Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit janë me sytë nga BE. Por, Samiti i Sofjes, ku morën pjesë drejtues të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dha mesazhin se nuk do të ketë një zgjerim të shpejtë të Bashkimit Europian.
Më i drejtpërdrejtë në këtë drejtim ishte Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Para mediave ai tha se, “E ardhmja e vendeve të Ballkanit është padyshim në Bashkimin Europian,,por duket kujdes dhe rigorozitet. Fillimisht duhet një reformim i thellë i unionit, në mënyrë që të kemi një funksionim më të mirë. Më pas mund të vijojmë me zgjerimin”. Sipas Macron , “Vendet e Ballkanit kanë bërë një punë të mirë me reformat, por nevojitet më shumë punë në luftën kundër korrupsionit, shtetin e së drejtës dhe emigracionin. Ne do të vijojmë të mbështesim këto vende”.
Konfirmimi se e ardhmja e Ballkanit është në BE, u theksua gjatë Samitit edhe nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Tusk tha se, “Për Ballkanin Perëndimor nuk ka Plan B, e ardhmja shihet në Bashkimin Europian. Ky samit ishte i frytshëm. Ajo që ne kemi thënë dhe i qëndrojmë është që integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet në prioritetet tona”. Gjatë Samitit ai bëri të ditur se është folur për konektivitetin në rajon duke mos u fokusuar vetëm tek infrastruktura, por edhe tek ekonomia apo kapitali njerëzor.
“Perspektiva është e qartë, por nuk duam të nxisim pritshmëritë më shumë sesa duhet, pasi nuk do të jetë një proces i shpejtë”, tha Tusk.
Mesazhi i përbashkët i liderve të Bashkimit Europian ishte vijimi i nevojshëm i reformave nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto