Astronomët janë tronditur nga zbulimi i një objekti të paidentifikuar që dërgon sinjale të çuditshme nga hapësira e thellë drejt Tokës. Objekti, i emërtuar ASKAP J1832-0911, u zbulua nga radioteleskopi australian Australian Square Kilometre Array Pathfinder (ASKAP) dhe teleskopi më i fuqishëm në botë për rrezet X, Chandra X-ray Observatory i NASA-s.
“Është ndryshe nga gjithçka që kemi parë më parë,” deklaroi Andy Wang, astronom në Universitetin Curtin në Perth të Australisë, në një deklaratë të publikuar këtë javë. Sipas ekspertëve, ASKAP J1832-0911 emeton impulse të rrezatimit radio dhe rrezesh X për dy minuta çdo 44 minuta. Gjetjet janë publikuar në revistën shkencore Nature. Ky objekt është klasifikuar si një “transient me periudhë të gjatë” ose “long-period transient (LPT)” – një trup kozmik që emeton sinjale radio të ndara nga disa minuta ose disa orë. Wang dhe ekipi i tij dyshojnë se mund të jetë një yll i vdekur, por mbetet mister pse ky objekt “ndizet” dhe “fiket” në intervale të rregullta dhe të pazakonta.
“ASKAP J1831-0911 mund të jetë një magnetar (bërthama e një ylli të vdekur me fusha të fuqishme magnetike), ose mund të jetë një sistem binar yjor ku njëri prej yjeve është një xhuxh i bardhë shumë i magnetizuar (yll me masë të vogël në fund të evolucionit të tij),” shpjegon Wang. “Megjithatë, as këto teori nuk e shpjegojnë plotësisht atë që po vëzhgojmë,” shton ai. “Ky zbulim mund të tregojë për ekzistencën e një forme të re të fizikës apo për modele të reja të evolucionit yjor.”
Ekipi i tij shpreson të zbulojë objekte të tjera të ngjashme përmes radioteleskopëve dhe teleskopit Chandra, me qëllimin që të kuptojnë më shumë mbi natyrën e LPT-ve. Ky nuk është i vetmi zbulim kozmik që ka tërhequr vëmendjen kohët e fundit. Më herët këtë muaj, Cambridge University Press raportoi se astronomët kishin zbuluar një sinjal të izoluar nga zhurma ndëryjore që mund të jetë shenjë e ekzistencës së biologjisë aktive në një tjetër planet. “Astronomët kanë zbuluar shenjat më premtuese deri më tani për një bioshenjë të mundshme jashtë sistemit tonë diellor, edhe pse mbeten të kujdesshëm,” thuhej në njoftimin për media nga botuesi prestigjioz.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto