Krijimtaria njerëzore në epokën e AI-së: Kush fiton dhe kush humbet? - Business Magazine Albania

Krijimtaria njerëzore në epokën e AI-së: Kush fiton dhe kush humbet?

Nga Mariana Mazzucato dhe Fausto Gernone* – Modelet gjenerative të inteligjencës artificiale janë ndërtuar mbi punën kolektive të mijëra njerëzve. Pas çdo përgjigjeje të prodhuar nga AI qëndron një forcë punëtore e madhe dhe e padukshme; shkrimtarë, këngëtarë, gazetarë, poetë, programues, ilustratorë, fotografë dhe kineastë, krijimet e të cilëve janë përdorur pa leje dhe pa shpërblim. Këta krijues nuk janë takuar kurrë me gjigandët e Silicon Valley që po përfitojnë nga puna e tyre, e aq më pak t’u kenë dërguar ndonjë faturë.

Nuk është çudi që shumë prej tyre po ngrejnë zërin dhe po kërkojnë reforma domethënëse. Në tetor të vitit 2024, mbi 10.000 aktorë, muzikantë dhe autorë nënshkruan një deklaratë publike duke paralajmëruar se përdorimi i paautorizuar i veprave të tyre për të trajnuar AI gjenerues përbën një “kërcënim të madh dhe të padrejtë” për të ardhurat e tyre dhe duke kërkuar që kjo të ndalohet. Brenda pak muajsh, numri i firmëtarëve arriti në 50.000.Në vend që të forcojmë mbrojtjen e të drejtave të autorit, siç propozohet shpesh, ne duhet ta trajtojmë njohurinë krijuese si një e mirë publike dhe të financojmë prodhimin e saj në mënyrë kolektive. Ashtu si rrugët, vaksinat apo transmetimet publike, ajo duhet të jetë e qasshme për të gjithë dhe e paguar nga të gjithë.

Ekonomia e këtij fenomeni është tashmë e njohur. Informacioni shpesh funksionon si një e mirë publike: është e vështirë të përjashtosh dikë nga qasja në të, ndërkohë që kostoja e kopjimit është afërsisht zero.  Duke qenë se shpërndarja digjitale është edhe më e vështirë për t’u kontrolluar sesa media tradicionale, informacioni online është edhe më shumë një e mirë publike.

Aftësia e modeleve të inteligjencës artificiale si ChatGPT qëndron në sintetizimin e sasisë së madhe të të dhënave për të prodhuar përgjigje koherente dhe bindëse. Për këtë arsye, kompanitë e AI-së “gërryejnë” të gjitha të dhënat që mund të gjejnë, pjesa më e madhe prej tyre nga domeni publik. Meqë ky përmbajtje është shpesh lirshëm i aksesueshëm online, parandalimi i mbledhjes së tij është jashtëzakonisht i vështirë. Disa raporte madje sugjerojnë se modelet më të mëdha të AI-së kanë konsumuar tashmë pothuajse gjithë informacionin publikisht të disponueshëm në internet.

Natyra e errët dhe e padepërtueshme e këtyre modeleve e bën thuajse të pamundur gjurmimin e daljes së tyre në burimet e sakta hyrëse, duke vështirësuar zbatimin e ligjeve të të drejtave të autorit. Por edhe kur shkeljet janë të qarta, qeveritë ngurrojnë të ndërhyjnë nga frika se kjo mund të frenojë inovacionin; mëkat i madh në kapitalizmin bashkëkohor.

Problemi përkeqësohet më tej nga fakti se përmbajtjet e krijuara nga AI konkurrojnë drejtpërdrejt me autorët origjinalë të cilët i kanë ushqyer këto modele. Disa media lokale tashmë kanë pushuar gazetarë pas adoptimit të sistemeve automatike të gjenerimit të lajmeve. Bankat e imazheve po përmbyten nga grafikë të krijuar nga AI, dhe kompanitë e softuerëve po mbështeten gjithnjë e më shumë te mjete si GitHub Copilot për të prodhuar kod standard, duke reduktuar kështu kërkesën për zhvillues të rinj.

Lexo edhe: E thotë shkenca, shpresë e re për personat që vuajnë nga astma dhe ekzemat

Reagimet nuk kanë munguar. “New York Times” po padit OpenAI për përdorimin e arkivave të saj; autorë të njohur, të udhëhequr nga Guild-i i Autorëve, kanë ndërmarrë një padi kolektive duke pretenduar se OpenAI ka shkelur të drejtat e tyre të autorit; ndërkohë që Disney dhe Universal po ndjekin ligjërisht Midjourney për pirateri të imazheve. Po kështu, tre shtëpitë më të mëdha diskografike në botë Sony, Universal dhe Warner Music kanë çuar në gjykatë platformat muzikore me AI Suno dhe Udio, duke i akuzuar për kopjimin e tërë katalogëve të tyre.

