Gara më e madhe e inovacionit dhe teknologjisë në hapësirën mbarëshqiptare, Albanian ICT Awards, në praninë e ngrohtë dhe të gjallë të qindra themeluesve, sipërmarrësve të rinj, ekspertëve të fushave të ndryshme, entuziastë por edhe të përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe vendor nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shënoi mbrëmjen e së Premtes 31 Maj 2024, një tjetër gur kilometrik me mbylljen e edicionit të 12-të.
I shndërruar në një oaz ku inovacioni jo vetëm që lulëzon por edhe manifestohet, organizuar prej 12 vitesh nga Shoqata ALBICT dhe ICTSmedia, Albanian ICT Awards celebron çdo vit arritjet dhe sukseset e një komuniteti vizionarësh dhe kreativësh të cilët kanë shërbyer si katalizatorë për ndryshime transformuese në ekosistemin e inovacionit dhe teknologjisë në mbarë trevat shqipfolëse ndër vite.
Në mbrëmjen Gala nderuan me pjesëmarrjen e tyre Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit të Republikës së Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, Deputetja e Parlamentit të Shqipërisë znj. Edona Bilali, Drejtorja e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës së Shqipërisë znj. Ledi Imeraj, Drejtorja e Inovacionit pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës znj. Laura Zherka, nën kryetarja e Bashkisë Tiranë znj. Jonida Halili, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri z. Skender Dyrmishi dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë në Republikën e Shqipërisë z. Eduard Shalsi.
Bashkëthemeluesi i Albanian ICT Awards z. Kushtrim Shala në fjalën e tij hapëse të Mbrëmjes Gala u shpreh me fjalët: “Jemi mbledhur për të festuar në një sallë të mbushur plot me mendje të bukura të kombit tonë, me njerëz që kanë ndezur turbinat për të fluturuar mes yjeve.”
“Sot në mesin tonë janë inxhinierë të talentuar që nga Presheva, nga Tuzi e Ulqini, Tetova e Shkupi, padyshim Shqipëria, por edhe Europa e SHBA-ja e diaspora jonë.”
Një fole ku inovacioni dhe krijimtaria kanë lulëzuar e janë manifestuar prej mëse një dekade, ky konkurs mbarëkombëtar u bë një shërbëtor i rrugëtimit të inovacionit, një fener frymëzimi dhe mundësie për brezat.
“Albanian ICT Awards ishte ndër të parët që vërejti jo vetëm ndikimin pozitiv që teknologjia ka në shoqëri, por edhe nevojën për një nxitje më të madhe të të rinjve tanë kudo në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, në Ulqin, në Europë e SHBA” u shpreh kryetari i jurisë së edicionit të 12-të të Albanian ICT Awards, Prof. Dr. Blerim Rexha.
Kjo mbrëmje Gala më shumë sesa një moment i ndarjes i çmimeve të mëdha të teknologjisë, është një testament i vërtetë i një komuniteti prej qindra themeluesish, novatorësh dhe ëndërrimtarësh që ndajnë një vizion të përbashkët me Albanian ICT Awards, atë të ngritjes dhe zhvillimit të industrisë së teknologjisë dhe inovacionit në mbarë trojet shqiptare.
“Sa mendje të bukura dhe të ndritura në një sallë të vetme. Përgëzime për këdo që e mbështet këtë garë financiarisht, por edhe me kohë, si një detyrim që e kemi të gjithë, për atë për të cilën punojmë çdo ditë, për një Shqipëri më të mirë,” tha deputetja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, znj. Edona Bilali.
Znj. Ledi Imeraj, Drejtore e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës, përshëndeti Albanian ICT Awards në emër të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit z. Blendi Gonxhja.
22 finalistë garuan për 6 çmimet e mëdha të edicionit të 12-të të ICT Awards ndërsa kësaj mbrëmje nuk i munguan surprizat.
“Dua të përgëzoj organizatorët të cilët për 12 vite rresht kanë bërë të mundur kthimin e kësaj mbrëmje në një traditë,” tha Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Klimën e Biznesit, znj. Delina Ibrahimaj.
Lexo edhe:AECA mbështet 30 kompani lokale të vogla për të hapur një e-commerce
Mbrëmja Gala u përshëndet edhe nga Drejtorja e Inovacionit pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës znj. Laura Zherka e cila tha se një atmosferë e tillë motivon, frymëzon dhe promovon një komunitet shumë të çmuar të trojeve tona shqiptare.
