Huawei po fiton terren, a rrezikon SHBA të humbasë garën për inteligjencën artificiale? - Business Magazine Albania

Huawei po fiton terren, a rrezikon SHBA të humbasë garën për inteligjencën artificiale?

Perandoria e AI e Nvidia-s: Ja startupet ku ka investuar

CEO i Nvidia, Jensen Huang, ka paralajmëruar se Kina do të mbështetet gjithnjë e më shumë tek Huawei nëse Shtetet e Bashkuara vijojnë të kufizojnë aksesin në tregun aziatik dhe eksportin e gjysmëpërçuesve për inteligjencën artificiale. “Teknologjia jonë është një brez përpara asaj të Kinës,” u shpreh ai për CNBC gjatë konferencës VivaTech në Paris.

Por Huang shtoi se nëse SHBA heq dorë nga pjesëmarrja në tregun kinez, Huawei është më se i gatshëm ta zëvendësojë: “Nëse Amerika nuk do të marrë pjesë, Huawei e mbulon tregun kinez dhe më gjerë.”

Këto komente vijnë në një kohë kur SHBA ka vendosur kufizime të forta ndaj shitjes së çipave të avancuar për kompanitë kineze, duke nxitur Pekinin të zhvillojë ekosistemin e vet të AI përmes firmave si Huawei. Nga ana tjetër, CEO i Huawei, Ren Zhengfei, pranoi për gazetën zyrtare People’s Daily se kompania e tij është ende një brez pas SHBA-së. “Amerikanët i kanë ekzagjeruar arritjet tona. Nuk jemi aq të mëdhenj sa thonë ata – kemi ende shumë për të bërë,” deklaroi Ren.

Lexo edhe: Google pritet të ndërpresë bashkëpunimin me Scale AI! Investimi i madh i Meta-s shkakton shqetësim te klientët

“Duhet të ruajmë epërsinë e teknologjisë amerikane”

Sipas Huang, është jetike që zhvilluesit globalë të AI të ndërtojnë produktet e tyre mbi atë që ai quan “stiva teknologjike amerikane” dhe jo atë kineze. “Nuk ka kuptim  të heqim dorë nga 50% e studiuesve të AI-së në botë. Nëse të gjithë zhvilluesit janë në Kinë, atëherë do të fitojë stiva kineze,” tha ai, duke theksuar rrezikun e pasojave afatgjata të vendimeve të ngutshme.

Tensionet tregtare SHBA-Kinë janë përshkallëzuar muajt e fundit. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar kufizime në vizat për studentët kinezë në disa degë ‘kritike’, ndërsa ka paralajmëruar sektorin privat të shmangë përdorimin e çipave kinezë, me në fokus të veçantë Huawei.

Huang tha se i takon atij të informojë administratën e presidentit Trump për zhvillimet në industrinë e teknologjisë. “Ai e di çfarë po bën. Ka një plan. Ne do ta mbështesim sa më shumë të mundemi,” shtoi CEO i Nvidia.

Europa, një treg më vete për AI

Ndërsa tensionet përçajnë dy superfuqitë, Europa po përpiqet të konsolidojë pozicionin e saj në garën globale të inteligjencës artificiale. Huang vlerësoi investimet në Mbretërinë e Bashkuar dhe theksoi potencialin e Francës për të “eksportuar AI” përveç energjisë.

“Europa është një treg i pavarur nga Kina apo të tjerët. Të gjitha pjesët e pazëllit janë këtu, duhet vetëm të shfrytëzohen,” deklaroi ai.

Në fund, Huang nënvizoi se inteligjenca, si shtresë teknologjike do të jetë në të ardhmen aq e rëndësishme sa vetë GDP-ja e rajoneve. “Prandaj, BE do të jetë një treg gjigant për AI-në në dekadën që vjen,” përfundoi kreu i Nvidia-s.

CNBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0