Pse është kaq tragjike tarifa e rrugës?!

Pse është kaq tragjike tarifa e rrugës?!


Disa foto vjeshte të shkrepura në Kukës vitet e fundit, janë krahasuar nga qytetarë e njerëz të televizionit me pamje si ato të Vjenës. Fotot u shpërndanë shumë në mediat sociale.

Por, me gjithë potencialin, kjo bukuri është e përkthyer në zero të ardhura në turizëm për zonën, e rrjedhimisht edhe buxhetin e shtetit.

Po t’u hidhni një sy artikujve ekonomikë të mediave ndër vite do të shikoni se si Kukësi kryeson në vend për nivelin e lartë të varfërisë. Varfëria është aq besnike, sa nuk e lë vendin të mbetet pa u përmendur çdo vit si i pari më i varfër në raportet e Institutit të Statistikave.


Dihet që zonat e thella malore, në çdo shtet vuajnë për aksesin në punë, apo dinamikën e ekonomisë. Por, (pa shkuar larg), vende të tilla si Italia, e kanë zgjidhur duke i njohur ato si rajone me status të veçantë, e lehtësitë u njihen në Kushtetutë.

Por, shifrat tregojnë, se vëmendja jo vetëm nuk ka qenë e veçantë për këtë zonë. Ka munguar tërësisht.

Të gjithë shqetësohemi, arkëtarët e buxhetit së pari, nëse niveli i Fierzës bie nga thatësirat, pasi duhen importuar qindra miliona euro energji (siç ndodhi vitin e kaluar me 120 milionë euro importe). Por pak kush mendon se mbi 30 mijë familjeve në ato zona u janë bërë kurban tokat pjellore, për të siguruar “elektrifikimin e vendit”. Lëvizja e parë ishte ndërtimi i një qyteti tërësisht të ri. Ndërkohë, me hapjen e ekonomisë nisi vala e imigrimit drejt periferive në Tiranë dhe Durrës.

Por, largimi i tyre nuk arriti të krijojë kushte më të mira për pjesën e mbetur. Vitet e fundit, mijëra banorë të kësaj zone u kthyen në azilantë ekonomikë në Gjermani.

Të dhënat zyrtare mbi ekonominë u japin të drejtë këtyre banorëve, ndonëse politikisht azilantët nuk njihen as në Gjermani e as në Shqipëri.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, të ardhurat për frymë në rajonin e Kukësit janë nën mesataren e rajoneve, me 343 mijë lekë në vit (mesatarja e Shqipërisë është 482 mijë lekë). Gjithçka lidhet me mungesën e tokës pjellore në dispozicion, (pas përmbytjes së luginave të ujitshme nga Fierza). Me 8 mijë hektarë, sipërfaqja e ujitur është sipërfaqja më e vogël e çdo rajoni tjetër në vend. Kontribut në varfëri kanë dhënë mungesa e sinkronizuar e investimeve private në zonë dhe investimeve publike. Asnjë emër për t’u përmendur investimesh në këtë drejtim, përjashtuar rilindjen e qendrës së Kukësit.

Rrjedhimisht, sipas të dhënave të INSTAT-it, rajoni siguron vlerën më të ulët të shtuar në çdo sektor të ekonomisë krahasuar me të gjitha rajonet e tjera. Kontributi në Prodhimin e Brendshëm Bruto, vlerësohet në 2.1% të totalit, më i ulëti ndër rajone.

Kjo mund të spjegojë deri diku pse tarifa e rrugës së Kombit është kaq e pa pranuar për familjet e kësaj zone.

Kushdo që ka shkuar në një shtet të huaj e di që në autostradat e rregulluara paguhet tarifë. Madje, për të pasur një rrugë të sigurt, të ndriçuar, e të mirëmbajtur aq sa të shmangë aksidentet, kushdo mund të jetë i gatshëm të kryejë një pagesë të pranueshme.

Një fjalë e jona popullore thotë “nuk nxirret dhjamë nga pleshti”. E këtë çdo qeveri duhet ta ketë parasysh, pasi nuk mund ta mbushë arkën e buxhetit nga një popullsi e varfër.

Për këtë arësye ekonomistët kanë sugjeruar vazhdimisht, se qeveria të rendë pas nxitjes së punësimit e jo rritjes së vazhdueshme të taksave e tarifave.

Nxitja e investimeve dhe vënia e ekonomisë në lëvizje në Kukës, Dibër, Librazhd, Korçë, etj. do ta bënte më të pranueshme pagesën e tarifës për mirëmbajtje rrugësh. Kujtojmë se edhe rruga e Dibrës, kur të bëhet…do të tarifohet gjithashtu, ashtu si edhe një listë e tërë rrugësh kombëtare, të miratuara tashmë për t’u bërë me pagesë.

Ministrat e Financave dhe të Energjisë, kanë theksuar ditët e fundit në tryezat apo komunikimet publike se investimet për rrugët kanë qenë të larta dhe rruga në këtë rast nuk është përfunduar. Ky është një lajm i hidhur për qytetarët. Pavarësisht të majta apo të djathta, qeveritë janë besuar për të bërë politika e investime efektive dhe nuk mund të hidhet topi sa andej-këtëj, duke i thënë qytetarit se: jemi të detyruar të aplikojmë tarifa të larta, ndonëse kemi shpenzuar shumë para e rrugën nuk e kemi mbaruar./ Albana Muçaj, BusinessMag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0