Etosi “luftarak” amerikan nuk do ta mbrojë Evropën - Business Magazine Albania

Etosi “luftarak” amerikan nuk do ta mbrojë Evropën

Nga Ana Palacio* – Gjatë javëve të fundit, dronë të paidentifikuar kanë shkelur hapësirën ajrore të Bashkimit Evropian, duke detyruar udhëheqësit e kontinentit të mblidhen me urgjencë në një takim të organizuar nga Danimarka. Në fakt, këto incidente janë shtuar ndjeshëm gjatë tre muajve të fundit, me të paktën dhjetë vende, nga Polonia e Rumania deri në shtetet baltike e madje edhe Franca që kanë raportuar aktivitet të dyshimtë dronësh. Ky zhvillim tregon sa e ekspozuar është Evropa ndaj kërcënimeve të sigurisë që lidhen me fushatën hibride të Rusisë. Por ndoshta rreziku më i madh për sigurinë e Evropës vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku administrata e presidentit Donald Trump po ndjek një politikë të jashtme që kombinon izolimin me konfrontimin.

Administrata Trump nuk e ka fshehur mosrespektimin e saj ndaj angazhimeve të sigurisë së Amerikës, përfshirë ato ndaj aleatëve të NATO-s. Një shembull i qartë ishte fjalimi i zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt, kur ai deklaroi se kërcënimi më i madh për Evropën “vjen nga brenda”. Ndërsa administrata pretendon se thjesht kërkon që vendet e NATO-s të përmbushin detyrimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes, do të ishte e pamatur që Evropa të mbështetet tek SHBA-të për të mbajtur anën e saj të marrëveshjes.Për administratën Trump, slogani “America First” nuk është thjesht parullë, por një filozofi politike që justifikon qasjen e mbyllur, të paparashikueshme dhe transaksionale, pa asnjë bazë në rregulla, norma apo vlera. Por në fakt, nuk është “Amerika” që vjen e para; janë Trump dhe rrethi i tij i ngushtë, të cilët kanë përfituar pasuri marramendëse që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë. Urdhri i ri ekzekutiv i Trump që garanton siguri të plotë për Katarin, vend që i dhuroi SHBA-së një avion prej 400 milionë dollarësh, që tani po përshtatet si Air Force One i ri tregon sa e paqëndrueshme dhe oportuniste është bërë politika e jashtme amerikane.

Megjithatë, administrata Trump po kalon nga transaksioni në konfrontim. Në një takim të jashtëzakonshëm në bazën e Korpusit të Marinës në Quantico, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbajti një fjalim para mbi 800 udhëheqësve ushtarakë të sjellë nga e gjithë bota, ku u bëri thirrje të rikthejnë “etos-in luftarak”, të refuzojnë “rregullat e marra me mend” dhe të heqin dorë nga “plehra të zgjimit”, përfshirë “adhurimin e ndryshimeve klimatike”.

Lexo edhe: Qëndrueshmëria, nga kërkesë ligjore në një domosdoshmëri për bizneset në epokën e gjelbër

Vetë Trump e përmblodhi qasjen e re të Amerikës ndaj sigurisë, duke shpallur se “Departamenti i Mbrojtjes” do të quhet sërish “Departamenti i Luftës” (ndryshim që ende nuk është miratuar nga Kongresi). Ky është një përmbysje e vendimit të vitit 1949, i cili synonte të përçonte angazhimin amerikan ndaj përmbajtjes, ligjshmërisë dhe kontrollit civil mbi ushtrinë, në një kohë kur SHBA-ja po merrte rolin e garantuesit të rendit botëror të bazuar në rregulla. Kjo tregon, pra, braktisjen e atij rendi që ka mbështetur marrëdhëniet ndërkombëtare përfshirë bashkëpunimin shumëpalësh dhe tregtinë e ndërsjellë – për më shumë se tetë dekada.

Në të vërtetë, ky është më shumë një konfirmim sesa një ndryshim i politikës. Megjithëse SHBA-ja ka përfituar shumë nga pozicioni i saj dominues në rendin ndërkombëtar, administrata Trump prej kohësh është ankuar për “koston” dhe “kufizimet” që ai rend imponon.

