Çfarë është 'Ngushtica e Hormuzit' dhe pse është kaq e rëndësishme për botën - Business Magazine Albania

Çfarë është ‘Ngushtica e Hormuzit’ dhe pse është kaq e rëndësishme për botën

Ndërsa ende nuk ka pasur ndërprerje të mëdha në furnizimin global me naftë, sulmet e njëpasnjëshme ndaj Iranit, fillimisht nga Izraeli e më pas nga Shtetet e Bashkuara  kanë trazuar tregjet ndërkombëtare. Sipas CNN, prej shpërthimit të konfliktit, kontratat e së ardhmes për naftën janë rritur me rreth 10%, për shkak të frikës se Irani mund të hakmerret duke bllokuar qarkullimin në ngushticën strategjike të Hormuzit.Në këndvështrimin e ekonomisë globale, pak pika janë më të rëndësishme se kjo rrugë ujore. Ngushtica, e cila ndan Gjirin Persik nga Gjiri i Omanit, në pikën më të ngushtë është vetëm 34 kilometra. Por është i vetmi kanal për eksportimin e naftës nga Gjiri Persik , rajoni më i pasur me rezerva nafte në botë. Ana veriore e ngushticës kontrollohet nga Irani.

Sipas Administratës për Informacionin e Energjisë së SHBA-së (EIA), rreth 20 milion fuçi naftë kalojnë çdo ditë përmes Hormuzit, një e pesta e prodhimit global, çka e bën këtë rrugë një “pikë kritike për tregun e naftës”.

Të dielën në mbrëmje, pas goditjes nga SHBA e tre objekteve bërthamore iraniane, çmimi i naftës Brent, referenca globale, kaloi për pak kohë kufirin prej 80 dollarësh për fuçi, për herë të parë që nga janari, sipas të dhënave të Refinitiv. Para shpërthimit të krizës, çmimi qëndronte mesatarisht mes 60 dhe 75 dollarëve që prej gushtit 2024.

Megjithatë, gjatë sesionit të tregtimit aziatik të së hënës, Brent dhe WTI (standardi amerikan) humbën rritjen fillestare. Brent tregtohej me 0.53% më pak në 76.49 dollarë për fuçi, ndërsa WTI ra me 0.62% në 73.38 dollarë.

E gjithë vëmendja është tashmë tek përgjigjja e Iranit. Sipas Rob Thummel, menaxher portofoli në kompaninë e investimeve energjetike Tortoise Capital, një bllokim i mundshëm i ngushticës nga Irani mund ta shtyjë çmimin e naftës drejt 100 dollarëve për fuçi.

Një këshilltar i lartë i liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ka kërkuar tashmë publikisht mbylljen e Hormuzit. “Pas sulmit të Amerikës ndaj objektit bërthamor të Fordow, është radha jonë”, paralajmëroi Hossein Shariatmadari, kryeredaktor i gazetës konservatore Kayhan, i cili shpesh është vetëpërshkruar si “përfaqësues” i Khameneit.

Sipas ekspertit për Iranin, Mohammad Ali Shabani, kontrolli gjeografik i kësaj pike i jep Teheranit “fuqinë për të tronditur tregjet e naftës, për të rritur inflacionin dhe për të rrëzuar axhendën ekonomike të Trump”.

Lexo edhe: Liderët europianë shqetësohen për varësinë e tyre të madhe nga teknologjia amerikane

Në realitet, korridoret lundruese të kalueshme në ngushticë janë vetëm dy kilometra të gjera në secilën drejtim, duke detyruar kalimin e anijeve si në ujërat territoriale iraniane ashtu edhe ato të Omanit.

Vandana Hari, drejtuese e kompanisë analitike Vanda Insights, thotë se një bllokim i plotë i Hormuzit mbetet një “rrezik i largët, por ekzistues”. Sipas saj, prania e shtuar e flotës detare amerikane në rajon shërben si një pengesë e fuqishme për përshkallëzim. “Irani ka shumë për të humbur dhe pothuajse asgjë për të fituar nga një veprim i tillë,” tha ajo. “Një veprim i tillë do të kthejë kundër tij fqinjët naftë-prodhues që deri më tani kanë qëndruar neutralë, përfshirë edhe partnerin e tij më të madh ekonomik, Kinën.”

Një mbyllje e mundshme e Hormuzit do të kishte pasoja të rënda për ekonomitë aziatike, sidomos për Kinën, importuesja më e madhe e naftës iraniane. Sipas EIA, rreth 84% e naftës bruto dhe 83% e gazit natyror të lëngshëm që kaluan përmes Hormuzit gjatë vitit të kaluar, u drejtuan drejt tregjeve aziatike.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Kina ka importuar 5.4 milion fuçi në ditë përmes Hormuzit. India dhe Koreja e Jugut morën përkatësisht 2.1 dhe 1.7 milion fuçi në ditë. Në krahasim, SHBA dhe Europa importuan përmes këtij kanali vetëm 400 mijë dhe 500 mijë fuçi në ditë.

Në një konferencë për shtyp të hënën, Ministria e Jashtme kineze theksoi rëndësinë strategjike të Gjirit Persik për tregtinë ndërkombëtare. “Ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon i shërben interesave të përbashkëta globale,” deklaroi zëdhënësi Guo Jiakun, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të punojë për qetësimin e krizës.

India, nga ana tjetër, u përpoq të qetësonte tregjet. Ministri indian për Naftën dhe Gazin Natyror, Hardeep Singh Puri, tha në një postim në X se vendi ka “diversifikuar” burimet e furnizimit me naftë dhe se aktualisht, “një sasi e madhe nuk vjen më përmes Hormuzit”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0