Akseleratori Growpreneur përgatitet për finalen e edicionit të dytë! - Business Magazine Albania

Akseleratori Growpreneur përgatitet për finalen e edicionit të dytë!

Growpreneur është krijuar përmes bashkëpunimit të Yunus Social Business Balkans dhe EU for Innovation, si një program fleksibël dhe i personalizuar për të gjithë startup-et. Pas suksesit të edicionit të parë Growpreneur po përgatitet për finalen e edicionit të dytë më 27 Janar, ku do të prezantohen 8 startup-et finaliste përpara jurisë së investitorëve. Më poshtë gjeni një intervistë me organizatorët e Growpreneur për më tepër detaje rreth këtij edicioni.

Si ka ecur ky edicion i Growpreneur? Cilat kanë qenë pritshmëritë fillestare dhe a i keni përmbushur?

Edicioni i 2-të i Growpreneur ka qenë edhe më dinamik se i pari. Përmes edicionit të 1-rë nxorëm disa mësime, të cilat u përpoqëm t’i implementojmë tek Edicioni i 2-të. Duke qenë se YSBB drejton programe të ngjashme që prej vitit 2013, pritshmëritë janë gjithnjë aty, në lidhje me aplikimet, në lidhje me llojet dhe cilësitë e ideve, shumëllojshmërinë e themeluesve, diversitetin në ekspertë e mentorë. Në total është një kombinim i disa faktorëve, të cilët paraqesin sfida të bukura dhe premtojnë progres, ne jemi të lumtur për të gjithë rrugëtimin e këtij edicioni.

Çfarë opinioni keni për nivelin e startup-eve në këtë edicion. A ka rritje të aplikimeve dhe kryesisht të ideve cilësore në dallim nga edicioni i kaluar?

Jemi një ekosistem ose komunitet sipërmarrje në rritje dhe ende në fazat e para. Kjo e bën sipërmarrjen të vështirë për ata që dëshirojnë të merren me të me kohë të plotë dhe njëlloj të vështirë për ata të cilët punojnë me kohë të plotë diku dhe gjithashtu përpiqen të nisnin një sipërmarrje. Për rrjedhojë, këto sfida ndikojnë edhe në sasi edhe në cilësinë e startup-eve, jo vetëm tek Growpreneur por kudo. Megjithatë, këtë edicion shohim rritje të digjitalizimit dhe përdorimit të teknologjisë si dhe dëshirës për të aksesuar tregjet ndërkombëtare. Ky është një sinjal pozitiv për të cilin jemi entuziast!

Regjistrohuni këtu për t’u bërë pjesë e Growpreneur Demo Day!

Kur pritet të organizohet finalja, sa startup-e kanë arritur në të dhe çfarë çmimesh janë parashikuar?

Demo Day do të zhvillohet në datën 27 Janar në orën 18.00 tek Hotel Tirana International si një kulm i të gjithë rrugëtimit të Growpreneur. Do të jenë 8 startupe që do të prezantojnë progresin e tyre dhe potencialin që përfaqësojnë përpara investitorëve të industrive të ndryshme. Çmimet janë të larmishme pasi çdo investor do të ketë mundësinë të zgjedhë vetë startup-in në të cilin dëshiron të investojë. Pra në një mënyrë, ndryshe nga format e tjera tradicionale nuk do të ketë një juri që vlerëson por investitor i cili sheh një interes dhe propozon përfshirjen.

A keni vënë re më tepër interes nga investitorët, do të arrijnë startup-et që të marrin dhe mbështetje financiare për t’u zhvilluar më tej?

Dëshira jonë është ndërmjetësimi mes investitorëve dhe startupeve, jo domosdoshmërisht investimi monetar sepse jo gjithmonë ai është më i nevojshmi por “investimi” me mjetet e duhura që të ndihmojë startupet të rriten dhe të zgjerohen në tregje edhe më të mëdha.

Deri pak vite më parë të thoshe “jam një sipërmarrës, po krijoj një startup timin” konsiderohej deri diku si një sinonim i të qenit i papunë, a mendoni se keni arritur ta ndryshoni sadopak këtë mentalitet, ta përmirësoni në mënyrë që më shumë persona të nxiten ti ndjekin idetë e tyre?

Në fakt vazhdon të thuhet kjo “jam nje sipermarres, po krijoj nje startup timin”, por tashmë nuk lidhet aq shumë me papunësinë. Sot njoh mjaft sipërmarrës të cilët punojnë përkohësisht full time dhe pjesën tjetër të kohës ja dedikojnë ndërtimit të startup-it të tyre. Është sfidë e madhe personale të heqësh dorë nga çdo burim tjetër të ardhurash për t’u marrë 100% me startup-in tënd. Sot mendoj se përmes të gjithë aktorëve në ekosistem ose komunitet, kemi arritur që të shohim pozitivisht faktin që sipërmarrësit nuk janë kurrë pa punë, sepse gjithnjë janë në kërkim të zgjidhjeve për problemet që ata hasin ose evidentojnë. Sa më shumë që të përforcojmë këtë aq më shumë do të motivojmë të tjerët të përfshihen në mendësinë e sipërmarrjes.

Regjistrohuni këtu për t’u bërë pjesë e Growpreneur Demo Day!

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, kur mund të presim një edicion tjetër, për ata që nuk kanë aplikuar apo nuk kanë kaluar në fazën e parë këtë herë?

Në pranverën e këtij viti synojmë të nisim me edicionin e 3të të Growpreneur, gjithnjë sipas planeve dhe ambicjeve tona. Megjithatë Growpreneur ka lënë gjatë gjithë kohës një derë hapur për të gjithë sipërmarrësit që kanë nevojë për ekspertizë në mënyrë selektive, sepse e kuptojmë se në sipërmarrje gjërat lëvizin shumë shpejt dhe nevojat po ashtu shfaqen të menjëherëshme.

Intervistoi: Prishila Gjoka

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0