Apokalipsi i kriptove në SHBA, ligjet e reja mund të rrezikojnë stabilitetin financiar - Business Magazine Albania

Apokalipsi i kriptove në SHBA, ligjet e reja mund të rrezikojnë stabilitetin financiar

Bitcoin

Me miratimin e GENIUS Act, Shtetet e Bashkuara do të lejojnë të gjitha llojet e kompanive (përfshirë platformat më të mëdha teknologjike) të lëshojnë paratë e tyre në formën e aseteve kripto të njohura si “stablecoins”. Me një ligj të vetëm, Kongresi e ka bërë sistemin financiar amerikan më të ndjeshëm ndaj krizave, ka rritur mundësitë e shpëtimeve qeveritare për platformat teknologjike, dhe ka thelluar fuqinë politike të Silicon Valley, tashmë të konsiderueshme.

As rreziqet nuk përfundojnë këtu. Duke miratuar një alternativë më pak të rregulluar ndaj depozitave bankare, Kongresi mund të ketë krijuar kushte që do të pengojnë rrjedhën e kredive për ndërmarrjet produktive, si dhe të kufizojë aftësinë e Rezervës Federale për të kryer politikë monetare përmes operacioneve të tregut të hapur.

Për më tepër, Dhomë e Përfaqësuesve së fundmi ka miratuar CLARITY Act, e cila do të ndryshojë ligjet e sigurisë duke krijuar boshllëqe të mëdha për asetet të cilat zotërimi i tyre regjistrohet në një blockchain. Ligji nuk është i garantuar të miratohet, tani që aktorë të tjerë të tregut financiar po zgjojnë vëmendjen ndaj rreziqeve që mund të shkaktohen nga shkatërrimi i integritetit të tregjeve kapitale amerikane. Megjithatë, rreziku që ai të bëhet ligj nuk mund të injorohet. Nëse ndodh, ne praktikisht do të kthehemi te tregjet “blerësi kujdes” të viteve 1920.

Duke e bërë situatën edhe më të komplikuar, këto ligje patjetër do të krijojnë presion që edhe vende të tjera të ndjekin të njëjtën rrugë. Interesa të veçanta dhe grupe të ndryshme do të bombardojnë ligjvënësit e huaj me argumente se nuk duan të mbeten pas në inovacion dhe me shqetësime për monedhat lokale që mund të zëvendësohen nga stablecoin-e të denominuara në dollar amerikan.

Por do të ishte gabim të shihnim ligjet e reja të kriptove të Amerikës si shembuj të masave të mençura inovative ose politikave gjeopolitike të zgjuara. Përkundrazi, këto projekt-ligje po avancojnë në një kohë kur SHBA po shkurton financimin publik për kërkime shkencore dhe teknologjike, duke ngritur dyshime serioze për angazhimin e vendit ndaj inovacionit. Për më tepër, dominanca e dollarit mbështetet në baza politike dhe ekonomike, jo në infrastrukturën teknologjike të monedhës, dhe politika tregtare e administratës dhe sulmet ndaj pavarësisë së bankës qendrore mund të kërcënojnë këto baza.

Edhe industria e kriptove mund të pendohet për miratimin e këtyre ligjeve. Si shpjegoj në librin tim Fintech Dystopia, industria nuk i detyrohet avantazhit të saj konkurrues teknologjisë blockchain, por arbitrazhit rregullator. Deri tani ka përfituar duke luajtur sipas një seti më të butë rregullash se kundërshtarët e saj të rregulluar në sektorin financiar tradicional.

A do ta humbasë këtë avantazh ndërsa këto ligje çlirojnë deregulimin më të gjerë financiar? Në tregjet financiare ku askush nuk mund t’i besojë asgjëje, pse të presim që kriptovalutat, të cilat tashmë kanë një reputacion të keq tek shumica e amerikanëve, të lulëzojnë?

Lexo edhe: Inteligjenca artificiale “si e vetëdijshme”? Mustafa Suleyman paralajmëron për rreziqet

Nëse këto ligje nuk janë në interesin afatgjatë të popullit amerikan ose edhe të industrisë së kriptove, çfarë po i motivon të miratohen? Pa dyshim, industria e kriptove dëshiron këtë legjislacion sepse sheh një mundësi për fitime afatshkurtra dhe nuk e ka problem ndikimin e mundshëm afatgjatë të ligjit. Principi i thjeshtësisë (Occam’s razor) tregon qartë se super PAC-et e lidhura me industrinë e kriptove  të financuara kryesisht nga Coinbase, Ripple, dhe Andreessen Horowitz  ishin përgjegjëse për rreth 44% të të gjitha shpenzimeve korporative në ciklin zgjedhor të vitit 2024.

Por gjithashtu duhet të marrim parasysh disa ideologji të pazakonta që mbizotërojnë në Silicon Valley. Merrni në konsideratë lëvizjen “Network State”. E mbështetur nga disa figura kyçe të industrisë së kriptove, si Brian Armstrong, CEO i Coinbase, ajo synon të ndërtojë rrjete sociale të lidhura me kriptovaluta që do të dalin jashtë juridiksionit të qeverive kombëtare dhe do të kërkojnë njohje diplomatike nga shtetet reale.

Besnikët e vërtetë të kësaj lëvizjeje nuk kanë interes të bëjnë funksionale shtetet kombëtare dhe padyshim do të shihnin kaosin pas një krize financiare si një mundësi për të avancuar vizionin e tyre. Për shembull, komuniteti online Praxis (me mbështetje nga emra të njohur të Silicon Valley, si Marc Andreessen, Peter Thiel, dhe Sam Altman) deklaron në faqen e tij: “Ndërsa komunitetet lokale shpërbëhen dhe Shtetet Kombëtare rrëshqasin … ne do të shohim përparimin e Kombëve Digjitale mbi Shtetet Kombëtare në kohë reale.”

Ekziston gjithashtu një dimension eskatologjik në botëkuptimin e shumë elitave të Silicon Valley. Si thekson filozofi Émile Torres, tipi i Silicon Valley beson gjithnjë e më shumë se inteligjenca artificiale e vërtetë do ta përfundojë botën siç e njohim. Në këtë kontekst, një krizë financiare globale do të dukej si një ngjarje e parëndësishme. Nëse jeni të bindur se mënyra jonë aktuale e jetesës po mbaron, ka kuptim të përqendroheni në sigurimin që pasardhësit tanë kibernetikë të lulëzojnë në galaktika të tjera.

Përveç rreziqeve të dukshme për mbrojtjen e konsumatorit dhe stabilitetin financiar që sjell prania e tregjeve kripto të dereguluara, këto motivime ideologjike duhet të shqetësojnë ligjvënësit e huaj që po konsiderojnë legjislacionin e tyre të kriptove. Për shumë, qëllimi i ligjeve në stil amerikan është të ndërtojnë sisteme monetare dhe financiare jashtë kufijve të përgjegjësisë demokratike. Çdo person i shqetësuar për demokracinë dhe sovranitetin e tij do të bënte mirë të mos ndiqte rrugën e Amerikës.

*Hilary J. Allen, Profesore e së Drejtës në American University Washington College of Law, është autore e Driverless Finance: Fintech’s Impact on Financial Stability (Oxford University Press, 2022). 

Copywrite: Project Syndicate

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0