Realizimi i verërave në Librazhd po vijon mbi një traditë të kahmotshme ilire. Pranë parkut malor ndërshtetëror të Shebenik Jabllanicës, në kodrat e Karnavecit, në Qukës e Hotolisht vreshtat përbëjnë 45 % të sipërfaqes me drurë frutorë e 1 % të tokës së punuar. Banorët merren edhe me selitjen e hardhive në krijimin e e pjergullave mes mureve, tarracave e pemëve duke u mbështjellë e kacavjerrë hardhitë në gjendje natyrale.
Varietet e verërave si Hungarezja “Tokaj” e mbërritur në 1976 -ën në Librazhd, Shesh i Zi e Shesh i Bardhë dhe Kabërneti janë si në shtëpinë e tyre në Kantinën “Librazhdi” brenda buteve të shëndetshme ose si “gra shtatzëna” shprehet Kuteli në veprën e pasur letrare.
E veçanta e Kantinës, vera “Tokaj” me ngjyrë kashte të çelur e nuanca të jeshiles, realizohet nga vreshti i kultivarit me të njëjtin emër, vreshta të tokës pjellore Karnavec Slatinë. Mushti i verës përftohet nga shtrydhja e lëngut dhe jo shtypja në presë. Ai përmban 13 % alkol.
Bashkëudhëtarët në Enologji, kimistët Rrahman dhe Luljeta Gjeta, entuziastë për rikthimin e disa vlerave të paharruara nga profesionistët si aroma dhe shija e Kabërnetit dhe Tokajit, (vlerësime të ekspertëve në vitet ’60 , ’70) dëshmojnë se ruajtja e traditës është shenjë e identitetit kombtar.
E reja sipas drejtuesit Gjeta qëndron te krijimi i një etikete për varietetin “Shesh i Zi” me një pikturë e cila ka pamje në miniaturë nga trualli i begatë dhe ndërtesa e Kantinës “Librazhdi”.
Përzierjet e likernave nga zonja e shtëpisë, Luljeta, sigurojnë një kombinim të mirë për vlerat e shëndetit, duke e pasuruar pijen e rakisë me bimën mjekësore të shafranit. Sivjet ka qënë një periudhë e vështirë prej lagështirave për vreshtarinë, por viti 2017 sjell për shijuesit e verës së Librazhdit në tryeza kualitetin e verës së kuqe me pako pesë litërshe me një çmim konkurues në raport me disa kantina.
Oborri i Kantinës së familjes Gjeta, me shtrirje prej mijëra metrash, fton në festat e Gushtit, të vjeljeve të pritshme të Shtatorit, Tetorit vizitorët e luginës së Shkumbinit. Vlerësimi si pjesë e UNESCO-s e një zone të Parkut shqiptaro maqedonas të Malit të Shebenikut po e rrit ardhjen e turistëve të natyrës së egër por të bukur. Rizgjimi i shijes së verës dhe tharmimet e tjera, vendbanimi arkeologjik kodrinor i Selcës pak kilometra më tutje në Proptisht, si dhe lidhja me Elbasanin, Përrenjasin, Rrajcën, Ohrin, Strugën e Dibrën, na parashtron një hartë turistike më intriguese për ta eksploruar arealin me disa pamje harmonike si fijet e kostumit popullor të Rrajcës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.