“Alitalia”, kompania e fluturimeve ajrore italiane nis procedurat e falimentimit - Business Magazine Albania

“Alitalia”, kompania e fluturimeve ajrore italiane nis procedurat e falimentimit


Kompania kryesore e fluturimeve ajrore italiane, e zhytur në telashe, do të kërkojë formalisht nisjen e procedurave të falimentimit, pasi punonjësit e saj refuzuan planin e ristrukturimit.

Kompania tha se fluturimet e saj do të vazhdojnë siç janë planifikuar, ndërsa administratorët do të shohin nëse ka mundësi që të ndryshojnë fatin e saj.

Gjatë dekadës së fundit, “Alitalia” ka marrë më shumë se 7 miliardë euro nga shteti për të mbuluar borxhet, por pa mbështetje të mëtejshme, avionët e saj rrezikojnë që të ndalen në mënyrë të përhershme.

Javën e kaluar, punëtorët e kompanisë votuan kundër planit për të shkurtuar vendet e punës dhe pagat, diçka që do t’i siguronte “Alitalia”-s fonde të reja. Plani i ristrukturimit kishte mbështetjen edhe të kompanisë “Tehad” që zotëron 49% të “Alitalia”-s, por pa miratimin e punonjësve të saj nuk mund të bëhej asgjë.

Duket se fondet nga Roma janë ndërprerë përfundimisht, megjithëse në një sforco finale, qeveria i dha “Alitalia”-s 400 milionë euro për të vazhduar fluturimet, ndërsa kryhet procesi i falimentimit.

Ministri italian i Financave, Pier Carlo Padoan tha se qeveria nuk ka më fonde për “Alitalia”-n, gjë që mbështetet edhe nga publiku i gjerë, pasi shumica e italianëve mendojnë se nuk duhen hedhur më para në një pus pa fund.

Burimi: arbresh.info

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0