Kosova përshpejton ligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbështetje NVM-ve dhe projekteve kreative - Business Magazine Albania

Kosova përshpejton ligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbështetje NVM-ve dhe projekteve kreative

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Në një postim në Facebook, ajo thekson se miratimi i ligjit në Kuvendin e Republikës hap rrugën për krijimin e Fondit për Inovacion.

Ky është një hap i rëndësishëm në kuadër të reformave që burojnë nga Plani i Rritjes me BE-në. Në ditët në vijim do të organizohet një forum diskutimi me aktorë kyç, për të adresuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me projektligjin,” ka shkruar Kusari-Lila.

Ministrja shton se politikat që synojnë ndërmarrjet e reja dhe ato ekzistuese, si dhe zhvillimin e inovacionit dhe kreativitetit, do të ofrojnë mbështetje më të madhe për inovacionin, ndërmarrësinë dhe ekonominë kreative.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është ura lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat. Angazhimi ynë është që politikat pro-biznes të mos mbesin vetëm në letër, por të përkthehen në masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike. Në këtë kuadër, kemi nisur takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave,” ka shkruar ajo.

Ministrja gjithashtu ka takuar përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ku u fokusua në adresimin e barrierave për bizneset, rritjen e prodhimit vendor dhe avancimin e konkurrueshmërisë.

Po çfarë pritet të përmbajë ligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi 

Hartimi i kornizës ligjore për Inovacion dhe Ndërmarrësi synon të krijojë mundësi të reja për përfshirjen dhe avancimin e grave dhe të rinjve në biznes, duke mbështetur idetë e tyre inovative përmes Fondit të Inovacionit, i cili do të themelohet si një entitet i ri brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ky fond do të sigurojë mbështetje financiare për individët dhe ndërmarrjet inovative, duke u furnizuar nga buxheti i shtetit, organizatat financiare ndërkombëtare, programet për inovacion, investitorët privatë dhe kredi të buta, si dhe nga burime të tjera të përcaktuara ligjërisht. Personat fizikë ose juridikë që kanë themeluar ose synojnë të krijojnë një biznes të bazuar në ide inovative do të kenë akses në grante shtetërore për zhvillimin e biznesit dhe vetëpunësim. Përmes kësaj rregullative, do të ofrohen gjithashtu programe mbështetëse për digjitalizim, asistencë teknike, ngritje kapacitetesh në ndërmarrësi, si dhe infrastrukturë dhe shërbime për inovacion, përfshirë inkubatorë biznesi dhe qendra inovacioni, me qëllim nxitjen e zhvillimit të projekteve dhe ideve kreative në vend.

Sfidat e inovacionit dhe sipërmarrjes në Kosovë

Gjendja e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë është përballur me sfida të shumta, duke filluar nga një kornizë ligjore e paplotësuar dhe mungesa e agjencive të specializuara për zbatimin operativ të politikave. Draft-ligji i ri për Inovacion dhe Ndërmarrësi   përfshin sektorë prioritarë si teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, mjekësia, energjia e rinovueshme, turizmi, kultura dhe industria kreative, duke ofruar fleksibilitet për të përfshirë edhe sektorë të tjerë. Ligji synon gjithashtu të fuqizojë NVM-të dhe sektorin privat për të investuar në projekte inovative, duke ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm dhe të integruar për kërkim dhe zhvillim.

Aktualisht investimet publike në Kërkim dhe Inovacion në Kosovë mbeten shumë nën nivelin e kërkuar nga ligji, i cili parashikon që 0.7% e buxhetit të përgjithshëm të dedikohet për këtë sektor. Për vitin 2023, vetëm 0.32% e buxhetit është alokuar, duke u rritur gradualisht në 0.56% në 2025, që mbetet larg objektivit ligjor. Për periudhën 2023-2028, fondi i parashikuar për PKSH është rreth 87 milionë euro, mesatarisht 14.5 milionë euro në vit, duke mos garantuar përmbushjen e nevojave strategjike të K&I. BusinessMag/

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0