetëm çoroditi sipërmarrjet e vogla, por po vë në pikëpyetje mbarëvajtjen e ekonomisë, pasi një e treta e bizneseve të mëdha kanë në plan të copëzojnë aktivitetin për të përfituar nga lehtësitë, duke paralajmëruar informalitet edhe më të lartë se ai aktual. Edhe loja me koncesionet, të vjetra apo të reja qofshin, nuk ka rregulla të qarta. Këto, bashkë me raportin e fundit “Të bësh biznes” të Bankës Botërore flasin për një klimë të përkeqësuar biznesi. Në vetëm një vit, renditja e Shqipërisë për klimën e biznesit zbriti 40 vende.

Rigjallërimi i emigracionit ishte një tjetër fenomen që u rikthye fuqishëm në 2015-n. Skenat e mijëra shqiptarëve, madje dhe familjve të tëra, që braktisën vendin dhe kërkuan azil në Europë, ishin të zakonshme, sidomos në pjesën e parë të vitit. Në maj, vetëm në Gjermani numri i kërkesave për azil në Shqipëri arriti në 600 në ditë. Zhgënjyese kjo për një vend që ka marrë statusin kandidat dhe një tregues direkt i humbjes së shpresës së shumëkujt që pas 25 viteve tranzicion priste të qeverisej më me përgjegjësi.

 

Konflikti me Bankers

Klima e përkeqësuar e biznesit kulmoi në raportin qeveria-Bankers, kur kësaj të fundit iu bllokuan llogaritë pavarësisht se Gjykata e Arbitrazhit i dha të drejtë kompanisë. Sipërmarrja më e madhe në vend u “thye” në fund, pasi një ndërprerje e aktivitetit do të rrezikonte rivënien në punë të puseve në fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë. Pasoja u ndien në ekonomi në nëntor, kur eksportet përkeqësuan ritme rënëse, duke u reduktuar me 4.7%. http://www.monitor.al/efekti-bankers-11-mujori-thellohet-renia-e-eksporteve-tkurren-4-7/

 

/Monitor/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0