Investimi në shtëpi, Airbnb apo projekte vertikale, çfarë funksionon në 2026-ën? Rekomandimet e Fatjon Hysenbelliut - Business Magazine Albania

Investimi në shtëpi, Airbnb apo projekte vertikale, çfarë funksionon në 2026-ën? Rekomandimet e Fatjon Hysenbelliut

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Edhe në vitin 2026, investimi në pasuri të paluajtshme mbetet një nga opsionet më tërheqëse për shqiptarët dhe të huajt që kërkojnë të krijojnë siguri financiare apo të shfrytëzojnë potencialin e tregut. Interesi është i larmishëm: të rinj që kërkojnë shtëpinë e parë, familje që synojnë një shtëpi pushimesh, apo investitorë që shohin mundësi për qira afatshkurtra përmes platformave si Airbnb. Por sa e lehtë apo e vështirë është realizimi i këtyre planeve sot?

Viti 2026 duket se ka nisur me një qetësi në treg, pas periudhave të rritjes intensive. Tani ai duket më i matur, më i stabilizuar dhe gati për të mirëpritur investitorët me vizion afatgjatë. Nga Tirana, me zhvillimet e saj vertikale, deri te Riviera shqiptare, ku kërkesa për pasuri të paluajtshme është në rritje, mundësitë janë të shumta dhe të ndryshme.

Siç nënvizon eksperti i tregut, Fatjon Hysenbelliu nga Future Home, “momenti më i mirë për të hyrë në treg është sot”. Për investitorët që dinë të lexojnë sinjalet e tregut, kjo mund të jetë një mundësi për të ndërtuar kapital dhe për të përfituar nga stabiliteti i ri i pasurive të paluajtshme..

Si duket panorama e tregut të pasurive të paluajtshme në 2026-ën, po rritet, po stabilizohet apo ka shenja pasigurie?

Viti 2026 ka nisur ndryshe nga vitet e mëparshme. Pas një periudhe me rritje të vazhdueshme dhe dinamike, tregu aktualisht po lëviz në një fazë më të stabilizuar. Nuk kemi rënie, por një stanjacion të përkohshëm që reflekton maturimin e tregut.

Ky stabilitet nuk duhet interpretuar si dobësi. Përkundrazi, është një fazë konsolidimi pas disa viteve rritjeje intensive. Presim që tregu të rikthehet në trajektore rritjeje, por me një ritëm më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm.

Disa investitorë presin “flluskën”… A ka gjasa të ndodhë?

Në Shqipëri shpesh flitet për “flluska” apo rënie të mundshme çmimesh, por në një projeksion 5-vjeçar nuk shohim një skenar të tillë.

Kërkesa mbetet reale dhe e mbështetur nga diaspora shqiptare, investitorë europianë, rritja e turizmit dhe investimet infrastrukturore.

Momenti ideal për të investuar në vendin tonë është gjithmonë sot. Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një terren i kërkuar në Europë, me klimë të favorshme dhe çmime ende konkurruese.

Në tremujorin e parë të vitit shohim një kombinim të kredive bankare me një ritëm të stabilizuar tregu, një shenjë maturie, jo pasigurie.

Cilat zona në Shqipëri po ofrojnë aktualisht kthimin më të lartë të investimit?

Sot i gjithë vendi është në projeksion rritjeje, por mund ta ndajmë tregun në dy blloqe kryesore:

  • Tirana, me fokus në zhvillimet vertikale dhe zonat në zgjerim
  • Riviera shqiptare, me kërkesë në rritje nga vendas dhe të huaj

Koncepti vertikal i kullave në Tiranë po rezulton ndër segmentet më fitimprurëse për investitorët. Nga ana tjetër, bregdeti çdo vit ka projeksion rritjeje dhe kërkesë të lartë, sidomos nga investitorët e huaj.

A ka ende potencial rritjeje çmimi në Tiranë apo tregu ka hyrë në një fazë stabilizimi?

Tirana do të mbetet gjithmonë në trend rritës.

Kryeqyteti lakmohet si nga tregu vendas ashtu edhe nga investitorët e huaj që e shohin si një mundësi ideale për investime afatgjata. Stabiliteti i tregut mund të ketë frekuenca tremujore, por projeksionet afatgjata janë qartësisht në rritje.

