Cila ekonomi europiane rrezikon më shumë nga tarifat e SHBA-së? - Business Magazine Albania

Cila ekonomi europiane rrezikon më shumë nga tarifat e SHBA-së?

Një e pesta e eksporteve të Bashkimit Europian ka si destinacion Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka i bën vendet anëtare veçanërisht të ndjeshme ndaj çdo vendimi të Uashingtonit për rritjen e tarifave doganore. Gjermania, me sektorin e fuqishëm të prodhimit të makinave, dhe Irlanda, me varësinë e saj nga eksportet farmaceutike, renditen si ekonomitë më të rrezikuara në rast të përshkallëzimit të përplasjeve tregtare me SHBA-në.

Kur presidenti amerikan Donald Trump vendosi në prill një tarifë të re prej 25% për importet e makinave dhe pjesëve të tyre, analistët identifikuan Gjermaninë si vendin e BE-së me ekspozimin më të madh ekonomik. Sipas një raporti të institutit të mendimit Bruegel me seli në Bruksel, këto tarifa mund t’i kushtojnë Gjermanisë rreth 0.4% të PBB-së në planin afatgjatë.

Por kërcënimi nuk ndalet me industrinë e automjeteve. Ndërsa BE dhe SHBA vazhdojnë negociatat për një marrëveshje tregtare të re, në horizont po shfaqen edhe tarifa potenciale deri në 200% për produktet farmaceutike, që do të godisnin rëndë Irlandën dhe vende të tjera si Danimarka e Belgjika.

Eksportet farmaceutike nën presion
Farmaceutika përbën rreth 15% të eksporteve të mallrave të BE-së drejt SHBA-së, duke u renditur pas sektorit të automobilave. Më shumë se një e treta e eksporteve farmaceutike të BE-së shkojnë në tregun amerikan, që në vitin 2021 përfaqësonte gati 50% të shitjeve globale në këtë industri, sipas të dhënave të Federatës Europiane të Industrive Farmaceutike.

Sipas analistit të Oxford Economics, Rory Fennessy, tarifat mund të reduktojnë me 8% volumin total të tregtisë së BE-së brenda pesë viteve të ardhshme.

Lexo edhe: Nga konsumi tek krijimi, Shqipëria përballë sfidës për të udhëhequr transformimin digjital

Irlanda në vijën e parë të rrezikut
Irlanda ka një varësi të lartë nga tregu amerikan: 53.7% e eksporteve të saj të mallrave shkojnë në SHBA, ndërsa eksportet farmaceutike përbëjnë gati 55% të totalit të eksporteve të vendit. Sipas Mathieu Savary, kryestrateg në BCA Research, nëse këto eksporte goditen nga tarifa 25%, rënia ekonomike mund të arrijë deri në 4-5% të rritjes së PBB-së në vite. Bruegel parashikon një humbje kumulative prej 3% të PBB-së reale të Irlandës deri në vitin 2028.

Gjermania – “motori” që mund të ngadalësohet
Gjermania, eksportuesi më i madh i BE-së drejt SHBA-së (22.7% e eksporteve gjermane shkojnë përtej Atlantikut), është veçanërisht e ndjeshme ndaj tarifave për sektorin e automjeteve. Sipas Moody’s Ratings, ekonomia gjermane pritet të pësojë një rënie të ndjeshme në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit 2025, nëse nuk arrihet një zgjidhje.

Shtete më të vogla si Austria dhe vende të tjera të Europës Qendrore e Lindore, të lidhura ngushtë me zinxhirët e furnizimit industrial të Gjermanisë, mund të përballen gjithashtu me goditje të konsiderueshme.

Vendet më të rrezikuara nga humbjet në punësim
Krahas ndikimit në rritje ekonomike, tarifat mund të kenë pasoja edhe në punësim. Bruegel paralajmëron se Italia është vendi i dytë më i ekspozuar ndaj humbjeve të vendeve të punës, për shkak të varësisë së lartë nga eksportet e pajisjeve transportuese dhe sektorëve si moda dhe automobilat. Italia gjithashtu ka një rol të rëndësishëm në eksportin e produkteve farmaceutike.

A do të vendosen me të vërtetë tarifa 200%?
Gjatë një deklarate të fundit, Presidenti Trump përmendi mundësinë e një tarife 200% për produktet farmaceutike të importuara, pa dhënë detaje të mëtejshme. Sipas Mathieu Savary nga BCA, një tarifë e tillë është pak e mundshme për shkak të kostove të larta që do t’i shtonte kujdesit shëndetësor për konsumatorët amerikanë, çështje kjo shumë e ndjeshme për votuesit.

Ai shtoi se deklaratat e Trump janë më shumë një sinjal për kompanitë farmaceutike të huaja që të ulin çmimet dhe të investojnë në prodhimin e ilaçeve brenda SHBA-së.

Tregtia nën trysni dhe pasiguri në horizont
Për ekonomitë e BE-së, ndikimi përfundimtar do të varet nga nivelit real i tarifave që SHBA do të vendosë dhe kundërpërgjigja e Brukselit. Bruegel parashikon se në një skenar të moderuar, ekonomia e BE-së do të humbasë rreth 0.3% të PBB-së, në një vit kur Komisioni Europian parashikon një rritje prej 1.1%.

Ndërkohë, pasiguria që shoqëron këto zhvillime mund të pengojë investimet dhe të çojë në humbje të vendeve të punës në të gjithë bllokun. Edhe vende me ekspozim të kufizuar si Franca apo Spanja, do të ndiejnë efektet përmes dobësimit të klimës ekonomike globale.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0