Arlinda Kora: Rezidenca luksoze dhe vila pas Covid-19, trendet që po ndryshojnë Shqipërinë - Business Magazine Albania

Arlinda Kora: Rezidenca luksoze dhe vila pas Covid-19, trendet që po ndryshojnë Shqipërinë

Me mbi 12 vjet eksperiencë në tregun imobiliar shqiptar nën logon e Century 21 CPM Albania, Arlinda Kora ka ndjekur nga afër transformimet e mëdha që kanë prekur qytetet dhe bregdetin e vendit. Nga Tirana urbane deri te destinacionet turistike të jugut, ajo ka parë një ndryshim të thellë, jo vetëm në volum, por edhe në cilësi.

Mund ta quaj veten me fat që kam pasur mundësinë të ndjek nga afër zhvillimet e dekadës së fundit në treg, duke parë me sytë e mi ndryshimin e madh që ka ndodhur nga Tirana e deri në jug të vendit. Këto kanë qenë vite ku ndërtimi ka njohur një standard krejt tjetër, me cilësi më të lartë dhe me një vizion më modern të hapësirave urbane. Kullat, që sot janë bërë pjesë e pandashme e siluetës së kryeqytetit, kanë ndryshuar ndjeshëm dinamikat e tregut të banesave dhe të pronave në Tiranë, duke sjellë jo vetëm një ofertë të re, por edhe një mënyrë tjetër të të jetuarit.

Në të njëjtën kohë, rritja e vazhdueshme e fluksit turistik ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në këtë transformim. Kërkesat gjithnjë e më të larta për akomodim modern dhe komod kanë nxitur investitorët të ndërtojnë më shumë rezidenca, shpeshherë të projektuara për të përmbushur pritshmëritë e vizitorëve ndërkombëtarë.” shpjegon ajo.

Përveç qendrave urbane, edhe periferia e Tiranës ka pësuar një zhvillim galopant gjatë dekadës së fundit. “Vilat tepër luksoze, sidomos pas Covid-19, janë shitur më shumë. Kjo ka bërë që të vazhdojnë ndërtimet e komplekseve jashtë Tiranës, ku mund të përmend si një ndër më të kërkuarat zonën e Farkës,” tregon Arlinda, duke nxjerrë në pah ndryshimin e strukturës së vendbanimeve afër kryeqytetit.

Shqipëria në fokus global

Në një pyetje për të kuptuar nëse Shqipëria ka arritur momentin e vëmendjes globale, Arlinda thekson: “Jemi në momentin më të mirë. Shqipërinë po e njeh Europa dhe bota mbarë. Ajo që i tërheq investitorët është pjesa e çmimit, ku jemi shumë më lirë krahasuar me rajonin, sidomos në bregdet, ku cilësia e ndërtimit është shumë e mirë.

Ajo shpjegon gjithashtu se trendi i blerjes “pre-sale” është një faktor tërheqës për investitorët. “Investitorët blejnë objektet para përfundimit të tyre dhe i shesin më pas me çmime të larta, duke siguruar fitime të konsiderueshme. Koha kalon, por çmimet, sidomos në jug të vendit, do të vazhdojnë të jenë të larta ose do të rriten. Pra, nuk ka një kohë më të mirë për të investuar sesa tani,” thekson ajo.

Luks, privatësi dhe cilësi jete

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që diskutuam ishte rritja e cilësisë së ndërtimit dhe pritshmëritë e klientëve. Arlinda vë në dukje se investimet në fasada dhe materialet moderne po bëjnë ndryshimin, jo vetëm në godina më të bukura, por edhe më shtrenjta: “Është shumë e dukshme që ndërtimet e reja investohen shumë edhe në fasada. Çmimi dhe kostoja e tyre ndikojnë drejtpërdrejt edhe në vlerën e banesave.

Sot, klientët kërkojnë jo vetëm luks dhe privatësi, por mbi të gjitha komoditet. “Kemi klientë që shesin banesat e tyre për t’u afruar pranë prindërve, sepse Tirana gjithnjë e më shumë po bëhet një qytet me qarkullim të ndërlikuar dhe jo gjithmonë i lehtë për t’u lëvizur. Ata duan të jenë afër shkollave, kopshteve dhe të kenë akses të mirë në infrastrukturë e shërbime” shpjegon Arlinda.

Zonat më të kërkuara

Kur e pyetëm për “hot spot”-et e investimeve aktuale, Arlinda identifikon disa zona kyçe. “Paskuqani ka njohur një bum shitjesh në vitin 2025. Gjithashtu, në Durrës, veçanërisht zonat e Golemit dhe Qerretit, ka shumë interes. Qendra e Tiranës dhe bulevardi i ri po tërheqin gjithashtu vëmendje për shkak të planifikimit urban dhe cilësisë së ndërtimit.

Jugu i Shqipërisë, veçanërisht zonat e njohura si Jala dhe Palasa, mbetet thesari i vërtetë i investimeve. “Është një kombinim i turizmit të zhvilluar dhe mundësive për fitime të larta që e bën këtë zonë magnet për investitorët,” shton ajo.

Një treg që rritet me ritme globale

Eksperienca e Arlindës tregon se tregu imobiliar shqiptar po integron gradualisht trendet rajonale dhe globale. Cilësia e ndërtimit, larmia e opsioneve dhe mundësia për fitime të shpejta kanë bërë që vendi të tërheqë investitorë të ndryshëm. “Njerëzit po kuptojnë se Shqipëria ka një potencial të madh dhe është koha që ky potencial të shfrytëzohet,” thekson ajo, duke reflektuar optimizmin që shoqëron zhvillimin e tregut.

Në fund, Arlinda sugjeron se kombinimi i luksit, privatësisë, aksesit në infrastrukturë dhe çmimeve konkurruese është çelësi për tërheqjen e investitorëve. Sipas saj, tregu imobiliar shqiptar nuk është më thjesht një vend për të blerë një pronë; është një mundësi strategjike për ata që duan të kombinojnë fitimin me cilësinë dhe vendndodhjen.

Ky artikull është publikuar në numrin 39 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0