Christian Canacaris: dy dekada, një vizion dhe bankingu digjital në Shqipëri - Business Magazine Albania

Christian Canacaris: dy dekada, një vizion dhe bankingu digjital në Shqipëri

Nga Fatima Gorezi Kur z. Christian Canacaris mbërriti në Shqipëri më 1 prill 2004, nisi jo vetëm një kapitull profesional, por një transformim i përbashkët mes një banke dhe një vendi. Nga Anëtar Bordi në CEO, udhëheqja e tij ka reflektuar ngritjen e Raiffeisen Bank Shqipëri nga një institucion i sapoprivatizuar në një lider kombëtar në bankingun digjital dhe shërbimin ndaj klientit.

Gjatë dy dekadave, z. Canacaris ka drejtuar bankën përmes ndryshimeve rregullatore, sfidave teknologjike dhe nevojave në evoluim të klientëve, gjithmonë me një vizion të qartë: të ndërtojë një institucion të orientuar nga klienti dhe të gatshëm për të ardhmen. Në këtë intervistë ekskluzive, ai ndan sfidat e drejtimit të bankës më të madhe të huaj në vend, rolin strategjik të inovacionit dhe mënyrën se si Raiffeisen po ndihmon në formësimin e së ardhmes ekonomike të Shqipërisë.

Canacaris, pas dy dekadash në Shqipëri, si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj personal dhe profesional në bankë?

Erdha në Shqipëri më 1 prill 2004, kur mora pozicionin e Anëtarit të Bordit për Thesarin dhe Bankingun e Investimeve në Raiffeisen Bank. Në fillim bëmë një ndarje të rajoneve mes Anëtareve të Bordit. Rastësisht, m’u caktua zona e jugut. Kalova kohë në disa qytete si Saranda dhe Himara. Disa muaj më vonë vizitova edhe zonën e veriut, madje edhe degën tonë në Tropojë. Udhëtimi në atë zonë ishte i vështirë. Duhej të kalonim përmes Kosovës për të mbërritur aty.

Fillova të mësoja më shumë për kulturën dhe historinë shqiptare, sepse kur vjen në një vend të ri, duhet ta kuptosh ato.

Nga ana profesionale, në fillim nuk mbaja pozicionin e Drejtorit e Përgjithshëm, por të Anëtarit të Bordit. Si fillim, duhej të kuptoja si funksiononte tregu financiar këtu, praktikat vendore, si edhe duhej të përmirësonim proceset e brendshme të bankës. Qëllimi ynë ishte të sillnim standardet dhe metodologjinë e Grupit Raiffeisen. Për këtë arsye trajnuam stafin tonë nëpërmjet programeve të ndryshme për t’i kualifikuar edhe më tej, duke zgjeruar njohuritë dhe aftësitë e tyre. 

Me kalimin e viteve kam parë një transformim paralel – të bankës dhe të vendit. Kur filluan të ndërtohen rrugët dhe u përmirësua infrastruktura, nisi rritja e turizmit dhe gjithçka lëvizi më shpejt. Ky transformim pozitiv ka qenë i jashtëzakonshëm. 

Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, kishte vetëm 15 fluturime drejt Tiranës, ndërsa tani janë mbi 80.

Shqipëria ka shumë për të ofruar. Është një vend me tradita, kulturë dhe bukuri natyrore. Do të veçoja mikpritjen dhe kulinarinë. Keni ushqimin më të mirë në rajon – sidomos peshkun! E gatuani shumë mirë dhe më pëlqen shumë (qesh).

Nga perspektiva bankare shoh që ndërsa Shqipëria është më afër integrimit në BE, edhe rregulloret në sistemin bankar po përputhen me standardet europiane. Para 20 vjetësh ngritëm rrjetin më të gjerë të bankomateve në vend, ndërsa sot ofrojmë karta pa kontakt dhe po shkojmë gjithnjë e më shumë drejt digjitalizimit të shërbimeve dhe produkteve tona. 

