Aksionet e Puma-s u rritën me mbi 14% të enjten në mëngjes, pasi Bloomberg raportoi se kompania kineze Anta Sports po shqyrton një ofertë për blerjen e markës gjermane të veshjeve sportive. Sipas raportimit, Anta, e listuar në Hong Kong, ka punuar me një këshilltar financiar për të vlerësuar një ofertë të mundshme dhe mund të bashkëpunojë me një fond kapitali privat nëse vendos të ecë përpara. Bloomberg shtoi se ofertues të tjerë të mundshëm mund të përfshijnë grupin tjetër kinez të veshjeve sportive Li Ning, i cili raportohet se ka diskutuar opsione financimi me bankat, ose kompani japoneze si Asics.
Në një deklaratë me email, një zëdhënës i Li Ning tha se kompania mbetet e përkushtuar ndaj strategjisë së saj kryesore “Single Brand, Multi-categories, Diversified Channels”, duke shtuar se “deri tani, kompania nuk është angazhuar në negociata apo vlerësime substanciale në lidhje me transaksionin e përmendur në media”.
Interesi për blerjen vjen në një periudhë të vështirë financiare për Puma-n, e cila në fillim të vitit 2025 punësonte rreth 20.000 punonjës me kohë të plotë. Marka gjermane ka humbur mbi tre të katërtat e vlerës së saj në treg gjatë pesë viteve të fundit, teksa përpiqet të ruajë pozicionin në një treg gjithnjë e më konkurrues.
Tarifat amerikane ndaj Kinës dhe Vietnamit; dy prej bazave të saj kryesore të prodhimit kanë krijuar pasiguri dhe kanë ngushtuar marzhet e fitimit. Analistët kanë kritikuar gjithashtu prapambetjen e Puma-s në trendin e atleteve retro, duke nxjerrë në pah modelet Palermo dhe Speedcat vetëm pasi Adidas kishte fituar terren me Samba dhe Gazelle.
“Në mes të pasigurive gjeopolitike dhe makroekonomike, Puma pret që sfidat sektoriale dhe ato specifike të kompanisë të ndikojnë ndjeshëm në performancën e pjesës së mbetur të vitit 2025,” u citua kompania në raportin e të ardhurave të tremujorit të tretë. “Ndikimi i tarifave amerikane, ritmi i ulët i markës, ndryshimet në kanalet e shitjes dhe nivelet e larta të inventarit mbeten faktorë kyç.”
CEO i kompanisë, Arthur Hoeld, i emëruar këtë pranverë për të drejtuar një fazë transformimi, synon të rikthejë rritjen deri në vitin 2027. Në tetor, kompania njoftoi 900 shkurtime të reja, pas 500 largimeve të raportuara më herët gjatë vitit. Përveç ngushtimit të gamës së produkteve, Hoeld po përpiqet të ndryshojë strategjinë e shitjeve me shumicë, duke rritur shitjet direkte te konsumatorët dhe duke ulur varësinë nga shitësit me zbritje.
Megjithatë, një pengesë e madhe për çdo blerje të mundshme mund të vijë nga familja miliardere franceze Pinault. Përmes kompanisë së saj Artémis, familja zotëron rreth 29% të Puma-s, një paketë e blerë nga Kering në vitin 2018. Në fillim të këtij viti, Artémis bëri të ditur se po shqyrtonte të gjitha opsionet për pjesën e saj në kompani.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto