“Fitimet afatshkurtra nuk janë në krye të axhendës sime”, thotë bashkëthemeluesi i fabrikës më të re të prodhimit të TNT-së në Evropë për “The Big Question” të Euronews.de. TNT-ja, ose trinitrotolueni, u zhvillua për herë të parë në fund të shekullit të 19-të në Gjermani. Fillimisht u prodhua si një ngjyrues i verdhë dhe vetëm 30 vite më pas u zbuluan vetitë e tij shpërthyese. Sot, TNT-ja është eksplozivi më i përdorur ushtarakisht në botë.
Pas shumë vitesh me investime të pamjaftueshme dhe një kërkese në rritje si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë, Evropa po përballet me mungesë të theksuar të TNT-së.
Mbrojtja sovrane është aktualisht një ndër temat më të nxehta në BE, e cila po mobilizon miliarda euro për të rritur kapacitetet ushtarake të Unionit. Disa studime tregojnë se kapacitetet e prodhimit të municioneve në Rusi tejkalojnë ato evropiane me një raport 4 me 1, disa madje e çojnë në 6 me 1. Dhe megjithëse Evropa është shtëpia e gjigantëve të industrisë së mbrojtjes si Rheinmetall, BAE dhe KNDS, asnjë prej tyre nuk prodhon vetë TNT.
A prodhohet TNT në Evropë?
Aktualisht, vetëm një kompani në Evropë prodhon TNT: Nitro-Chem me seli në Poloni. Por pjesa më e madhe e prodhimit të saj eksportohet jashtë BE-së. Në prill të vitit 2025, Nitro-Chem nënshkroi një kontratë me vlerë 310 milionë dollarë (rreth 270 milionë euro) për furnizimin e 18,000 tonëve TNT përgjatë tre viteve për ushtrinë amerikane.
Sipas vlerësimeve, Rusia ka në dispozicion 4.5 deri në 5 milionë predha artilerie në vit, prej të cilave rreth 2 milionë vijnë nga aleatja e saj, Koreja e Veriut. Në vitin 2023, prodhimi evropian u vlerësua në 600,000 predha, dhe së bashku me SHBA-të, pritet që në vitin 2024 të arrijë në 1.2 milionë. Por filozofia e NATO-s për frikësimin parashikon që një konflikt është më pak i mundshëm nëse palët janë të barabarta në armatim.
Një predhë artilerie përmban rreth 10 kg TNT, që do të thotë se për të prodhuar një sasi të krahasueshme me atë të Rusisë, Evropës do t’i nevojiteshin rreth 50,000 tonë TNT.
Lexo edhe: Reklama që tronditi modën, një modele digjitale në faqet e Vogue
Megjithëse Nitro-Chem prodhon një sasi të madhe për Evropën, kjo nuk mjafton. BE-ja mbetet e varur në masë të madhe nga prodhuesit aziatikë. Joakim Sjöblom, CEO dhe bashkëthemelues i kompanisë suedeze Sweden Ballistics (SWEBAL), ngre shqetësimin për këtë varësi:
“Nëse i rikthehemi pandemisë COVID, pamë që Britania e Madhe prodhoi vaksina, por vendosi ndalimin e eksportit. Nëse ndodh diçka në Poloni, jam i bindur se do të vendosej një ndalim eksporti për TNT. E njëjta gjë vlen për vendet aziatike që aktualisht eksportojnë TNT; nëse konflikti u afrohet, do të ndalojnë eksportet.”
Kina, një nga prodhuesit më të mëdhenj të TNT-së në botë, është tashmë e përjashtuar nga zinxhirët e furnizimit të vendeve anëtare të NATO-s.
Rritja e prodhimit të TNT-së në Evropë
Kompania suedeze SWEBAL po e rikthen prodhimin e TNT-së në territorin kombëtar dhe synon që deri në vitin 2027 të arrijë kapacitetin e plotë prej 4,500 tonësh në vit – mjaftueshëm për rreth 400,000 deri në 450,000 predha. Jo mjaft për të mbuluar deficitin e Evropës, por sipas Joakimit, “një kontribut i rëndësishëm”.
“Deri në vitin 1998, Suedia prodhonte vetë TNT”, tregon ai. “Por në periudhën e çarmatimeve, u bë praktikë që TNT-ja të rikuperohej nga predha të çaktivizuara, gjë që e lejoi industrinë minerare të përfitonte TNT thuajse falas. Nuk ekzistonte më motivi ekonomik për të operuar një fabrikë të mirëfilltë të TNT-së në vitet ’90. Dhe tani po e paguajmë faturën e atyre vendimeve.”
Fabrika e re e SWEBAL do të ngrihet vetëm 30 minuta larg nga fabrika e vjetër, dhe vetëm 3 km nga uzina historike e Alfred Nobel për prodhimin e dinamitit – një vend me simbolikë të thellë për Suedinë.
Siguria kombëtare dhe përfitimet ekonomike
Sipas Joakim, nëse planifikohet siç duhet, industria në rritje e TNT-së mund të sjellë jo vetëm përfitime për sigurinë e BE-së, por edhe fitime ekonomike:
“Shtetet anëtare të BE-së shpenzojnë çdo vit 200 miliardë euro për mallra mbrojtëse, dhe mbi 60% e tyre shkojnë për prodhues amerikanë. Nëse do t’i prodhonim këto komponentë brenda BE-së, mund të krijonim mbi 10 milionë vende pune.”
SWEBAL synon që e gjithë zinxhiri i furnizimit, nga makineritë tek lëndët e para të jetë i përqendruar brenda një rrezeje prej 550 kilometrash. Kjo jo vetëm që ndihmon ekonominë lokale, por shkurton ndjeshëm edhe kohët e pritjes. Aktualisht, mallrat nga Azia udhëtojnë mbi dy muaj, pasi anijet detyrohen të shmangin Kanalin e Suezit duke kaluar nga Kepi i Afrikës.
A po ndërton Evropa një industri të vetën të mbrojtjes?
Ndërkohë që SWEBAL po investon për të rritur prodhimin, lind pyetja nëse BE-ja po i mbështet realisht financiarisht këto përpjekje.
Plani i BE-së “ReArm Europe 2030” parashikon deri në 800 miliardë euro investime gjatë katër viteve të ardhshme. Brenda këtij kuadri përfshihet edhe një instrument financiar i quajtur SAFE (Security Action for Europe), me një fond prej 150 miliardë euro, që synon të ndihmojë shtetet anëtare të mbështesin kompanitë vendase.
Por Joakim thotë se urdhrat për blerje nga ushtritë dhe shtetet anëtare nuk po vijnë me ritmin e nevojshëm për të justifikuar rritjen e kapaciteteve.
“Profili i rrezikut nuk është aspak optimal për momentin. Industria duhet të përballojë rrezik të lartë, çka për ne si aktor i ri është avantazh, nuk kemi aksionerë të mëdhenj që të kënaqim, as nuk jemi të detyruar të raportojmë fitime çdo tremujor”, shpjegon ai për “The Big Question”.
“Detyra ime është të ndihmoj në parandalimin e një konflikti të ardhshëm. Fitimet afatshkurtra nuk janë prioritet.”
Ai thekson edhe një problem tjetër madhor:
“Një nga rreziqet më të mëdha që shoh në industrinë ushtarake evropiane është mungesa e harmonizimit. Të gjitha tanket dhe predhat e shteteve duhet të jenë të ndërveprueshme. Përndryshe, ose ke ushtrinë tënde, ose do të jetosh me ushtrinë e një vendi tjetër në territorin tënd. Dhe çmimi për këtë do të jetë shumë më i lartë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.