Bashkia e Tiranës propozon ulje 50% të taksave për gratë kryefamiljare me 3 fëmijë - Business Magazine Albania

Bashkia e Tiranës propozon ulje 50% të taksave për gratë kryefamiljare me 3 fëmijë

Bashkia e Tiranës ka propozuar një paketë të re masash për ulje dhe përjashtime nga taksat dhe tarifat vendore në përkrahje të shtresave në nevojë. Në paketën e masave propozohet ulje 50% e taksës për infrastrukturën arsimore dhe tarifën e pastrimit për bizneset e drejtuara nga gratë kryefamiljarë me më shumë se 3 fëmijë apo përjashtim prej tyre për shoqatat e krijuara nga pensionistë dhe persona me aftësi të kufizuara.

Masat janë propozuar përmes projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.158, datë 26.12.2019, të Këshillit Bashkiak, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar që para shqyrtimit për miratim do të publikohet edhe për konsultim publik.

Konkretisht në projektvendim propozohet mbështetje për gratë kryefamiljare me tre ose më shumë fëmijë.

Për këtë kategori është propozuar që subjektet e krijuara prej tyre të përfitojnë: 50% ulje të taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe 50% ulje të tarifës së pastrimit.

“Do të lehtësohen nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, në masën 50% bizneset e krijuara nga gra kryefamiljare që kanë tre ose më shume fëmijë, vetëm pas depozitimit të certifikatës familjare dhe ekstraktit historik të regjistrit tregtar me të dhënat e subjektit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore”, theksohet në relacion.

Lexo edhe: Subvencione që mungojnë, fuqia punëtore që largohet, kriza që po rrënon fshatin shqiptar

Propozohet po ashtu edhe përjashtim nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe tarifa e pastrimit për shoqatat e pensionistëve dhe personave me aftësi të kufizuara (PAK).

Sipas relacionit të projektvendimit përfitimi do të bëhet efektiv pas dorëzimit të dokumentacionit ligjor që vërteton përbërjen e shoqatës.

“Për të përfituar nga ky përjashtim përfaqësuesi juridik i shoqatës depoziton pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, vendimin e gjykatës nëpërmjet së cilit është regjistruar shoqata dhe dokumentin shoqërues që vërteton statusin e pensionistit apo të personit me aftësi të kufizuara sipas rastit”, citohet në relacion.

Në projektvendim propozohet edhe ulje e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet publike

Për të nxitur ndërtimet publike me interes qytetar, është propozuar edhe reduktim nga 4% në 2% i taksës së ndikimit në infrastrukturë për investime publike me pronësi shtetërore.

Në projektvendim ndër të tjera është propozuar edhe shfuqizimi për lehtësinë fiskale për 30% bizneset e ngritura nga romët dhe egjiptianët dhe për ato biznese, në të cilat numri i të punësuarve romë dhe egjiptianë zë mbi 30% të numrit total të të punësuarve.

Ulja e taksës është miratuar fillimisht me vendim të Këshillit të Ministrave, ndryshime të cilat u reflektuan edhe në vendimin nr. 35, datë 28.03.2024, të Këshillit Bashkiak.

Por është propozuar shfuqizimi i këtij vendimi, pasi nga Drejtoria e Taksës së Pasurisë është vlerësuar se bie ndesh me nenin 155 të Kushtetutës, që kërkon që çdo lehtësi fiskale të jetë e parashikuar me ligj, dhe jo me vendime nënligjore.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0