Banka e Shqipërisë njofton se në prill 2025, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 1.04 miliardë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave. Në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për tetë vjet që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në nivelin 6.78 miliardë lekë.
Çfarë është Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë. Në zbatim të ligjit nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0,5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, brenda 10 vjetëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Këto detyrime llogariten si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë. Bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit.
Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 8.9 miliardë lekë brenda vitit 2027. Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2025 kontributi vjetor i sektorit bankar u llogarit sipas rregullores nr. 56/2017 “Për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe procedurat administrimit të tij” dhe rezultoi në vlerën 1.04 miliardë lekë. Ky kontribut vjetor, i teti në radhë gjatë periudhës 2018-2025, u pagua i plotë dhe në mënyrë proporcionale nga të gjitha bankat e sektorit, deri në datën 30 prill 2025.
Pas mbledhjes së këtij kontributi, mjetet financiare të fondit arritën nivelin 6.780 miliardë lekë.
Lexo edhe: Nga 1 korriku kufizohet vlera dhe afati i shlyerjes për kreditë për shtëpi
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, e cila miratohet nga Banka e Shqipërisë.
Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, të bankës urë apo të shoqërisë për administrimin e aktiveve; plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, të bankës urë apo të shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo për shoqërinë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto