Taksa 100 % nuk kursen mallrat e linjës ajrore Prishtinë – Beograd - Business Magazine Albania

Taksa 100 % nuk kursen mallrat e linjës ajrore Prishtinë – Beograd


Me fillimin e zbatimit të linjës ajrore Prishtinë – Beograd, mund të transportohen edhe mallra të ndryshme për qëllime biznesi, nëse këtë e konsideron të arsyeshme kompania operuese “Lufthansa”, thonë në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës.

Letra e interesit për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, është nënshkruar më 20 janar në Berlin. Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, kanë nënshkruar marrëveshje me kompaninë gjermane, “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë.

Pas nënshkrimit të kësaj Letre të Interesit për hapjen e kësaj linje, Kosova dhe Serbia presin që së shpejti marrëveshja të jetësohet edhe në praktikë.

Eset Berisha, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, në një bisedë për Radion e Lirë, thotë se me shkëmbimin e pasagjerëve ekziston edhe linja për bagazh, mallra dhe gjëra tjera.

Nëse kompania “Lufthansa”, nënvizon Berisha, vendos që mallrat të transportojë përmes vijës ajrore, atëherë të gjitha obligimet tatimore, taksat, përfshirë edhe taksën 100 për qind për importet nga Serbia, do të zbatohen nga organet e Kosovës.

“Kjo varet nga fizibiliteti i kompanisë ajrore, nëse kompania e sheh të arsyeshme të fillojë me bartjen e mallrave, nuk ka asnjë pengesë që ta bëjë bartjen e tyre, siç realizohet në mënyrë tokësore. Të gjitha dispozitat sa i përket akcizave, shtesave, pagesave doganore, duke përfshirë edhe taksën që zbatohet nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, do të zbatohen edhe në metodën e transportit ajror”, tha Berisha.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha pas mbledhjes së kabinetit qeveritar se çdo linjë ajrore ka taksa të obligueshme ndaj aeroportit. Sipas tij, çështja e taksës që përmendet në marrëveshje, ka të bëjë me taksën që vënë aeroportet për operime të tilla.

“Në letrën e qëllimit që e tregon pala e Kosovës bashkë me NATO-n, thuhet se nuk vendosim taksa shtesë përveç ato që i ka aeroporti, pra që janë të zakonshme për të gjithë. Ne i japim status të barabartë, ‘Lufthansa’ në fluturimet e veta nga Prishtinë për në Beograd ose nga Beogradi për në Prishtinë pa ndonjë diskriminim dhe nuk ka të bëjë më taksën 100 për qind”, tha Haradinaj.

Edhe ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, thotë se transporti i mallrave përmes vijës ajrore, i nënshtrohet të gjitha ligjeve dhe vendimeve që zbatohen në Republikën e Kosovës, njësoj sikurse transporti rrugor.

Huruglica thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse vendoset që me linjën e re ajrore Prishtinë-Beograd të transportohen mallrat nga Serbia, ato do t’i nënshtrohen taksës 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vendosur për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Lexo: Lufthansa, së shpejti nis fluturimet Prishtinë -Beograd

“Absolutisht, transporti ajror i udhëtarëve dhe i mallrave është diçka që Kosova e bën që nga themelimi i doganës, që nga 1999. Prezenca e oficerëve doganorë është e plotë aty gjatë 24 orëve dhe vlen i njëjti legjislacion si për mallrat që transportohen përmes fluturimeve ajrore apo në transportit rrugor. Do të thotë, nuk ka kurrfarë dallimi”, thekson Huruglica.

“Këtu nuk po shoh që do të ketë ndonjë dallim. Nëse një masë që aplikohet ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina, pra që është duke u zbatuar dhe është në fuqi, e njëjta gjë do të vlejë edhe për fluturimet”, thotë ai.

Autoritetet e Kosovës u kanë vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në fund të vitit 2018.

Me gjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara për heqjen e saj, ajo vazhdon të mbetet në fuqi.

Si pasojë e saj është ndërprerë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pas nënshkrimit të Letrës se Interesit në Berlin për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, ngjashëm me mënyrën e qarkullimit përmes transportit rrugor edhe në transportin ajror hyrje-daljet nga shteti i Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, do të realizohen vetëm me letërnjoftim. Një formë e tillë është rregulluar me marrëveshjen e arritur në Bruksel për lëvizje të lirë në mes Prishtinës dhe Beogradit, të nënshkruar në korrik të vitit të 2011.

Republika e Serbisë ende nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, rrjedhimisht as pasaportat e lëshuar nga institucionet e Republikës se Kosovës.

 

Evropa e Lirë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0