Ndarja e çmimeve filloi me kategorinë ICT Diploma e Vitit ku garonin Ardin Bajraktari, Lejdi Prifti, Lum Borovci dhe Rrezarta Thaqi. Fitues i këtij çmimi çmimi u shpall Lum Borovci me projektin “Teoria e Kaosit dhe Aritmisë: Një qasje dinamike ndaj kujdesit kardiak.”
Anita Mjeshtri me projektin GoAL, Jahja Nur Zulbeari me projektin EPage Digital dhe Sidorela Ndregjoni me projektin FloraTech u përballën në kategorinë ICT Ylli në Ngritje i Vitit 16-21 vjeç. Fitues u shpall Sidorela Ndregjoni me projektin FloraTech.
Çmimi ICT Ylli në Ngritje deri ë 16-vjeç shkoi për Parid Haxhollin. Në këtë kategori ai kishte përballë Elsa Halilin me projektin Brain Crafts dhe Amar Dobreven me projektin Health Digitize.
Çmimi i Sigurisë Kibernetike në edicionin e 12-të të ICT Awards shkoi për kompaninë Cyber Morphosis. Në këtë kategori garuan gjithashtu Andi Ahmeti me projektin Grapling for Evil in the Cloud dhe Dardan Prebeza me projektin Pretera.
Patoko u shpall Startupi i Vitit ndërsa Redjan Ymeraj me projektin Wellness+ dhe Sorana Filip me projektin Nullius in Verba ishin të nominuarit e kësaj kategorie.
Hakan Shehu triumfoi në kategorinë ICT Inovacioni i Vitit përballë Flavio Seferit me projektin EcoTech dhe Genti Xibrit me projektin Cari-Heart.
Juria e Albanian ICT Awards akordoi mirënjohje për Penda.al, GAD Albania, Rrezarta Thaqi dhe rTrust.
Finalisti në kategorinë ICT Inovacioni i Vitit, Hakan Shehu me projektin Neuron, u përzgjodh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për tu bërë pjesë e programit Star Venture pa garë.
Programi Star Venture i fokusuar në zhvillimin e startupeve inovative me potencial rritjeje për Ballkanin Perëndimor implementohet nëpërmjet Këshillave për Bizneset e Vogla financuar nga EU Enterprise Development & Innovation Facility (EDIF) dhe Luksemburgu.
Një tjetër çmim nga BERZH shkoi për Nullius in Verba, startup i cili përfitoi kredite me vlerë 5,000 euro në platformën cloud Amazon Web Services.
Themeluar plot 12 vite më parë, kjo garë organizohet nga shtëpia botuese ICTSmedia dhe Shoqata Mbarëkombëtare Teknologjisë ALBICT dhe gëzon partneritetin e rëndësishëm të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nëpërmjet Programit Star Venture financuar nga EU Enterprise Development & Innovation Facility (EDIF) dhe Luksemburgu, EU for Innovation dhe UNICEF. Albanian ICT Awards sot në sytë e një ekosistemi konsiderohet një barometër i vërtetë potencialit inovativ dhe krijues të të rinjve, studentëve, novatorëve, sipërmarrësve, profesionistëve, bizneseve në mbarë hapësirën shqipfolëse.
Edicioni i 12-të hapi dyert të Enjten e datës 29 Shkurt 2024 në mesin e mbi 100 të ftuarve dhe pjesëmarrësve nga bota akademike, biznesit, administratës publike, sipërmarrjes, inovacionit dhe komunitetit të teknologjisë. U mirëpriten aplikime në 7 kategori të ndryshme deri më 31 Mars 2024 si dhe u mbajtën mëse 25 sesione informimi pranë shkollave, universitete, qendrave dhe hapësirave të inovacionit nga Tirana në Prishtinë, Shkup, Tetovë, Gjilan, Ferizaj, Vushtrri, Preshevë dhe Bujanoc.
Deri në mbyllje të aplikimeve mbërritën 108 projekte nga 130 kandidatë të ndryshëm të cilët demonstruan përballë jurisë së Albanian ICT Awards në Prishtinë dhe Tiranë më 26 dhe 27 Prill 2024 respektivisht.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.