Pas largimit nga X (ish Twitter), ish-drejtuesja ekzekutive Linda Yaccarino do të marrë një tjetër rol drejtues të nivelit të lartë, këtë herë në sektorin e teknologjisë shëndetësore. Ajo është emëruar CEO e kompanisë eMed Population Health, një startup që zhvillon platforma teknologjike të mbështetura në inteligjencën artificiale për pacientët që përdorin medikamente të klasës GLP-1.
Yaccarino, e cila ka pasur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si ekzekutive e reklamave në NBCUniversal, kaloi dy vitet e fundit në krye të rrjetit social X, ku u përpoq të rregullonte modelin e të ardhurave nga reklamat, pavarësisht se ndante me Elon Musk një qasje të përbashkët për të minimizuar moderimin e përmbajtjes.
Edhe pse nuk ka përvojë të drejtpërdrejtë në teknologjinë shëndetësore, kompania eMed tha në një deklaratë për shtyp se e kishte kërkuar posaçërisht për shkak të “aftësisë së saj të pamohueshme për të negociuar partneritete të reja.” Nuk është për t’u habitur që fama e fituar gjatë drejtimit të X-it i jep tani vëmendje të shtuar kësaj kompanie të re në teknologji shëndetësore.
Lexo edhe: Tesla propozon t’i japë Elon Musk 29 miliardë dollarë që të mbetet CEO
Më herët, eMed kishte zhvilluar një platformë teknologjike të përdorur për testet e shpejta të COVID-19 në kushte shtëpie, duke i udhëzuar përdoruesit hap pas hapi në administrimin e saktë të testeve. Tani, fokusi i saj është zhvendosur te barnat GLP-1, si Ozempic, të cilat përdoren si për menaxhimin e peshës, ashtu edhe për trajtimin e diabetit të tipit 2.
“Në tregun aktual të kujdesit shëndetësor, për të qenë një lider i vërtetë, kompanitë duhet të kenë një guxim të paepur, që u mundëson jo vetëm të rriten, por edhe të kenë kurajën të dalin përpara dhe të ridimensionojnë të gjithë industrinë,” – u shpreh Yaccarino në një deklaratë për media.
“Sot jemi të pozicionuar më mirë se kurrë për të qenë ai lider këmbëngulës, që synon të përmirësojë rezultatet globale të kujdesit shëndetësor nëpërmjet platformave dhe shërbimeve tona novatore.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto