Këto janë shtetet evropiane ku studentët e huaj gjejnë më shumë mundësi pune - Business Magazine Albania

Këto janë shtetet evropiane ku studentët e huaj gjejnë më shumë mundësi pune

Evropa prej kohësh mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për arsim cilësor dhe shkëmbim kulturor. Sipas të dhënave, rreth 1.76 milionë studentë ndërkombëtarë kanë zgjedhur Bashkimin Evropian për arsimin e lartë, duke përbërë 8.4% të gjithë trupës studentore.

Një nga pyetjet më të rëndësishme për ta është: a mund të punojnë ndërkohë që studiojnë? Përgjigjja është e shkurtër – po. Studentët e universiteteve ndërkombëtare mund të punojnë në 30 vende evropiane, përfshirë anëtarët e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë dhe Islandën, për sa kohë që janë të regjistruar në arsimin e lartë. Në disa vende nuk nevojitet fare leje pune, ndërsa në të tjera kërkohet vetëm për studentë nga jashtë BE-së/EEA.

“Vendimmarrja e studentëve ndërkombëtarë për të studiuar dhe punuar në Evropë ndikohet nga një ndërthurje e ndërlikuar faktorësh,” – shpjegon Tom Miessen, CEO i StudiesIn, për Euronews Business.

Ku kërkohet leje pune për studentët ndërkombëtarë?
Sipas një analize të StudiesIn.com mbi 30 destinacione studimi në Evropë:

14 vende nuk kërkojnë asnjë leje pune (p.sh. Mbretëria e Bashkuar, Franca, Irlanda, Suedia, Finlanda, Portugalia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Polonia, Sllovakia, Estonia, Letonia dhe Lituania). Këto vende janë veçanërisht tërheqëse për studentët që duan të fillojnë menjëherë punën pa burokraci shtesë.

Në Austri, Belgjikë, Danimarkë, Greqi dhe Itali, leja e punës kërkohet vetëm për studentët jashtë BE/EEA.

Në Çeki dhe Kroaci, studentët jashtë BE-së mund të përballen me procedura specifike për leje pune, sipas rastit.

8 vende e bëjnë të detyrueshme marrjen e lejes së punës për të gjithë studentët ndërkombëtarë: Spanja, Holanda, Sllovenia, Norvegjia, Malta, Luksemburgu, Islanda dhe Qiproja.

Kjo do të thotë se në pothuajse gjysmën e Evropës, studentët ndërkombëtarë nuk kanë nevojë për leje pune. Për studentët nga vendet e BE-së, kjo shifër arrin në 75%.

Sa orë mund të punojnë dhe sa mund të fitojnë studentët?
Në shumicën e vendeve evropiane, studentët ndërkombëtarë mund të punojnë deri në 20 orë në javë. Disa vende vendosin kufizime më të ulëta, si Luksemburgu (15 orë) dhe Holanda (16 orë). Shumë shtete lejojnë më shumë orë pune gjatë pushimeve verore apo ndërprerjeve akademike.

Paga mesatare orare varion nga €3.32 në Bullgari deri në €18 në Luksemburg dhe €17–19 në Islandë. Në gjysmën e vendeve të listuara, pagesat janë më pak se €8 për orë.

Paga më të ulëta: Hungaria (€4.19), Estonia (€4.30), Letonia (€4.47), Sllovakia (€4.69).

Paga më të larta: Norvegjia (€16.86), Danimarka (€14.74), Holanda (€14.40), Mbretëria e Bashkuar (€14.09).

Bazuar në kufirin maksimal të orëve të lejuara dhe pagat mesatare:

Studentët në Mbretërinë e Bashkuar mund të fitojnë deri në £977 (€1,127) në muaj.

Në Gjermani dhe Spanjë, rreth €1,111.

Në Francë, deri në €900.

Në Itali, mes €600 dhe €750.

Lexo edhe: Bllokim i pagesave me vlerë miliardëshe për shërbimin PayPal

Çfarë i udhëheq studentët në zgjedhjet e tyre?
Sipas Miessen, përveç cilësisë së universiteteve në vende si Britania, Gjermania dhe Holanda, faktorë të tjerë praktikë peshojnë shumë: mundësia për punë gjatë studimeve, politikat e imigracionit pas studimeve, kostoja e jetesës, gjuha e mësimit dhe siguria. Po ashtu, afërsia gjeografike dhe mjediset sociale gjithëpërfshirëse ndikojnë në atraktivitetin e një vendi.

Në thelb, studentët ndërkombëtarë vlerësojnë një balancë mes financave, karrierës dhe preferencave personale, duke e bërë procesin e zgjedhjes së vendit të studimit në Evropë një udhëtim të ndërlikuar dhe unik për secilin.

Sa studentë ndërkombëtarë ka në Evropë?
Sipas Eurostat, 8.4% e studentëve në arsimin e lartë jnaë ndërkombëtarë (2023).

Luksemburgu kryeson me diferencë të madhe: 52.3% e studentëve të tij janë nga jashtë.

Pas tij vijnë Malta (29.6%) dhe Qipro (22.3%).

Shifrat më të ulëta regjistrohen në Greqi (3.0%), Kroaci (3.7%) dhe Spanjë (4.3%).

Në terma absolutë, Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të lartë: në vitin akademik 2023/24, ishin 732,285 studentë ndërkombëtarë, që përbënin 23% të totalit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0