Kina godet BE-në me tarifa deri në 42,7% për importet e produkteve të qumështit - Business Magazine Albania

Kina godet BE-në me tarifa deri në 42,7% për importet e produkteve të qumështit

Pekini do të vendosë tarifa deri në 42,7% ndaj produkteve të qumështit të importuara nga Bashkimi Europian, duke përshkallëzuar një përplasje tregtare “sy për sy” që nisi pasi BE-ja ndërmori veprime kundër subvencioneve kineze për automjetet elektrike.

Kina do të aplikojë tarifa provizore deri në 42,7% për produkte të qumështit, përfshirë qumështin dhe djathin, të importuara nga Bashkimi Europian, njoftoi të hënën Ministria kineze e Tregtisë.

Tarifat e shtuara, të cilat hyjnë në fuqi të martën, bazohen në rezultatet paraprake të një hetimi të hapur nga Ministria e Tregtisë e Kinës, në një moment kur tensionet mes Pekinit dhe Brukselit janë rritur ndjeshëm.

Pekini rishikoi subvencionet e ofruara nga vendet e BE-së për produktet e qumështit dhe produkte të tjera bujqësore, si një masë kundërpërgjigjeje, pasi Brukseli hetoi subvencionet kineze për automjetet elektrike dhe më pas vendosi tarifa deri në 45,3% për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë.

A po ulin subvencionet e BE-së çmimet e produkteve kineze të qumështit?

Vendimi i Kinës për të aplikuar norma të diferencuara tarifore bazohet në kuadrin e saj të hetimeve për masa mbrojtëse tregtare, i cili pasqyron praktikat e përdorura edhe nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe ekonomi të tjera të mëdha.

Autoritetet kineze po hetonin nëse prodhuesit europianë të qumështit kanë përfituar nga subvencione shtetërore që kanë dëmtuar industrinë vendase kineze të qumështit, konkretisht nëse këto subvencione u kanë mundësuar eksportuesve europianë të shesin produktet e tyre në Kinë me çmime më të ulëta se ato të prodhuesve vendas.

Ministria kineze e Tregtisë hapi në gusht 2024 një hetim antisubvencion ndaj importeve të produkteve të qumështit nga BE-ja, përfshirë qumështin, djathin dhe ajkën.

Hetimi shqyrtoi mbështetjen financiare në kuadër të Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së, si edhe subvencione shtesë nga shtete të veçanta anëtare, përfshirë pagesa direkte, mbështetje çmimesh dhe ndihma të tjera për fermerët.

Autoritetet kineze vlerësuan nëse këto subvencione shkaktuan “dëm material” për sektorin kinez të qumështit, duke ulur çmimet, rritur pjesën e tregut të BE-së ose duke shtypur fitueshmërinë e prodhuesve vendas.

Bazuar në gjetjet paraprake, Pekini arriti në përfundimin se subvencionet e BE-së kishin shtrembëruar konkurrencën në tregun kinez, duke e shtyrë të vendosë tarifa kundërbalancuese provizore, me norma më të larta për kompanitë që nuk bashkëpunuan me hetimin.

Bashkëpuno me hetimin ose përballu me tarifat

Sipas këtyre rregullave, kompanitë që bashkëpunojnë me hetimin, duke dorëzuar të dhëna të detajuara për kostot, duke iu përgjigjur pyetësorëve dhe duke lejuar verifikime, zakonisht përfitojnë tarifa më të ulëta. Ndërsa firmat që refuzojnë të bashkëpunojnë ose ofrojnë informacion të paplotë, goditen me normat më të larta ndëshkuese.

Në këtë rast, Ministria kineze e Tregtisë njoftoi se prodhuesit europianë të qumështit që bashkëpunuan u caktua një tarifë prej 28,6%, që sipas autoriteteve pasqyron nivelin e verifikuar të subvencionimit dhe dëmit.

Lexo edhe: SHBA kërcënon kompanitë europiane me tarifa, Europa nuk bindet

Kompanitë që nuk bashkëpunuan iu nënshtruan normës maksimale prej 42,7%, një penalitet standard i projektuar për të dekurajuar mungesën e bashkëpunimit dhe për të parandaluar përfitimin nga mungesa e transparencës.

Sisteme të tilla tarifash të shkallëzuara janë të zakonshme në rastet e antisubvencionimit dhe antidumpingut, por shpesh kritikohen nga partnerët tregtarë si shtrënguese, veçanërisht kur hetimet nisin në mes të përplasjeve më të gjera politike ose tregtare, siç është rasti i përplasjes BE–Kinë për automjetet elektrike.

Kina kishte nisur edhe hetime të tjera ndaj importeve europiane të rakisë dhe mishit të derrit, si kundërmasa ndaj tarifave të BE-së për automjetet elektrike kineze. Javën e kaluar, Pekini njoftoi vendosjen e tarifave deri në 19,8% për importet e mishit të derrit nga BE-ja, dukshëm më të ulëta se tarifat paraprake deri në 62,4%.

Autoritetet kineze akuzuan BE-në për dumping të mishit të derrit dhe nënprodukteve të tij, duke i shitur ato me çmime të ulëta që, sipas tyre, dëmtojnë industrinë vendase kineze të mishit të derrit.

Tarifa “sy për sy”

Komisioni Europian, që menaxhon bisedimet dhe çështjet tregtare në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së, shprehu shqetësim për këto tarifa.

“Vlerësimi i Komisionit është se hetimi bazohet në pretendime të dyshimta dhe prova të pamjaftueshme, dhe se masat janë për rrjedhojë të pajustifikuara dhe të panevojshme”, deklaroi zëdhënësi Olof Gill.

Gill u tha gazetarëve se Komisioni po shqyrton arsyetimin pas këtij vendimi dhe synon t’u paraqesë komente autoriteteve kineze.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe BE-së mbeten të tensionuara, ndërsa suficiti tregtar i Kinës me BE-në ka tërhequr vëmendje kohët e fundit. BE-ja ka një deficit të konsiderueshëm tregtar me Kinën, mbi 300 miliardë euro vitin e kaluar.

Në korrik, Pekini njoftoi gjithashtu tarifa deri në 34,9% për rakinë e importuar nga BE-ja, përfshirë konjakun nga Franca, ndonëse disa marka të mëdha përfituan përjashtime.

Gill theksoi se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira tregtare dhe investuese me Kinën.

“Por që kjo të ndodhë realisht, ekziston një listë çështjesh dhe shqetësimesh që Bashkimi Europian i ka ngritur prej muajsh, madje vitesh, dhe që kërkojmë që Kina t’i adresojë, për sa i përket mbikapacitetit, përdorimit të padrejtë të instrumenteve tregtare, deficitit tregtar dhe të tjera me radhë”, u shpreh ai.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0