Ky zemërim është i kuptueshëm. Në emër të inovacionit, qeveritë po injektojnë gjithnjë e më shumë fonde në zhvillimin e AI-së – shpesh përmes kontratave të errëta dhe pa kushte të qarta – ndërkohë që modelet e gjuhës së madhe (LLM) përfitojnë nga puna krijuese e papaguar. Pesha që krijon kjo nuk është vetëm ekonomike, por edhe mjedisore: qendrat e të dhënave që fuqizojnë sistemet e AI-së konsumojnë sasi marramendëse energjie dhe uji, duke ushtruar presion të shtuar mbi infrastrukturën publike.

Ndërsa sektori i AI-së vazhdon të zgjerohet me ritme galopante, kërkesat për drejtësi pritet të shtohen. McKinsey vlerëson se AI gjeneruese mund të kontribuojë deri në 4.4 trilionë dollarë në vit në ekonominë globale. Vetëm OpenAI pritet të gjenerojë mbi 12.7 miliardë dollarë të ardhura këtë vit, ndonëse ende nuk është fitimprurëse.

Në të njëjtën kohë, gazetarët, ilustratorët dhe muzikantët që ushqejnë këto modele, përballen me tarifa gjithnjë e më të ulëta dhe buxhete në tkurrje. Për shembull, Endowment-i Kombëtar për Artet në SHBA do të marrë vetëm 210 milionë dollarë financim për vitin fiskal 2025 – rreth 0.003% e buxhetit federal.

AI po gllabëron të përbashkëtën

Ka dy rrugë për të përballuar këtë situatë: ose të “rregullohet” tregu ekzistues, ose të ndërtohet një alternativë e orientuar nga publiku. Opsioni i parë kërkon që qeveritë të forcojnë muret digjitale, të fuqizojnë rregullat e pronësisë intelektuale dhe të rrisin zbatimin e ligjeve të të drejtave të autorit. Sipas këtij argumenti, të drejtat më të forta do ta bënin përmbajtjen krijuese një të mirë më private, do të frenonin përfitimin pa pagesë dhe do të ridrejtonin burime drejt krijuesve përmes honorarëve.

Disa platforma dhe botues e kanë ndjekur këtë rrugë për të monetizuar qasjen. Reddit, për shembull, ka licencuar arkivat e veta të komenteve për Google, ndërsa “Guardian”, “Associated Press” dhe Shutterstock kanë arritur marrëveshje me OpenAI, duke lejuar trajnim të modeleve mbi përmbajtjen e tyre.

Por në shumicën e rasteve, entitetet që licencojnë të dhënat nuk janë krijuesit origjinalë, dhe ata shpesh mbajnë pushtet të pabarabartë ndaj këtyre të fundit. Muzikantët në Spotify dhe krijuesit e videove në YouTube e ilustrojnë qartë këtë problem: edhe kur platforma paguan, vetëm një pjesë e vogël e të ardhurave u kalon artistëve.

Lexo edhe: AI kundër vetes, si po përpiqet teknologjia të ndalojë valën e “deepfake”

Konkurenca reale në sektorin e sotëm të AI-së nuk ka të bëjë me përmirësimin e shërbimeve. Bëhet fjalë për kapjen e vëmendjes së përdoruesit përmes manipulimit algoritmik dhe për nxjerrjen e asaj që autorët e quajnë “qira për vëmendjejen algoritmike” – një taksë e paguar jo në para, por në burime njohëse. Forcimi i të drejtave të autorit rrezikon të krijojë një “feudalizëm digjital”, ku platforma të mëdha rrethojnë pjesë të mëdha të përmbajtjes online, duke nxjerrë vlerë nga krijuesit realë.

Për më tepër, aplikimi i këtij modeli licencimi për gjithë universin e materialeve që shërbejnë si burim për modelet LLM është praktikisht i pamundur. Tregjet funksionojnë vetëm kur kostot e transaksionit janë të ulëta krahasuar me vlerën e shkëmbimit. Por kur mbajtësit potencialë të të drejtave përfshijnë miliona shkrimtarë, fotografë, programues dhe amatorë të shpërndarë, kostot e transaksionit bëhen kolosale.

Edhe më keq, vendosja e barrierave të tilla do të frenonte inovacionin dhe do të margjinalizonte firmat e vogla, studentët dhe krijuesit e pavarur. Rezultati do të ishte një peizazh intelektual i mbyllur, që pasuron një pakicë të privilegjuar dhe varfëron krijimtarinë që pretendon se mbron.

Por tregjet janë vetëm një mënyrë për të shpërndarë burime, dhe herë pas here ato dështojnë. Në raste kur përjashtimi është i vështirë ose kostot janë shumë të larta, mekanizma alternativë jo vetëm që janë të justifikueshëm, por edhe të domosdoshëm.

Alternativa publike

Në vend që të ngjisim copa mbi një treg të papërshtatshëm për të mirat publike, qeveritë duhet të mbështesin në mënyrë aktive pasurinë kulturore përmes inovacionit të orientuar nga interesat publike. Ashtu si taksat financojnë ndriçimin rrugor, sigurinë apo kërkimin shkencor, prodhimi i përmbajtjes krijuese në epokën e AI-së duhet të mbështetet publikisht dhe të mbetet në domenin publik. Shteti duhet të bëhet sipërmarrës.