Megjithatë, lëvizjet e fundit të SHBA-së paralajmërojnë një botë më të ashpër, ku hapësirat ajrore dhe rrugët detare do të jenë të kontestuara, zinxhirët e furnizimit më të brishtë, aleancat më të paqëndrueshme, fuqia ushtarake do të mbizotërojë mbi diplomacinë, dhe vendi që dikur garantonte stabilitetin global do të mungojë. Strategjia e re Kombëtare e Mbrojtjes e SHBA-së – sipas atyre që kanë parë draftin – vendos “misionet vendase dhe rajonale” për mbrojtjen e “atdheut” përpara përpjekjeve për të kundërshtuar kërcënimet nga fuqitë si Kina apo Rusia.

Pjesa tjetër e botës po përshtatet me këtë realitet të ri strategjik. Disa vende, si Australia dhe Japonia, po forcojnë bashkëpunimin mbrojtës me SHBA-në, me shpresën se ajo ende ka interes për të kufizuar ambiciet hegjemonike të Kinës në Indo-Paqësor. Të tjera, si India, Turqia dhe shtetet e Gjirit, po diversifikojnë strategjitë e tyre. Por reagimi i Evropës mbetet i mangët.

Edhe nëse shmangen tërheqjet e mëdha të trupave amerikane nga Evropa, një riorganizim i tyre është pothuajse i pashmangshëm. Prandaj, në rast të një krize sigurie, një skenar jo i pamundur duke pasur parasysh luftën hibride të Rusisë, BE-ja duhet të jetë gati ta përballojë vetë. Ndërsa Polonia, shtetet baltike dhe vendet nordike po përshpejtojnë armatosjen, të tjerat po mbeten pas. Madje edhe nismat në nivel të BE-së, si Fondi Evropian i Mbrojtjes, strategjia e përbashkët industriale e mbrojtjes, aktet për prodhimin e municioneve dhe për blerje të përbashkëta ushtarake – dëmtohen nga fragmentimi dhe mungesa e kohezionit.

Tre prioritete janë thelbësore: Së pari, Evropa duhet të përqendrohet te forcimi i kapaciteteve ushtarake, municioneve, trajnimit dhe mbrojtjes ajrore – në vend të komunikatave politike. Së dyti, duhet të garantojë unitetin: sanksionet dhe kontrollet e eksporteve duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë, pa përjashtime. Së fundi, Evropa duhet të përdorë fuqinë e saj ekonomike për të forcuar pozicionin gjeopolitik. BE-ja ka përmasat e duhura për të avancuar me ritëm të shpejtë armatosjen, përmes porosive shumëvjeçare të parashikueshme për industrinë evropiane. Por pa një qasje të bashkuar strategjike, burimet do të shpërdorohen dhe ndërveprimi mes forcave do të dëmtohet.

BE-ja do të përfitonte gjithashtu nga bashkëpunimi më i thellë me Mbretërinë e Bashkuar. Megjithëse partneriteti i ri BE–MB për Sigurinë dhe Mbrojtjen është një hap i rëndësishëm, zbatimi i tij do të jetë i ndërlikuar. Qeveria britanike ende e sheh NATO-n si shtyllën e sigurisë kombëtare, por po kërkon një rol drejtues në aleanca teknologjike si AUKUS (me Australinë dhe SHBA-në) dhe programin Global Combat Air (me Japoninë dhe Italinë).

Epoka e “mbrojtjes” ka marrë fund dhe ka nisur epoka e “luftës”. Fragmentimi evropian, që dikur shihej si një detaj teknik, është sot një rrezik serioz. Ndërsa shpenzimet për mbrojtje, dikur të diskutueshme, janë kthyer në çështje mbijetese. Çfarëdo që të ndodhë më pas, Evropa nuk duhet të harrojë natyrën ekzistenciale të sfidave të saj të sigurisë dhe as pamundësinë për të mbështetur verbërisht Amerikën. Ajo duhet të bëhet një aktor strategjik në vetvete.

 

*Ana Palacio ka qenë ministre e Jashtme e Spanjës dhe nënkryetare ekzekutive e Bankës Botërore. Aktualisht është ligjëruese në Universitetin Georgetown.

Copyright: Project Syndicate, 2025. www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0