Gjithçka nisi nga një rastësi e thjeshtë: një biçikletë drejt një vendgrumbullimi mbetjesh dhe disa altoparlantë të vjetër që ende funksiononin. Për dy vëllezër të rinj, kjo ishte më shumë sesa një gjetje, ishte fillimi i një ideje që sot gjeneron miliona.
Lexo gjithshtu: Fokusi tek investimet publike dhe bujqësia, Ministri i Financave, Petrit Malaj tregon prioritetet për ekonominë
Kirk dhe Jacob McKinney, sot 22 dhe 20 vjeç, e kthyen atë moment në një biznes të mirëfilltë. Me vetëm 4,000 dollarë kursime, ata blenë një kamionçinë të përdorur dhe nisën të mbledhin, transportojnë dhe rishesin objekte të hedhura. Sot, kompania e tyre “Junk Teens” gjeneron mbi 3 milionë dollarë të ardhura në vit.
Në fillim, ishte thjesht një mënyrë për të fituar para gjatë kohës së lirë. Ata shisnin sende të gjetura në platforma online dhe pranonin punë të vogla për pastrimin e hapësirave nga mbeturinat. Por shumë shpejt kuptuan se kjo ishte pjesa më fitimprurëse dhe më interesante e punës së tyre.
Ajo që i dalloi ishte mënyra si e ndërtuan historinë e biznesit: jo thjesht heqje mbeturinash, por rikthim në përdorim dhe riciklim i objekteve. Kjo i tërhoqi klientët dhe krijoi një identitet më të fortë për brand-in e tyre.
Sot, kompania ka mbi 20 punonjës, kryesisht të rinj, dhe operon me disa kamionë në dy zona të ndryshme. Vetëm gjatë vitit 2025, ata realizuan mbi 5,500 shërbime, duke tarifuar mesatarisht 300 deri në 600 dollarë për çdo punë.
Rritja nuk ka qenë pa sfida. Në fillim, ata punonin pas shkollës dhe në fundjavë, shpesh duke sakrifikuar kohën e lirë. Madje, në disa raste, parkonin kamionin në ambientet e shkollës dhe negocionin me mësuesit për vonesat.
Ndërkohë që biznesi rritej, ata filluan të delegojnë punën fizike dhe të fokusohen më shumë në strategji, marketing dhe menaxhim. Sot, përveç drejtimit të kompanisë, të dy ndjekin studimet për sipërmarrje, duke balancuar dy botë që rrallë bashkohen kaq herët.
Megjithatë, për ta, suksesi nuk matet vetëm me para. Qëllimi i tyre është të ndërtojnë një të ardhme jo vetëm për veten, por edhe për miqtë dhe ekipin që kanë krijuar.
Historia e tyre është një kujtesë e thjeshtë, por e fuqishme, ndonjëherë, mundësitë më të mëdha fshihen aty ku askush tjetër nuk sheh vlerë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto