Bakri në nivele rekord/ Mundësi strategjike, sfida strukturore dhe rikthimi i vlerës së shtuar për Shqipërinë - Business Magazine Albania

Bakri në nivele rekord/ Mundësi strategjike, sfida strukturore dhe rikthimi i vlerës së shtuar për Shqipërinë

Rritja e çmimit të bakrit në nivele rekord nuk është thjesht një cikël i favorshëm tregu, por një provë strategjike për vizionin ekonomik të Shqipërisë.

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Pellumb Qosej* – Çmimi i bakrit po shënon nivele historike në tregjet ndërkombëtare, duke iu afruar pragut prej 13,000 USD për ton, një rritje prej rreth 40% që nga fillimi i vitit. Ky zhvillim ndikon drejtpërdrejt në sektorë strategjikë si energjia e rinovueshme, ndërtimi, industria automobilistike dhe teknologjitë e avancuara, duke rritur kostot e prodhimit global.

Në këtë kontekst, bakri konsolidohet si një metal kyç i tranzicionit energjetik dhe dixhital. Për vende me rezerva natyrore të konsiderueshme si Shqipëria, kjo është një mundësi strategjike për ripozicionim ekonomik, rritje të eksporteve me vlerë të shtuar dhe forcim të rolit në zinxhirët globalë të furnizimit, veçanërisht përmes aktorëve lider të industrisë si Beralb SHA.

Bakri si “metal strategjik” në ekonominë globale

Sipas analizave të Financial Times dhe Bloomberg, rritja e çmimit të bakrit është nxitur nga një kombinim faktorësh strukturorë dhe gjeopolitikë. Këta përfshijnë kërkesën e lartë nga sektori i energjisë së gjelbër, ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit dhe dobësimin e dollarit amerikan.

Reuters thekson ndikimin e politikave stimuluese të Kinës. CNBC vëren se pritshmëritë për tarifa të reja nga SHBA mbi produktet e bakrit kanë përshpejtuar aktivitetin në kontratat afatshkurtra.

Në thelb, bakri po shndërrohet në një metal thelbësor për zhvillimin industrial të dekadave të ardhshme, i nxitur nga:

  • Elektrifikimi i transportit dhe zgjerimi i automjeteve elektrike.
  • Investimet masive në panele diellore, turbina ere dhe rrjete inteligjente energjie.
  • Ndërtimi i qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës për inteligjencën artificiale.

Këta faktorë kanë krijuar atë që analistët e tregut e quajnë një “stuhi perfekte”, duke e pozicionuar bakrin si një aset strategjik me rëndësi të krahasueshme me naftën në tranzicionet industriale të mëparshme.

Shqipëria në hartën e bakrit

Shqipëria gëzon një bazë të rëndësishme burimore në sektorin e bakrit.

Rezervat kombëtare: Rreth 17.5 milionë tonë, të përqendruara kryesisht në zonat veriore (Munellë, Lak Roshi, Pukë), si dhe në rajonet e Korçës dhe Elbasanit.

Prodhimi vjetor: Rreth 618 mijë tonë mineral bakri (2021).

Eksportet: Rreth 25 milionë USD (2024, sipas UN COMTRADE).

Megjithatë, struktura e eksporteve mbetet kryesisht e bazuar në mineral të papërpunuar, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të vlerës së shtuar që mund të krijohej brenda vendit. Ky paradoks, pasuri natyrore e lartë, por përfitim ekonomik i pjesshëm  mbetet sfida kryesore e sektorit.

Lexo edhe: Rritje rekord e bizneseve të reja në Shqipëri në 2025-ën, QKB publikon të dhënat

Kompanitë kryesore dhe pesha e Beralb SHA

Industria shqiptare e bakrit dominohet nga disa aktorë kryesorë, ku Beralb SHA spikat si lider absolut. Kompania ka:

  • Mbi 120 milionë USD investime.
  • Kapacitet përpunimi deri në 600,000 tonë në vit në Fushë Arrëz.
  • Një rol kyç në zinxhirin e vlerës në sektor.

Në vitin 2014, Beralb SHA krijoi një partneritet strategjik me Jiangxi Copper, kompaninë më të madhe kineze të bakrit dhe një nga liderët globalë. Ky bashkëpunim forcoi investimet, modernizoi kapacitetet e përpunimit dhe e integroi më tej Beralb në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

Kompania ka zgjeruar bashkëpunimet edhe me partnerë ndërkombëtarë si Ekin Maden (Turqi). Rreth 75% e bakrit të prodhuar në Shqipëri gjatë 25 viteve të fundit është realizuar nga Beralb SHA, duke e pozicionuar kompaninë si lider absolut të sektorit, si për nga prodhimi, ashtu edhe për nga kapacitetet e përpunimit dhe niveli i punësimit.

Përveç Beralb, në sektor operojnë edhe:

Një numër kompanish më të vogla që operojnë mbi bazën e lejeve të dhëna nga AKBN.

Trashëgimia industriale: Nga zanafilla tek eksporti i telave dhe kabllove

Industria e bakrit në Shqipëri ka zanafillë në vitin 1936, kur italianët kryen kërkimet e para gjeologjike dhe filluan prodhimin në minierën e Rubikut, shoqëruar me ndërtimin e fabrikës së pasurimit dhe uzinës së shkrirjes.

Pas Luftës II Botërore, industria u riaktivizua në 1946, duke u mbështetur te Rubiku. Ritmet e prodhimit u rritën vit pas viti dhe në vitin 1960 u prodhuan 72,200 ton mineral dhe 950 ton bakër blister, i cili eksportohej.

Në dekadat e mëvonshme u vunë në shfrytëzim shumë miniera, u ndërtuan 7 fabrika pasurimi, 3 uzina bakri dhe Uzina e Telave dhe Kabllove në Shkodër. Uzina e Rafinimit të Bakrit Rubik, e ndërtuar me projekt kinez dhe vënë në punë në 1968, kishte kapacitet prodhues 1,500–2,000 ton/vit.

Produkti furnizonte Shkodrën, ku uzina e kabllove prodhonte 8–10 mijë ton/vit tela dhe kabllo, duke mbuluar nevojat e vendit dhe duke gjeneruar eksport. Ky model siguronte të ardhura më të larta, vende pune të kualifikuara dhe transferim teknologjie, duke e pozicionuar Shqipërinë si vend me kapacitete të avancuara industriale në rajon.

Nivelet më të larta të prodhimit u arritën në vitin 1989, me 1.14 milion ton mineral bakri, 62,000 ton koncentrate dhe 15,300 ton bakër blister. Eksporti i telave dhe kabllove përfaqësonte kulmin e krijimit të vlerës së shtuar, duke e shndërruar bakrin shqiptar nga lëndë e parë në produkt industrial konkurrues.

Sot, zinxhiri industrial i bakrit është i fragmentuar: uzina e Rubikut nuk funksionon më si rafineri elektrolitike, ndërsa uzina e kabllove në Shkodër ka humbur pjesën më të madhe të kapaciteteve prodhuese dhe ka dalë jashtë funksioni. Si pasojë, Shqipëria është e kufizuar kryesisht në eksportin e mineralit të papërpunuar.

Nga sfidë strukturore në mundësi zhvillimi

Sfida kryesore mbetet mungesa e përpunimit të thellë industrial. Pikërisht këtu qëndron mundësia strategjike:

  • Investime në rafineri dhe teknologji moderne.
  • Ringritje e industrisë elektrike dhe prodhimit të telave dhe kabllove.
  • Rritje e vlerës së eksporteve dhe e punësimit të kualifikuar.
  • Integrim më i fortë në zinxhirët globalë të furnizimit.

Parashikimet tregojnë një rritje mesatare prej 5.3% të tregut shqiptar të bakrit në vitin 2025, e mbështetur nga ndërtimi, elektronika dhe transporti. Pa një strategji të qartë industriale, kjo rritje mund të mbetet sipërfaqësore dhe e paqëndrueshme.

Në këtë kuadër, platforma kombëtare EksportON, e prezantuar nga AIDA në janar 2026, vendos eksportet në qendër të politikave ekonomike dhe synon rritjen e vlerës së produkteve “Made in Albania”. Përpjekjet e përbashkëta me AIDA në këtë drejtim nuk janë të reja. Më herët, në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë dhe Energjitikës, ajo ka punuar për promovimin e zonave dhe ish-objekteve industriale të lira, si dhe për të nxitur tërheqjen e investitorëve vendas dhe të huaj.

Ky zhvillim institucional përkon me nevojën për rikthimin e industrisë së përpunimit të bakrit, duke e shndërruar atë nga lëndë e parë në produkt me vlerë të shtuar për tregjet ndërkombëtare.

Rritja e çmimit të bakrit në nivele rekord nuk është thjesht një cikël i favorshëm tregu, por një provë strategjike për vizionin ekonomik të Shqipërisë.

Vendi gëzon rezerva të pasura natyrore, një trashëgimi industriale që dikur siguronte ciklin e mbyllur të përpunimit dhe aktorë të konsoliduar si Beralb SHA, të aftë për të mbështetur rikthimin e vlerës së shtuar.

Platforma kombëtare EksportON dhe politikat e reja për produktet “Made in Albania” tregojnë një orientim institucional drejt forcimit të eksporteve dhe tërheqjes së investimeve.

Sfida mbetet rikthimi i industrisë së përpunimit të bakrit, duke kaluar nga eksporti i mineralit të papërpunuar te prodhimi i telave, kabllove dhe komponentëve me vlerë të shtuar.

Nëse ky vizion zbatohet me investime të qëndrueshme, partneritete ndërkombëtare dhe teknologji moderne, Shqipëria mund të rikthehet si aktor konkurrues në tregun global të bakrit, jo vetëm si furnizues i lëndës së parë, por si prodhues industrial me peshë strategjike.

Pyetja e hapur: A do të vazhdojë Shqipëria të eksportojë mineral, apo do të rikthejë eksportin e vlerës së shtuar?

 

*Pellumb Qosej  është konsulent për Zhvillim Biznesi, Tregti Ndërkombëtare, Promovim Eksporti, Politika dhe të Tregut

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0