Faktet për Valbonën - Business Magazine Albania

Faktet për Valbonën


Gjatë konferencës së fundit për shtyp në Rogner, kushtuar koncerteve të protestës, m’u afrua një dashamirës për të më thënë pak a shumë kështu: “Duhet të botoni më shumë fakte – deri më tash thirrja juaj ka qenë tërësisht emocionale, por kaq nuk mjafton.”

Kjo më la pa gojë, meqë mua më duket sikur gjatë 10 muajve të fundit nuk kam bërë gjë tjetër veç jam zhvendosur, dëshpërimisht, nga një pirg faktesh në tjetrin, duke u përpjekur t’i bëj të miat dhe pastaj t’ua përcjell të tjerëve. Kam mësuar të lexoj dokumente juridike të Shqipërisë (në shqip). Më është dashur të lexoj raporte teknike (në shqip). Kam mësuar si të kërkoj informacion (në shqip) dhe pastaj ta përvetësoj atë. Kam lexuar opinione të ekspertëve, opinione juridike dhe dokumente inxhinierike (në shqip). Truri nuk më mban më. E përfytyroj, madje e ndiej trurin tim brenda kafkës teksa ndërron formë dhe tkurret si ndonjë lloj ylli deti i përbindshëm, duke nxjerrë jashtë stomakun për të thithur fakte të tjera, të cilat i ndjek deri në agoni, madje edhe përmes gjuhës së çuditshme të Google Translate po të jetë nevoja.

Në fakt, unë besoj tek e vërteta. Besoj se e vërteta ekziston, dhe se është e pastër, e paanshme dhe e përpiktë. Besoj se e vërteta është e ndershme, dhe e çan shtegun e vet drejt; dhe se, edhe sikur ky shteg të duket ndonjëherë i papërshkueshëm, me pak këmbëngulje nga ana jonë e vërteta do të na çojë te zgjidhja më e mirë e mundshme, dhe më skajshmërisht e dobishmja. Ajo e vërtetë është rruga që kemi përpara. Dhe si çdo e vërtetë, edhe ajo mbështetet në ato krijesa aq të pakapshme, që janë faktet.

Si ka mundësi, atëherë, që disave t’u jem dukur si bartëse thirrjesh thjesht emocionale?

Si çdokush tjetër, edhe unë ua vë fajin mediave dhe çfarë kanë zgjedhur të raportojnë këto media. Emocioni shet mirë, është i shpejtë, i lirë dhe i thjeshtë. Dy-tre batuta, ndonjë fytyrë. E pranoj faktin (në dukje) se media pikërisht këtë do dhe këtë zgjedh. Por dashamirësi im kishte të drejtë. Nuk mjafton.

Prandaj, duke shpresuar se nuk po abuzoj me durimin tuaj, më lini t’ju ftoj të ecni me mua, përmes disa fakteve në lidhje me hidrocentralet në Valbonë. Dhe, natyrisht, për t’iu qasur fakteve, duhet të bëjmë pyetje.

Fakti i parë, dhe më i rëndësishëm për t’u pasur parasysh, është se Valbona nuk është thjesht vend i bukur. Nuk është thjesht vend që na pëlqen ose vend me të cilin bashkëtingëllojmë emocionalisht – edhe pse është edhe ashtu. Valbona është zonë e mahnitshme dhe, në masë të madhe e pastudiuar, e një biodiversiteti jashtëzakonisht të pasur. Çfarë do të thotë kjo? Pse duhet të shqetësohemi? Ia vlen vërtet? Valbona duket se ruan një numër pazakonshëm të madh kafshësh të mëdha mishngrënëse në Europë. Ka ndonjë kuptim kjo? Tani, përgjigjja varet nga ai që e jep, edhe pse unë mendoj se më e madhja “e vërtetë e parehatshme” e kohës sonë është efekti që ne njerëzit kemi ndaj mjedisit tonë natyror; dhe se e kemi gjithnjë e më të vështirë për ta shpërfillur atë që nuk jemi të ndarë nga natyra, as mbi të, por pjesë e saj. Dhe se, siç e shkatërrojmë natyrën, ashtu shkatërrojmë edhe veten. Shihni: Ndryshimi klimatik. Me ç’rast zonat natyrore të ruajtura mirë marrin rëndësi më të madhe, marrin vlerë më të madhe. Janë të rëndësishme si rezervuare. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të shkatërrojmë një vend si Valbona, njëlloj siç kemi shkatërruar kaq shumë vende të tjera, para edhe se ta kemi kuptuar. Por le ta zëmë se nuk na bëhet vonë për këtë.

Atëherë, le të kemi parasysh se Valbona nuk është thjesht vend i bukur, por është vend i bukur, dhe që tani së voni është gjykuar nga si një nga 9 destinacionet më të mira në botë për aventurë në ajër të pastër. Çfarë do të thotë turizëm. Çfarë do të thotë të ardhura. Potencialisht, të ardhura shumë të mëdha. Parqet Kombëtare në Kroacinë fqinje provojnë qartazi se për 8,000 ha park, fitimet arrijnë në diçka si 8,000,000 USD në vit – vetëm nga parqet, pa llogaritur rolin e tyre si motor ekonomik për mbarë zonën. Në qoftë se do të mundësohej ligjërisht krijimi Parku Kombëtar i Alpeve Shqiptare (që përfshin Valbonën, Thethin, Gashin dhe Kelmendin) – dhe le të mos harrojmë se deri më sot ky krijim është bllokuar nga Ministria Shqiptare e Energjisë – ky park prej 86,000 ha do të duhej të sillte fitime prej diçka si 80,000,000 USD në vit për Shqipërinë brenda 30 vjetëve, po të bazohemi në shembullin e Kroacisë. Dhe le të mos e përmendim këtu as që parqet e Kroacisë nuk figurojnë fare në “nëntë më të mirat” e National Geographic.” Po le ta zëmë edhe se, për hir të argumentit, nuk na bëhet vonë as për këtë. Tek e fundit, kush po pyet për paratë?

Ashtu vijmë në faktin e bezdisshëm se Valbona është tashmë Park Kombëtar. Na pëlqen apo s’na pëlqen neve, Valbona u shpall, në 1996, si zonë e mbrojtur e nivelit IUCN II, me mbrojtjen ligjore përkatëse. Ligji shqiptar për zonat e mbrojtura e pohon shumë qartë se brenda një Parku Kombëtar nuk lejohet ASNJË zhvillim industrial.

Në rregull, pra. Le të provojmë të argumentojmë, tani, se projektet hidro-elektrike nuk janë tamam “zhvillime industriale.” Energjia hidroelektrike aktualisht klasifikohet si e gjelbër – edhe pse kjo po vihet gjithnjë e më shpesh në diskutim anembanë botës. Po le të mos ua vëmë veshin këtyre cic-miceve. Ne kemi tashmë standarde të pranuara, se si të provojmë se një ndërtim i caktuar – industrial ose jo – nuk do të ketë ndikim negativ në mjedis. Këto janë edhe standarde të pranuara nga BE-ja, të cilave edhe Rama u është referuar, edhe pse pa pasur nevojë. Shqipëria vetë ka ligje përsosmërisht të mira se si të testohet dhe të provohet impakti mjedisor. Thelbi i këtyre standardeve është diçka që “Vlerësim i Ndikimit në Mjedis” (VNM). Ky VNM (ose EIA në anglisht) është një raport që: 1) vlerëson çka është e pranishme në territor – praktikisht duke hartuar një raport ose inventar të plotë të biodiversitetit; 2) ngre pyetje në lidhje me mënyrën si ndërtimi në fjalë mund të ndikojë ose të “impaktojë” këtë situatë ekzistuese; 3) i trajton këto ndikime, duke përmendur edhe masat që do të merren për t’i minimizuar dhe 4) ofron një plan për të monitoruar: Si do ta vërtetojë, projekti në zbatim, se po e minimizon ndikimin? Çfarë masash do të merren? Ku dhe si do të raportohet për këto?

Dhe këtu kthehemi sërish te faktet dhe tek e vërteta. E vërteta është, besoj unë, se në qoftë se ndërtuesit e hidrocentraleve do të kishin dorëzuar një VNM që të provonte se ata vërtet e kishin studiuar thellë dhe fort projektin e tyre në Valbonë, ne nuk do të kishim ç’të thonim. Sikur ndërtuesit të provonin se atyre u dhimbsej Valbona, duke operuar në mënyrë të përgjegjshme, ne nuk do mund të kundërshtonim dhe nuk do të kundërshtonim. Mirëpo VNM-ja e paraqitur nga ndërtuesit është për faqe të zezë. Nuk përmbush asnjë nga 4 kërkesat më lart. Përshkrimi i çfarë ka këtu është jo vetëm i paplotë, por edhe haptazi i gabuar. Vlerësimi i tyre se çfarë është Valbona tingëllon si tallje pa shije. “Aty-këtu ka disa pemë arrore,” kanë shkruar. Në një kohë që, në fakt, ne kemi segmente të gjëra pylli të virgjër ahu, aktualisht duke u vlerësuar si pyll trashëgimi botërore i UNESCO-s, për të mos përmendur një varg habitatesh, shumë prej të cilave ligjërisht të mbrojtura në Shqipëri. Ata kanë shkruar: “Mes kafshëve, përmendim çakallin,” në një kohë që, në të vërtetë, NUK ka çakej në Valbonë dhe as ka pasur ndonjëherë; çakejtë i gjen në jug të Shqipërisë; “dhe disa lepuj e dhelpra dhe ndoshta ndonjë ari në lartësi më të mëdha.” Kaq thonë gjithsej ndërtuesit për biodiversitetin. Në fakt, edhe sikur të lëmë mënjanë nja 50 specie ligjërisht të mbrojtura që ata nuk i zënë në gojë, këtu ka jo “ndonjë ari”, por popullata ariu, të mëdha dhe të riprodhueshme – siç është dokumentuar. Ata nuk përmendin ujkun, lundrën, ose rrëqebullin e Ballkanit (mishngrënësi më i rrallë në Europë). Ose kunadhen dhe shqarthin (i vetmi vend në Europë, ku habitatet e tyre mbivendosen). Por pak rëndësi ka. Nëse ju dhimbsen apo jo këto kafshë, nuk ngre peshë. Çështja është se autorët e VNM-së së ndërtuesve nuk e kanë idenë se për çfarë po flasin. Ky dokument, pra, nuk ka kurrfarë besueshmërie.

Por le t’i afrohemi çështjes së ndikimit në mjedis – që është më e rëndësishmja nga ato që pritet të ngrejë një VNM. VNM-ja e ndërtuesve nuk përmend asnjë të tillë. Ata nuk zënë në gojë faktin që tunelet prurëse të ujit do të kalojnë përmes një zone të konfirmuar si zonë e riprodhimit të ariut. Nuk zënë në gojë efektin e punimeve të ndërtimit në habitat ose në turizëm. Nuk marrin parasysh çfarë efekti do të ketë ndaj lumit heqja e 80% të ujit për 3 km. Edhe një fëmijë mund t’i vërë re këto çështje dhe të pyesë dhe të dyshojë për efektet. Pas gjase, ndërtuesit nuk kanë arritur. Dhe vazhdojnë kështu.

Më në fund, asgjëkund nuk përmendet ndonjë përpjekje për t’i kundërshtuar efektet e padëshiruara dhe as është hartuar ndonjë plan për monitorimin e tyre. Për të gjitha këto arsye, VNM-ja e paraqitur nga ndërtuesit nuk është fare VNM.

Në këtë pikë, duke dashur të kuptoni më shumë, ju mund të pyesni veten: Nëse ky dokument synon t’i japë qeverisë në Tiranë garanci se projekti do të jetë i përgjegjshëm, dhe nëse nuk arrin megjithatë të adresojë asnjë çështje përgjegjësie, pse vallë qeveria e ka pranuar? Dhe bëni mirë të pyesni kështu së bashku me, meqë ne së shpejti mund ta bëjmë këtë pyetje në gjyq. Por le ta lëmë mënjanë edhe këtë çështje. Le të supozojmë (skandal!) se qeveria këtë herë është treguar ose e papërgjegjshme, ose inkompetente, ose e korruptuar. Gjëra që ndodhin.

Çfarë mbetet pra për t’u bërë? Mbetemi, tek e fundit, NE. Në qoftë se ndërtuesit nuk e kanë bërë detyrën, nëse qeveria nuk ka arritur ta pikasë këtë – dhe, duke mos arritur, nuk e ka bërë as ajo detyrën, mbetemi megjithatë ne: Populli. Le të mendojmë se ne jemi më të interesuar, më të shqetësuar, më të përgjegjshëm se zyrtarët tanë të zgjedhur. Në qoftë se ata nuk i ngrenë çështjet, atëherë do t’i ngremë ne, sepse kjo është e drejta që na njihet me ligj. Por që ta bënim këtë, duhej ta dinim se çfarë po ndodhte. Na duhej të njiheshim me dokumente, të merrnim vesh çfarë po ndodhte pikërisht, të këshilloheshim. Kjo mund të jetë vërtet e mërzitshme, por le të supozojmë se jemi aq të preokupuar, sa të mos ndalemi para këtyre pengesave. Në rregull. Por edhe që të mund t’i bënim këto, duhej ta dinim se çfarë po ndodhte.

