Nga Sami Mahroum* -Në një kohë kur besimi i publikut te qeveritë në demokracitë e konsoliduara ka rënë në nivele alarmante, shumëkush shqetësohet se inteligjenca artificiale (IA) do ta përkeqësojë situatën duke nxitur dezinformimin dhe duke minuar besimin te vetë faktet. Por mjetet e reja të IA-së mund të jenë pjesë e zgjidhjes së deficitit të besimit që po përjetojnë demokracitë.
Sipas OECD-së, vetëm 39% e qytetarëve në vendet anëtare kanë besim te qeveria e tyre kombëtare, nga 45% që ishte kjo shifër në vitin 2021. Në Shtetet e Bashkuara, studimet e Pew Research tregojnë se besimi lëkundet pranë niveleve historikisht më të ulëta, rreth 17%, me trende të ngjashme në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi. Në kontrast, qeveritë teknokratike më efikase në botë gëzojnë nivele shumë më të larta besimi, me tregues që kalojnë 70% në Singapor dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Madje, edhe sistemi autoritar i Kinës i tejkalon shumë demokraci perëndimore në këtë drejtim.
Shpjegimi tradicional për këtë hendek, se demokracitë ftojnë kritikën ndërsa autokracitë imponojnë bindjenështë tepër i thjeshtuar. Teknokracitë me besim të lartë ndajnë edhe diçka tjetër: ato ofrojnë rezultate me kompetencë, duke mbetur njëkohësisht të ndjeshme ndaj shqetësimeve të publikut. Politikëbërja e udhëhequr nga ekspertët është ndërthurur me legjitimitetin popullor.
Kjo nxjerr në pah një sfidë më të thellë me të cilën përballen qeveritë demokratike: zgjerimin e hendekut midis “racionalitetit të kufizuar” dhe “racionalitetit abstrakt” në politikëbërje. Këtu, racionaliteti i kufizuar i referohet fushës së aktorëve me përvojë brenda sistemit, të cilët hartojnë politika të formësuara nga realizmi politik, ndjeshmëria publike dhe ajo që ka funksionuar më parë. Racionaliteti abstrakt është sfera e ekonomistëve dhe ekspertëve teknikë, që synojnë të optimizojnë politikat për efikasitet. Ata priren të shqetësohen më shumë për provat dhe koherencën teorike sesa për kufizimet reale politike.
Kur racionaliteti i kufizuar dominon tepër, politikëbërja perceptohet si cinike dhe e diktuar nga sondazhet. Qytetarët e ndjejnë se zyrtarët publikë po i japin përparësi mbijetesës politike në vend të zgjidhjes së problemeve. Kur politika teknikisht më superiore (si taksa e karbonit) braktisen në favor të alternativave politikisht më të sigurta, por më pak efektive, besimi gërryhet.
Në mënyrë të ngjashme, kur racionaliteti abstrakt merr epërsi të tepruar, politikëbërja duket e largët dhe e shurdhër ndaj realitetit. Qeveritë prezantojnë reforma të dizajnuara nga ekspertë që duken brilante në tabela Excel, por që përplasen me realitetet politike. Reforma pensionale që do të kursente miliarda dollarë përfundon duke shkaktuar javë të tëra grevash të kushtueshme. Një ristrukturim spitalor që duhet të përmirësonte rezultatet përfundon duke i kushtuar ministrit të shëndetësisë postin e tij. Besimi bie sepse qeveritë duken indiferente ndaj shqetësimeve legjitime të publikut.
Historitë e suksesit teknokratik e kanë shmangur këtë kurth. Qeveria e Singaporit kombinon analiza të rrepta të politikave me njohuri të sofistikuara mbi mënyrën se si do të priten këto politika nga publiku. Në mënyrë të ngjashme, politikëbërësit në vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit investojnë fuqishëm si në ekspertizën teknike, ashtu edhe në mekanizma për të matur kënaqësinë e qytetarëve. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, pothuajse të gjithë ofruesit e shërbimeve publike janë të pajisur me stenda feedback-u për kënaqësinë e përdoruesve. Në vend që të favorizojnë një formë racionaliteti ndaj tjetrës, këto vende i kanë integruar ato.
Lexo edhe: Davos 2026 alarmon botën, IA po rritet shpejt, por a po mbetet njeriu pas?
Demokracitë perëndimore e kanë më të vështirë ta bëjnë këtë, pjesërisht sepse autoriteti qeverisës minohet vazhdimisht nga polarizimi dhe partizanizmi konfliktual. Ndërsa ekonomistët theksojnë se heqja e subvencioneve të karburantit do të kursente para dhe do të ulte pabarazinë, zyrtarët e zgjedhur e dinë se kjo do të shkaktonte një tërmet politik. Ndërsa modelet e thesarit nënvizojnë domosdoshmërinë e reformave pensionale, të dhënat e sondazheve tregojnë se politika të tilla janë vetëvrasje elektorale. Ndërsa dy racionalitetet flasin pa u dëgjuar mes tyre, qeveritë lëkunden midis tejkalimeve teknokratike dhe kapitullimeve politike, duke prodhuar paralizën që ka filluar të karakterizojë shumë demokraci.
Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në kapërcimin e këtij hendeku. Modelet e mëdha gjuhësore (LLM) shfaqin një kapacitet të veçantë për analizën e politikave. Ndryshe nga modelet tradicionale të vendimmarrjes që optimizojnë parametra të paracaktuar, LLM-të kanë përvetësuar mënyrën se si njerëzit flasin realisht për rezultatet e politikave, duke reflektuar shqetësime morale, ngarkesa emocionale, narrativa politike dhe perspektiva të aktorëve të ndryshëm.
Për shembull, kur analizon një propozim për politikën e strehimit, një LLM nuk vlerëson vetëm efikasitetin ekonomik. Ajo mund të sinjalizojë edhe gjuhë (“zhvillues luksoz”) që ka gjasa të nxisë kundërshtime të bazuara në klasë shoqërore, ose terma (“lagje familjare”) që mund të largojnë votuesit e rinj. Gjithashtu, mund të zbulojë se politika të ngjashme patën sukses në juridiksionin X, por dështuan politikisht në juridiksionin Y, pavarësisht kushteve ekonomike të krahasueshme.
Në eksperimentimet e mia me analizën e politikave të asistuar nga IA për klientë qeveritarë, kam vërejtur se këto sisteme shkëlqejnë në atë që unë e quaj “dizajn politikash i ndjeshëm ndaj sentimentit”. Ndërsa mjetet tradicionale mund të tregojnë se një tarifë për bllokimin e trafikut e ul qarkullimin me 22%, sistemet e IA-së mund t’ju kujtojnë se termi “tarifë bllokimi” vlerësohet shumë më keq në sondazhe sesa “tarifë për ajër të pastër”; se zbatimi gjatë viteve zgjedhore shumëfishon rrezikun politik; dhe se përjashtimi i automjeteve të shpërndarjes krijon mundësi për ndërtimin e koalicioneve me grupet e bizneseve të vogla.
Qëllimi nuk është zëvendësimi i gjykimit njerëzor. Qëllimi është ta bëjë dijen politike të nënkuptuar të aktorëve me përvojë më eksplicite, sistematike dhe të testueshme. Me IA-në, kampi i racionalitetit abstrakt përfiton rigorozitet sasior, praktikuesit e racionalitetit të kufizuar marrin inteligjencë politike, dhe – ç’është më e rëndësishmja – të dy palët mund ta shohin qartë perspektivën e njëra-tjetrës.
Për më tepër, kur kombinohen me aftësi kërkimi në internet, mjetet e IA-së mund të kontribuojnë në analiza sentimenti pothuajse në kohë reale. Kjo ka rëndësi sepse politikat e dizajnuara për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tremujorit të kaluar mund të mos përputhen më me terrenin politik në tremujorin pasardhës. Deri në momentin që një reformë pensionale arrin në parlament, zërat për një recesion të mundshëm mund t’i kenë ndryshuar tërësisht prioritetet e votuesve.
Analiza e fuqizuar nga IA mund të zbulojë mënyrën se si çështje të caktuara diskutohen në media, rrjete sociale, debate parlamentare, komunikime me palë të interesuara dhe kanale të tjera. Ajo mund të identifikojë shqetësime në rritje dhe të sinjalizojë kur një dritare mundësie politike është hapur ose mbyllur. Këto njohuri mund t’i ndihmojnë qeveritë të kundërshtojnë perceptimin se janë të ngadalta, të shurdhëra dhe të shkëputura nga realitetet e përditshme. IA nuk mund t’i bëjë qeveritë gjithdijëse, por mund t’i bëjë më të ndjeshme dhe më pak të verbra ndaj pasojave politike të vendimeve teknike.
Teknokracitë me besim të lartë kanë sukses pjesërisht sepse e kanë sistematizuar integrimin e përsosmërisë teknike me ndjeshmërinë politike. Tani, IA u ofron demokracive mjetet për ta bërë të njëjtën gjë.
Sigurisht, LLM-të mund të riprodhojnë paragjykime, ndonjëherë të “halucinojnë” (të sajojnë përgjigje) dhe të shfaqin mungesë të kuptimit të thellë kontekstual. Ato nuk mund të zëvendësojnë ministrin që e di se partneri i koalicionit X nuk do ta pranojë kurrë politikën Y, apo sekretarin e përhershëm që e mban mend personalisht dështimin katastrofik të politikës Z në vitin 1997. Por ato mund të zbulojnë pika të verbra analitike, ta bëjnë dijen e pashkruar të dukshme dhe të ndashme, t’i ndihmojnë ekspertët të kuptojnë pse politikat teknikisht optimale mund të jenë të papranueshme politikisht, dhe t’u mundësojnë zyrtarëve të identifikojnë modifikime premtuese të politikave.
Rikthimi i besimit në qeverisjen demokratike kërkon ofrimin e politikave kompetente që qytetarët i njohin si efektive dhe të ndjeshme ndaj shqetësimeve të tyre. Inteligjenca artificiale nuk do t’i zgjidhë e vetme sfidat e demokracive, por mund t’i ndihmojë ato të kapërcejnë ndarjen e racionalitetit që ka paralizuar politikëbërjen. Ajo ofron mjete për të ruajtur njëkohësisht legjitimitetin dhe efektivitetin – kombinimin që qeveritë me besim të lartë, demokratike ose jo, e kanë zotëruar prej kohësh.
*Sami Mahroum është themelues i Spark X dhe më parë ka mbajtur pozicione në INSEAD, OECD dhe Nesta.
Copyright: Project Syndicate, 2026.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.