Forumi Ekonomik Botëror / Nga Trump te von der Leyen, çfarë pritet të ndodh në Davos 2026 - Business Magazine Albania

Forumi Ekonomik Botëror / Nga Trump te von der Leyen, çfarë pritet të ndodh në Davos 2026

Takimi Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) rikthehet këtë javë në Davos të Zvicrës, duke mbledhur për pesë ditë radhazi liderët më të fuqishëm politikë, ekonomikë dhe shoqërorë të globit. Nën temën “Fryma e Dialogut”, Davos 2026 synon të shërbejë si një platformë neutrale për dialog, bashkëpunim dhe veprim, në një moment kur bota përballet me ndryshime të thella gjeopolitike, teknologjike dhe shoqërore.

Takimi i 56-të vjetor i WEF pritet të mbledhë rreth 3,000 liderë nga mbi 130 vende, duke shënuar nivele rekord të pjesëmarrjes qeveritare. Forumi synon të lidhë perspektiva të ndryshme për të adresuar sfidat e përbashkëta globale dhe për të nxitur inovacionet që po formësojnë të ardhmen.

Për më shumë se pesë dekada, Forumi Ekonomik Botëror ka shërbyer si një pikë takimi për drejtues nga qeveritë, biznesi, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, akademia dhe brezi i ri i liderëve, me synimin për të kuptuar dhe përballuar sfidat globale në mënyrë kolektive.

Çfarë pritet të diskutohet në Davos 2026

Programi i këtij viti ndërtohet mbi këtë trashëgimi dhe reflekton zhvillimet më të fundit globale, si dhe përparimet më të reja teknologjike. Diskutimet do të fokusohen te:

-Rikthimi i bashkëpunimit global në një botë me aleanca të tensionuara, norma të kontestuara dhe besim në rënie;

-Menaxhimi i rreziqeve gjeopolitike dhe pasigurisë ekonomike, përmes modeleve të reja të bashkëpunimit;

-Përdorimi i përgjegjshëm i teknologjive transformuese, përfshirë inteligjencën artificiale gjenerative;

-E ardhmja e punës dhe kapitalit njerëzor, me fokus te investimi në aftësi, tranzicionet profesionale dhe mirëqenia;

-Rritja ekonomike brenda kufijve planetarë, duke avancuar sisteme të sigurta energjie, natyre dhe uji.

Davos 2026 do të vërë në qendër edhe dimensionin njerëzor të transformimit, duke analizuar se si qeveritë dhe bizneset mund të ndërtojnë forca pune më rezistente dhe më të përgatitura për ndryshime të thella strukturore.

Kush merr pjesë në Davos 2026

Në një moment kyç për bashkëpunimin global, Forumi do të mirëpresë rreth 400 liderë politikë të nivelit të lartë, përfshirë afro 65 krerë shtetesh dhe qeverish dhe gjashtë liderë të vendeve të G7. Mes pjesëmarrësve janë figura të tilla si Donald Trump, President i SHBA-së APO Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

Në Davos do të jenë gjithashtu krerët e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, FMN-në, Bankën Botërore, NATO-n, OBSH-në dhe OBT-në.

Nga sektori privat, pritet pjesëmarrja e rreth 1,700 liderëve të biznesit, përfshirë afro 850 CEO dhe kryetarë bordesh nga kompanitë më të mëdha globale, si dhe gati 100 drejtues të “unicorn”-ëve dhe pionierëve të teknologjisë.

Në mesin e zërave më të fuqishëm të teknologjisë dhe inovacionit janë emra si Jensen Huang (NVIDIA), Satya Nadella (Microsoft), Demis Hassabis (Google DeepMind), Sarah Friar (OpenAI) dhe Dario Amodei (Anthropic).

Forumi pasurohet gjithashtu nga përfaqësues të shoqërisë civile, sindikatave, organizatave fetare, akademikëve dhe liderëve të rinj nga komuniteti Global Shapers, të cilët sjellin perspektiva të reja dhe përvoja konkrete të ndryshimit.

Si mund të ndiqet Davos 2026

WEF do ta sjellë Davos 2026 për një audiencë globale përmes një mbulimi të gjerë digjital. Mbi 200 sesione do të transmetohen drejtpërdrejt, të shoqëruara nga analiza, intervista dhe përditësime në kohë reale në rrjetet sociale.

Përmes një eksperience të hapur mediatike, diskutimet nuk do të kufizohen vetëm në Davos, por do të shtrihen globalisht, duke i dhënë publikut mundësinë të ndjekë, të pyesë dhe të angazhohet me temat që po formësojnë të ardhmen e botës.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0