Ky koncept nuk është i ri. Tarifa e licencës së BBC-së, Qendra Kombëtare për Kinemanë në Francë apo kreditë tatimore për prodhimet filmike në SHBA kanë mbështetur suksese të mëdha globale, nga dokumentari “Blue Planet II” i BBC – i ndjekur nga 80 milionë njerëz në Kinë dhe që thuhet se ngadalësoi përkohësisht internetin e vendit – te seriali i animuar “Bluey”, që u bë programi më i transmetuar në SHBA në vitin 2024.

Modeli publik gjeneron vlera të mëdha: ofron stabilitet financiar për krijuesit, nxit inovacion që i shërben qytetarëve e jo reklamuesve, dhe krijon hapësirë për rrezikim artistik dhe eksperimentim. Gjithashtu, ruan trashëgiminë kulturore të përbashkët, duke pasuruar edukimin, forcuar lidhjet sociale dhe gjallëruar debatin demokratik – gjëra që modelet tregtare rrallë e bëjnë. Ky parim vlen për të gjitha format e artit, mediave dhe shprehjes krijuese.

Meqë modelet e AI-së trajnohen mbi përmbajtje të krijuar nga njerëz, vlera e artit merr përmasa të reja. Duke rritur vëllimin dhe larmishmërinë e prodhimit krijues, këto teknologji amplifikojnë ndikimin e krijimtarisë njerëzore. Mund të thuhet se AI e ka rritur shumëzuesin e artit: çdo dollar i investuar në arte sjell jo vetëm përfitimet e zakonshme sociale, por edhe vlera shtesë përmes përdorimit në AI.

Megjithatë, financimi publik për artistët dhe krijuesit ka rënë. Në Britani, për shembull, mbështetja direkte nga Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport ra me 18% për frymë në terma realë ndërmjet viteve 2009–10 dhe 2022–23. Në të njëjtën periudhë, financimi bazë për këshillat artistike ra me 18% në Angli, 22% në Skoci, 25% në Uells dhe 66% në Irlandën e Veriut. Ndërkohë që AI vijon të prodhojë përmbajtje sintetike dhe të zëvendësojë punën njerëzore, kjo mbështetje duhet të rritet për të reflektuar realitetin e ri të ekonomisë krijuese.

Sigurisht, në kohë krizash financiare dhe borxhi të lartë, çdo shpenzim shtesë duhet të financohet me përgjegjësi. Një plan i detajuar politik mund të jetë jashtë fushës së këtij artikulli, por është me vend të theksohet se fitimet kolosale të firmave të mëdha teknologjike mund të ridrejtohen pjesërisht për të mbështetur komunitetet krijuese që ushqejnë modelet e tyre.

Një mënyrë për ta arritur këtë është përmes një takse mbi të ardhurat bruto të ofruesve më të mëdhenj të AI-së, e mbledhur nga një agjenci kombëtare ose ndërkombëtare. Me rritjen e përfshirjes së teknologjisë në jetën e përditshme dhe proceset e prodhimit, të ardhurat e kompanive të AI-së do të shtohen dhe po ashtu kontributet në këtë fond. Këto fonde mund të shpërndahen nga këshilla të pavarura grantesh me cikle shumëvjeçare, duke garantuar mbështetje për fusha dhe rajone të ndryshme.

Një mekanizëm i tillë do të krijonte nxitje të përbashkëta për të gjithë: zhvilluesit do të ruanin aksesin e lirë në njohuritë publike, pa ndërlikime ligjore të licencimit mikro; krijuesit do të përfitonin nga një burim të ardhurash të qëndrueshme, të shkëputur nga tregjet e reklamave dhe algoritmet e platformave; ndërsa publiku do të përfitonte nga një trashëgimi kulturore në rritje dhe qasje e hapur ndaj kulturës – të gjitha të ushqyera nga investimi kolektiv.

Sa herë që i kërkojmë ChatGPT të shkruajë një fjalim apo të redaktojë një email, ne jemi në heshtje duke përfituar nga puna e miliona njerëzve. Në këtë kuptim, prodhimi kulturor tashmë është kthyer në një kooperativë planetare; përditësimi i modelit të financimit për të reflektuar këtë realitet është prej kohësh i vonuar. Siç vuri në dukje së fundmi CEO i OpenAI, Sam Altman, epoka e AI-së kërkon një “përputhje” të gjerë shoqërore: një rishkrim të kontratës sociale për të adresuar disbalancat që krijojnë teknologjitë e reja. Kjo përputhje mund të ndodhë përmes politikave të menduara mirë ose përmes krizash dhe trazirash. Por sido që të jetë, ajo po afrohet.

 

*Mariana Mazzucato është profesore e Ekonomisë së Inovacionit dhe Vlerës Publike në University College London dhe autore, së fundmi, e librit ”Mashtrimi i Madh: Si Industria e Konsulencës Dëmton Bizneset, Infantilizon Qeveritë dhe Shtrembëron Ekonomitë Tona” (Penguin Press, 2023).
*Fausto Gernone është doktorant në Institutin për Inovacion dhe Qëllim Publik në UCL.

E drejta e autorit: Project Syndicate, 2025/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0