Arsimi Digjital 2025–2030, internet të shpejtë në shkolla dhe 5500 laptopë - Business Magazine Albania

Arsimi Digjital 2025–2030, internet të shpejtë në shkolla dhe 5500 laptopë

Cens

Deri në vitin 2029 shkollat shqiptarë publike do të kenë internet të shpejtë, laboratorë smart dhe laptopë në dispozicion të mësimdhënies. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar për konsultim publik projektvendimin për miratimin e Planit të Veprimit të Arsimit Digjital për periudhën 2025–2030, i cili synon të vendosë themelet për një sistem arsimor bazuar në digjitalizim.

Ndërhyrjet më konkrete përfshijnë zgjerimin e rrjetit të SMART-lab-eve në të gjitha shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm, një projekt tashmë i mbështetur nga Banka Botërore. Kjo nismë, parashikohet të ketë një kosto totale prej rreth 3.47 miliardë lekësh. Financimi për këtë projekt është planifikuar të shpërndahet në mënyrë të barabartë në tri faza gjatë viteve 2026, 2027 dhe 2028, me nga rreth 1.16 miliardë lekë për secilin vit.

Synohet blerja e 5,500 kompjuterëve portativë (laptopë) për nxënësit dhe mësuesit, si pjesë e Programit Operacional Shumëvjeçar “Ekonomia dhe Shoqëria Digjitale 2024–2027”, të financuar nga fondet e IPA iII. Kjo ndërhyrje ka një kosto prej 550 milionë lekësh, është planifikuar të realizohet në dy faza, në vitin 2026 dhe 2027, me nga 275 milionë lekë secili vit. Për këtë projekt financimi mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit.Gjithashtu synohet zgjerimi i aksesit në rrjetin broadband dhe Wi-Fi me shpejtësi të lartë, për të siguruar lidhje të qëndrueshme dhe të barabartë në të gjitha institucionet para-universitare dhe të arsimit të lartë në vend. Kostoja totale e kësaj nisme është 325 milionë lekë, e planifikuar të ndahet në mënyrë të barabartë përgjatë viteve 2026, 2027 dhe 2028. Edhe kjo ndërhyrje do të financohet vetëm nga buxheti i shtetit.

Lexo edhe: Bie përdorimi i ChatGPT për herë të parë që prej vitit 2022

Përveç investimeve në infrastrukturën digjitale, plani thekson edhe nevojën për zhvillimin e standardeve për kompetencën digjitale, përmirësimin e kapaciteteve profesionale të mësuesve dhe krijimin e mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit të progresit në digjitalizim.

Ministria e Arsimit në relacionin që shoqëron konsultimin publik të strategjisë sqaron se ky plan synon të adresojë hendekun digjital mes zonave urbane dhe rurale, por edhe të mbështesë objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm në arsim, në përputhje me prioritetet strategjike të Bashkimit Europian.

Niveli i ulët i infrastrukturës digjitale në shkolla është bërë shkak për rezultate të ulëta të nxënësve shqiptare në testet globale të PISA. Nxënësit dhe mësuesit shqiptarë u përballen me vështirësi gjatë pandemisë për të zhvilluar mësimin online. Humbjet në nxënien e dijeve të reja ishin më të mëdha se në vendet e tjera në të njëjtat kushte zhvillimi.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0