Pashkët janë festat në të cilat të krishterët festojnë Ringjalljen e Jezusit. Kjo festë është një festë “e lëvizshme”, që do të thotë bie në ditë të ndryshme në varësi të vitit dhe me dallime mes kalendarit katolik, ortodoks dhe hebre.
VEZA E KUQE Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe, një veçori tipike e kremtimit te kësaj feste. Dhe ne te vërtetëm veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë si dhe njëkohësisht e simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin.
Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishterimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit.
Të krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur ‘Krishti u Ngjall’! Përgjigja është: ‘Vërtet u Ngjall’!
BUKA E PASHKEVE Pjesë tjetër e traditës së Pashkëve është buka e Pashkëve, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.
Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambadarëve të zbukuruara, dritën që klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë. Marrja e flakës nga Tryeza e Shenjtë që ju jepet besimtarëve simbolizon flakën që del çdo vit nga varri i Krishtit në Jerusalem ditën e Pashkëve Orthodhokse, flakë e cila merret dhe shpërndahet në kisha të vendeve të ndryshme.
MISHI I QENGJIT Pa dyshim që pjesë e tryezës së festimit të Pashkës është mishi i qengjit, duke simbolizuar Krishtin, i cili si qengj erdhi , duke u sakrifikuar për mëkatet e njerëzve (Ungjilli sipas Joanit 1:29, Letra I e Petrit, Zbulesa 5:6).
LEPURI I PASHKËVE– Është një simbol i lashtë i pranverës me origjinë pagane, që i përket kulturave anglo-saksone dhe gjermane. Tradita ka lindur në shekullin e XV dhe nga Europa u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku është e përhapur. Kjo kafshë fantastike dhe disi e vogël, simboli i pranverës dhe pjellorisë, tradicionalisht sjell një dhuratë për fëmijët si një shportë me vezë të ngjyrosura, por i përhap në të gjithë kopshtin, duke i fshehur pak kudo. Është detyrë e fëmijëve, në mëngjes të Pashkëve, që të shkojnë në gjueti dhe t’i marrin ato. Është e njohur “Gara e vezëve të Pashkëve” që festohet të hënën në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë në Uashington në shoqëri të Presidentit dhe Zonjës e Parë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.