Alarm në Eurozonë, sektori privat në rënie, shërbimet goditen më rëndë - Business Magazine Albania

Alarm në Eurozonë, sektori privat në rënie, shërbimet goditen më rëndë

Monedhe

Sektori privat në eurozonë është tkurrur në mënyrë të papritur në maj, për herë të parë këtë vit, si pasojë e dobësimit të kërkesës dhe rikthimit të pesimizmit, që goditën veçanërisht shërbimet. Kjo e shtyu aktivitetin ekonomik të përgjithshëm në nivelin më të ulët të gjashtë muajve të fundit. Sipas të dhënave paraprake të mbledhura nga S&P Global, indeksi i përbashkët i menaxherëve të blerjes (PMI) për eurozonën ra në 49.5 në maj, nga 50.4 në prill, shumë më poshtë pritshmërive të ekonomistëve (50.7) dhe më i ulëti që nga nëntori 2024. Një vlerë nën 50 sinjalizon tkurrje ekonomike.

Sektori i shërbimeve në rënie të lirë
Rënia e majit i atribuohet një ngadalësimi të ndjeshëm të sektorit të shërbimeve, ku aktiviteti ra për herë të parë në gjashtë muaj dhe me ritmin më të shpejtë që nga janari 2024. Indeksi i shërbimeve zbriti në 48.9, nga 50.1 muajin e kaluar, nën pritshmërinë prej 50.3. Prodhimi industrial mbeti i dobët, me një PMI prej 48.4, një rritje e vogël nga 48.0 në prill, por ende nën pragun e rritjes. Në të njëjtën kohë, besimi i biznesit në eurozonë u përkeqësua për të dytin muaj radhazi, duke arritur nivelin më të ulët që nga tetori 2023. Përsëri, sektori i shërbimeve ishte më i prekuri, ku optimizmi zbriti në nivele që nuk janë parë që nga shtatori 2022.

“Mos i fajësoni tarifat këtë herë”
Dr. Cyrus de la Rubia, kryeekonomist në Hamburg Commercial Bank, u shpreh se shifrat tregojnë një ekonomi që vuan për të fituar vrull: “Që nga janari, PMI i përgjithshëm ka treguar vetëm shenja të lehta rritjeje, ndërsa në maj sektori privat rrëshqiti në tkurrje,” – tha ai. “Mos i fajësoni tarifat amerikane për këtë situatë. Madje, përpjekjet për t’u paraprirë atyre mund të shpjegojnë pse prodhimi industrial është mbajtur disi më mirë.”

Lexo edhe: Europa e vetmuar, çfarë ndodh kur Amerika tërhiqet nga kontinenti i vjetër!

Sipas tij, prodhuesit në eurozonë kanë rritur prodhimin për muajin e tretë radhazi, me porositë e reja që nuk janë më në rënie, diçka që nuk ishte parë që nga prilli 2022. Megjithatë, shërbimet që zakonisht janë më të mbrojtura ndaj tronditjeve të jashtme po tregojnë gjithnjë e më shumë dobësi. “Kërkesa e jashtme për shërbime po zbutet, por është kërkesa e brendshme e dobët që po e tërheq poshtë sektorin,” tha de la Rubia. Kjo gjendje përkon me pritshmëri të zymta dhe një rikuperim të vakët.

Çfarë pritet nga Banka Qendrore Evropiane?
Të dhënat e reja për PMI paraqesin një tablo të përzier për BQE-në. Edhe pse inflacioni i çmimeve të shitjes në sektorin e shërbimeve ra pak nga një nivel tashmë i ulët, kostot e hyrjes janë në rritje dhe madje mund të jenë duke u përshpejtuar, kryesisht për shkak të pagave më të larta, ndërsa çmimet e energjisë po bien.

Megjithatë, sipas de la Rubia, BQE ka të ngjarë të vazhdojë me ulje të kujdesshme të normave të interesit, veçanërisht pasi çmimet e blerjes në industri po bien.

Gjermania: Ekonomia zvarritet, pavarësisht qëndrueshmërisë së prodhimit
Në Gjermani, ekonomia më e madhe e eurozonës, aktiviteti ekonomik u tkurr më tej në maj. PMI i përbashkët ra në 48.6, nga 50.1 në prill. Ndërsa prodhimi industrial u përmirësua lehtë në 48.8, shërbimet e tërhoqën ekonominë poshtë, me indeksin që ra ndjeshëm në 47.2, nga 49.0. “Prodhimi po qëndron më mirë – ai është rritur për tre muaj me radhë dhe porositë e reja po shtohen,” tha de la Rubia. “Por në sektorin e shërbimeve, aktiviteti ka pësuar një rënie të thellë që ka zhytur gjithë ekonominë në tkurrje.”

Sipas tij, shpresat për stimuj fiskalë, veçanërisht në infrastrukturë dhe mbrojtje mund të ndihmojnë në muajt e ardhshëm. Çmimet më të ulëta të energjisë gjithashtu ofrojnë një lehtësim për industrinë.

Në një raport të veçantë të publikuar të enjten, besimi i biznesit në Gjermani, i matur nga instituti Ifo, u rrit në 87.5 në maj, nga 86.9 – niveli më i lartë që nga qershori 2024 dhe rritja e pestë mujore me radhë, në kontrast me të dhënat më të dobëta të S&P Global.

Franca: Stabilizim i lehtë në industri, por shërbimet mbeten të dobëta
Në Francë, situata mbetet e dobët por me shenja stabilizimi. PMI i përbashkët u rrit lehtë në 48.0 në maj, nga 47.8 në prill. PMI i prodhimit arriti në 49.5, më i larti që nga shkurti 2023, ndërsa shërbimet mbetën të dobëta në 47.4.

“Sektori privat francez mbeti i dobët në maj,” tha Jonas Feldhusen, ekonomist në Hamburg Commercial Bank.
“PMI paraprak sinjalizon ende tkurrje, duke reflektuar sfidat që Franca po përjeton mes pasigurive politike të brendshme dhe një mjedisi makroekonomik të brishtë.”

Sipas tij, ka ndarje të qarta mes sektorëve: prodhimi po rikuperohet falë rritjes së outputit në fabrika, por shërbimet po përkeqësohen më tej, me kërkesë të dobët dhe pritshmëri të ulëta për punësim. Feldhusen paralajmëroi për presion mbi marzhet e fitimit: “Ndërsa çmimet e shitjes ranë në territor deflacionist, inflacioni i kostove të inputeve u përshpejtua në maj, duke sinjalizuar ngushtim të fitimeve – veçanërisht në sektorin e shërbimeve.”

Reagimet e tregut: Bursat bien, euro qëndron
Pavarësisht të dhënave më të dobëta se pritej, euro qëndroi e stabilizuar të enjten, falë skepticizmit të investitorëve ndaj dollarit amerikan, mes shqetësimeve në rritje për borxhin federal në SHBA.

Rreth orës 10:20 të mëngjesit (sipas orës së Evropës Qendrore), euro tregtohej rreth 1.1330 USD, pa ndryshim të ndjeshëm nga dita e mëparshme. Tregjet e obligacioneve në Gjermani patën lëvizje të kufizuara: bono 10-vjeçare u qëndruan në 2.65%, ndërsa obligacionet 2-vjeçare ranë me 3 pikë bazë në 1.83%, duke reflektuar pritshmëritë për ulje të mëtejshme të normave nga BQE. Bursat e eurozonës ndoqën rënien e Wall Street-it të mërkurën.

Indeksi Euro STOXX 50 ra me 1.4%, me humbje në 43 nga kompanitë e tij. Indekset kombëtare pësuan rënie më të lehta: DAX-i gjerman dhe CAC 40 i Francës ranë me nga 0.7%, FTSE MIB i Italisë me 0.9% dhe IBEX 35 i Spanjës me 0.7%.

Euronews.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0