Jemi vendi më bujqësor në rajon, por më i prapambeturi në teknologjitë agrare - Business Magazine Albania

Jemi vendi më bujqësor në rajon, por më i prapambeturi në teknologjitë agrare

bujqesi

Shqipëria mbetet vendi më bujqësor në Ballkanin Perëndimor, por njëkohësisht më pak i përgatituri për tranzicionin drejt bujqësisë inteligjente.

Sipas raportit “Skilling up the Western Balkans Agri-Food Sector” të Fondacionit Europian për Trajnimet (ETF), të publikuar së fundmi, bujqësia përbën 16.3% të PBB-së së vendit tonë, më e larta në rajon dhe Europë, ndërsa rreth 35% e popullsisë është e punësuar në këtë sektor.

Megjithatë, ndikimi ekonomik i bujqësisë nuk po përkthehet në rritje teknologjike apo inovacion.

Raporti nënvizon se Shqipëria dhe Bosnja janë vendet ku agri-tech, teknologjitë e aplikuara në bujqësi, janë më pak të zhvilluara. Ndërsa në Serbi, Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi po shfaqen kompani që përdorin inteligjencë artificiale, dronë dhe censorë për menaxhimin e tokës, në Shqipëri këto shembuj mbeten sporadikë dhe shpesh të lidhur me projekte pilot ose nisma individuale të fermerëve novatore.Një nga pengesat kryesore, sipas ETF, është mospërputhja midis arsimit profesional dhe nevojave të tregut. Shkollat bujqësore shqiptare kanë programe të përqendruara ende në metodat tradicionale, me pak lidhje me teknologjinë, përpunimin ushqimor apo tregjet e eksportit. Mësuesit kanë mundësi të kufizuara për përditësim profesional, ndërsa bashkëpunimi me biznesin është shumë i rrallë.

ETF thekson nevojën për formim të integruar, që të kombinojë njohuritë bujqësore me aftësi digjitale, bioteknologji, menaxhim biznesi dhe qëndrueshmëri mjedisore. “Fuqia punëtore e ardhshme në sektorin agro-ushqimor duhet të jetë e pajisur me kompetenca të reja, nga analiza e të dhënave dhe përdorimi i pajisjeve inteligjente deri te njohuritë mbi standardet organike të BE-së,” thekson dokumenti.

Lexo edhe: Shqipëria që përparon në sytë e Suedisë, një partneritet që forcon demokracinë dhe ekonominë!

Në nën-sektorin e ushqimeve organike dhe funksionale, Shqipëria shihet me potencial të lartë, por me baza të dobëta. Vetëm 0.1 për qind e tokës bujqësore është e certifikuar organike, shumë më poshtë se mesatarja e BE-së prej 10 për qind. Megjithatë, interesi i rritur për prodhimet bio, bimët mjekësore dhe ushqimet tradicionale ofron një shans për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritjen e eksporteve, nëse shoqërohet me standarde, certifikim dhe aftësi menaxhimi.

Bashkimi Europian vitet e fundit ka rritur vëmendjen për sistemet ushqimore dhe sigurinë e tyre. Financimet për startup-et dhe inovacioni në bujqësi janë në rritje. Ndërkohë kërkesa për prodhime bio dhe organike, por zhvillimet teknologjike dhe aftësitë janë të domosdoshme për rritur përfitimet në këtë drejtim.

ETF rekomandon që Shqipëria të ndërmarrë tri masa kyçe:

Të krijojë një ekosistem bashkëpunimi mes arsimit, bizneseve dhe institucioneve publike për zhvillimin e aftësive teknologjike në bujqësi.
Të modernizojë kurrikulat e arsimit profesional dhe universitar, duke përfshirë module të reja mbi bujqësinë inteligjente, dixhitalizimin dhe ekonominë qarkulluese.
Të nxisë përfshirjen e fermerëve dhe agrobizneseve në trajnime dhe rikualifikime, përmes praktikave pune dhe skemave të mbështetura financiarisht.
Përfundimet e raportit janë të qarta: pa një strategji të qëndrueshme për zhvillimin e aftësive, Shqipëria rrezikon të mbetet prapa në procesin e afrimit me standardet e BE-së. Ndërsa vendet e tjera të rajonit po eksperimentojnë me teknologji të avancuara, Shqipëria duhet të investojë me urgjencë në arsim, trajnime dhe infrastrukturë dixhitale, për të kthyer bujqësinë nga një sektor tradicional në një industri moderne dhe konkurruese.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0