Tirana është dhe do të mbetet lokomotiva e zhvillimit ekonomik të vendit.

Bregdeti shqiptar, investim i sigurt apo me element spekulativ?

Shpesh bregdeti shihet me skepticizëm, por nëse analizohet trendi i investimeve, tabloja është shumë pozitive.

Shteti po investon në porte jahtesh, aeroporte, infrastrukturë rrugore, shërbime shëndetësore.

Këto zhvillime po e transformojnë Rivierën në një destinacion strategjik afatgjatë. Investimet në bregdet janë afatgjata, por me marzh të lartë kthimi. Çdo ditë që kalon, hyrja në treg bëhet më e kushtueshme.

Cili është gabimi më i zakonshëm që bëjnë investitorët e rinj?

Gabimi më i shpeshtë është pritshmëria për kthim të menjëhershëm.

Shumë investitorë kërkojnë rezultat në “short term”. Kur kjo nuk ndodh brenda pak muajsh, krijohet panik dhe perceptimi se tregu nuk po rritet.

Tregu i pasurive të paluajtshme funksionon me cikle 2–3 vjeçare. Shqipëria është një vend në zhvillim dhe aktualisht po jeton pikërisht këtë fazë maturimi.

Sa ndikon turizmi në vlerën e pronave dhe a është ky efekt i qëndrueshëm?

Turizmi ndikon drejtpërdrejt si në kryeqytet ashtu edhe në bregdet.

Shqipëria po promovohet në të gjithë Europën si destinacion potencial me çmime konkurruese. Krahasimisht, kostot për turistët janë ende të favorshme, gjë që e mban vendin në fokus.

Në afatgjatë, kjo rrit vlerën e qirave, kërkesën për Airbnb dhe sigurinë e investimit. Efekti është i qëndrueshëm nëse zhvillimet infrastrukturore vijojnë me të njëjtin ritëm.

Për një investitor me buxhet 80–120 mijë euro, çfarë strategjie rekomandoni?

Për këtë nivel buxheti do të sugjeroja dy qasje kryesore, në varësi të profilit të riskut dhe objektivit financiar të investitorit.

  1. Strategjia blerje–shitje me projeksion 1-vjeçar

Në zona me zhvillim të shpejtë, sidomos aty ku ka investime infrastrukturore apo projekte të reja urbane, marzhi i rritjes mund të arrijë 15–20% brenda një cikli 12-mujor.

Kjo kërkon analizë të saktë të projektit dhe momentit të hyrjes në treg.

  1. Airbnb (qira afatshkurtër)

Airbnb ofron:

  • Fitim më të lartë krahasuar me qiranë mujore tradicionale
  • Potencial më të madh të ardhurash sezonale

Në cilat qytete rekomandoni investim në 2026-ën dhe pse?

Tre qytete kryesore për vitin 2026-ën janë:

  • Tirana
  • Durrësi
  • Vlora

Fokusi i investimeve strategjike shtetërore është i përqendruar pikërisht në këto zona. Ato janë ende në fazë zhvillimi dhe rritjeje çmimesh, çka krijon hapësirë për kapitalizim afatgjatë.

Çdo investitor duhet të ketë patjetër vëmendjen në këto qytete, sepse aty po përqendrohet ekonomia e vendit dhe investimet publike po rriten nga viti në vit. Kur shteti investon, tregu reagon.

Sipas jush cili kapital minimal do të konsiderohej i mjaftueshëm për të nisur një investim fillestar?

Në vitin 2026 mundësitë e investimit janë më fleksibël se kurrë më parë.

Sot ekzistojnë forma pagesash të strukturuara në ndërtime të reja, ku me një kapital fillestar prej 25,000–30,000 euro mund të hysh në treg përmes skemave me këste. Kjo i jep investitorit mundësinë të sigurojë një apartament dhe me kalimin e kohës ta ripozicionojë atë si investim fitimprurës. Mundësitë janë të shumta. Më e rëndësishmja është të kesh guxim, vizion dhe njohje të saktë të tregut dhe projeksioneve të tij.

Ky artikull është publikuar në numrin 41 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0