Dhe këtu kemi arritur te fakti më flagrant i gjithë këtij argumenti. Neve nuk na kanë thënë.

Pavarësisht se çfarë mendoni për argumentet e parashtruara prej meje, ose për mënyrën si i kam trajtuar, fakti përfundimtar dhe i paluajtshëm është se ne, populli, kemi të drejtën etike dhe ligjore që të dimë se çfarë po na bëhet, dhe çfarë po bëhet rreth nesh. Kjo e drejtë është formalizuar në disa ligje të Shqipërisë, dhe pikërisht: Ligji nr. 8503, datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare,” Ligji nr. 8672, datë 26.10.2000 “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit” (Konventa Aarhus), dhe Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” (Kur thashë që nuk kam lënë gjë pa lexuar, nuk bëja shaka). Të gjitha këto ligje janë shpërfillur. Nuk na kanë informuar. Nuk janë mbajtur “këshillime publike” publike. Nuk na është dhënë asnjë informacion. Asnjë njoftim. Tplani i ka nisur ndërtimet që në 2013 dhe deri më sot as edhe një tabelë kantieri nuk kanë ngritur.

Nuk na kanë thënë. Kjo është e paligjshme. Dhe ky është edhe fakti i fundit

Që prej janarit 2016, OJQ-ja jonë TOKA u ka dërguar enteve të ndryshme të pushtetit, me postë të regjistruar, 10 kërkesa për informacion dhe/ose ankesa administrative formale. E vetmja përgjigje serioze që morëm ishte nga z. Zamir Dedej i AKZM (Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura), i cili na lajmëroi se agjencia e tij ishte themeluar vetëm në 2015, prandaj nuk kish ç’informacion të na jepte. Z. Dedej ka shprehur publikisht, shumë herë, opinionin e vet personal se në Valbonë nuk duhet ndërtuar asnjë hidrocentral. Kjo mungesë përgjigjesh administrative është e paligjshme. Ajo na çel shtegun për t’iu drejtuar gjykatës, ose, me fjalë të tjera, për të bërë padi. Të cilën nuk ka dyshim se do ta fitojmë.

Ja këto janë faktet.

Ndoshta nuk tingëllojnë aq interesante se një thirrje thjesht emocionale, edhe pse, po t’i marrësh në tërësinë e tyre dhe me kusht që ju të më keni ndjekur deri këtu, ndoshta edhe tingëllojnë. Ose, më mirë akoma, të gjitha këto fakte të mbledhura dhe të verifikuara e përligjin edhe më fort atë ulërimën që më del nga shpirti çdo mëngjes, sapo hap sytë. Një ulërimë si kontrapunkt i faktit tjetër po aq faktik të zhurmës së buldozerëve që po ia gërryejnë shpatin malit të Kollatës, zhurmë që më është dashur ta dëgjoj çdo ditë, nga mëngjesi në darkë, këto 31 ditët e fundit – tingulli i shkatërrimit që më shqyen zemrën, sikurse ua shqyen të gjithë atyre që u dhimbset Valbonën. Dhe nuk jemi pak. Çfarë parashtrova këtu janë faktet, dhe të gjitha këto fakte së bashku tregojnë se ajo çfarë po ndodh është e padrejtë. Është jo-logjike, shkatërrimtare dhe e paligjshme. Dhe është gabim.

Ne kemi arritur, disesi, që t’i lëmë mënjanë emocionet. Për hir të asaj çfarë duhet të bëjmë, dhe me gjithë torturën veçanërisht mizore që përjetojmë, kur e shohim këtë të na ndodhë para syve. Kur e shohim, kur e dëgjojmë. Kur ndihemi të pafuqishëm. Por në fund do të fitojmë. Do të fitojmë, në bazë të fakteve. Unë e di këtë. Mund të them vetëm se shpresoj, të paktën shpresoj, se triumfi ynë do të arrijë në kohë edhe për Valbonën.
Burimi: Shkruar nga Catherine Bohne Selimaj dhe publikuar në peizazhe.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0