Ky është një transformim i vërtetë. Kur një klient apo turist vjen në Shqipëri, gjen të njëjtin shërbim si në vendet e tjera të zhvilluara. Kemi investuar për të sjellë teknologjinë më të fundit në bankë. Falë kësaj proceset tona janë përmirësuar vazhdishmisht. Për shembull, miratimi i kredisë konsumatore që dikur zgjaste disa ditë, sot zgjat vetëm pak minuta. 

Hapi tjetër është inteligjenca artificiale dhe tashmë kemi nisur zbatimin e saj.

Cilat janë sfidat kryesore të drejtimit të bankës më të madhe të huaj në vend? Si ruani pozicionin udhëheqës në një treg kaq dinamik?

Të drejtosh bankën më të madhe të huaj sjell sfida të veçanta në një treg dinamik, me aktorë vendas dhe ndërkombëtarë.

Një nga sfidat kryesore është të kuptosh dhe parashikosh vazhdimisht nevojat e ndryshme të klientëve tanë, pasi jemi një bankë universale që u shërben individëve dhe korporatave të mëdha. Balancimi i zgjidhjeve të Grupit me realitetin lokal e vështirëson më tej këtë detyrë.

Në Raiffeisen, udhëheqja jonë është e përkushtuar ndaj ekselencës dhe ofrimit të një pëvoje superiore për klientin. Çdo ndërveprim, qoftë pagesë e thjeshtë apo marrëveshje komplekse, është i rëndësishëm. Përkushtimi ynë për të ofruar shërbime financiare të nivelit të lartë na dallon në treg.

Fokusi ynë tek përmirësimi i vazhdueshëm dhe transformimi digjital na mundëson të ofrojmë përvoja bankare më të shpejta, më të thjeshta dhe më të personalizuara. Duke kombinuar ekspertizën e Grupit me njohurinë lokale, jo vetëm u përgjigjemi ndryshimeve të tregut, por vendosim standarde të reja në banking.

Cila është kultura dhe vlerat kryesore në organizatë nën drejtimin tuaj?

Në bankën tonë kemi një kulturë dhe vlera të bazuara në ekselencë, orientim ndaj klientit, inovacion dhe përmirësim të vazhdueshëm. Banka vë theksin te ofrimi i një përvoje të shkëlqyer për klientin në çdo ndërveprim, si dhe një kulturë ku çdo punonjës inkurajohet të fokusohet te nevojat e klientit.

Raiffeisen promovon gjithashtu bashkëpunimin dhe fleksibilitetin, duke siguruar që ekipet të përfitojnë nga ekspertiza e Grupit dhe njohuritë lokale për të përmbushur kërkesat e klientëve.

Për më tepër, tërheqja dhe zhvillimi i talenteve që ndajnë këtë pasion për vlerat është thelbësor për rritje të qëndrueshme dhe udhëheqje. Angazhimi ynë i fortë për transformim digjital pasqyron përkushtimin e bankës për të qenë përherë një hap përpara trendeve.

Raiffeisen ka qenë në pararojë të bankingut digjital në Shqipëri. Çfarë e ushqen këtë etje të pandërprerë për inovacion?

Ne i kuptojmë nevojat reale të klientëve tanë, siç janë thjeshtësia, shpejtësia dhe besueshmëria. Kjo është një shtysë për inovacionin në bankën tonë. Nuk po digjitalizohemi thjesht sepse duhet ta bëjmë; synimi ynë është ta bëjmë bankingun e përditshme më të lehtë dhe më intuitiv. Kemi ndërtuar një kulturë brenda bankës ku ekipi ynë inkurajohet të mendojë ndryshe, të eksplorojë ide të reja dhe të eksperimentojë me zgjidhje që përmirësojnë përvojën e klientit.

Për të lexuar artikullin e plotë abonohu në një nga paketat tona.
Kliko këtu për t'u abonuar.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.”
— Konfuci
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0