Lufta në Iran mund t'i sjellë Rusisë 350 miliardë dollarë në buxhet - Business Magazine Albania

Lufta në Iran mund t’i sjellë Rusisë 350 miliardë dollarë në buxhet

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit rriti ndjeshëm çmimet e naftës, gazit dhe plehrave kimike. Sipas përllogaritjeve aktuale, vendi që po gjeneron miliarda të ardhura shtesë si rezultat i kësaj situate është Rusia. Sipas Dhomës Gjermano-Ruse të Tregtisë, kjo bllokadë i siguron Rusisë më shumë se 10 miliardë euro të ardhura shtesë çdo muaj nga eksportet e naftës, gazit dhe plehrave. “Rusia është përfituesja kryesore e luftës së re në Lindjen e Mesme,” deklaroi në Moskë për agjencinë gjermane të lajmeve (DPA) kryetari i bordit të kësaj dhome, Matthias Schepp.

Rusia po përfiton nga rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet globale, pasi po i orienton eksportet përmes rrugëve alternative. Sipas Schepp, kjo mund t’i sjellë vendit një “fitim të papritur me përmasa historike”.

Çmimet e naftës rriten ndjeshëm, Rusia përfiton

Sipas dhomës, ndikimi më i madh vjen nga rritja e çmimit të naftës. Nafta Brent për dorëzim në qershor u rrit në mbi 111 dollarë për fuçi në fillim të javës, rreth 40 dollarë më shumë krahasuar me periudhën para nisjes së luftës. Kjo ka rëndësi të veçantë për buxhetin rus, i cili varet ndjeshëm nga të ardhurat nga nafta dhe gazi. Aktualisht, buxheti parashikon një çmim prej 59 dollarësh për fuçi. Para konfliktit, Rusia kishte raportuar deficit për shkak të çmimeve më të ulëta.

Me një çmim rreth 100 dollarë për fuçi, Rusia mund të sigurojë një suficit prej miliardash mbi pritshmëritë buxhetore. Në nivelet aktuale, vetëm nga nafta dhe gazi pritet të gjenerohen rreth 50 miliardë dollarë të ardhura shtesë në vit.

Lexo edhe: 14 ditë paqe mes SHBA dhe Iranit, rihapet Ngushtica e Hormuzit

Eksportet e lëndëve të para financojnë edhe luftën në Ukrainë

Dhoma thekson se Rusia po përdor të ardhurat nga shitja e lëndëve të para për të financuar luftën në Ukrainë. Në Moskë, tashmë ka pritshmëri që çmimi i naftës të arrijë në 200 dollarë për fuçi. Në këtë skenar, të ardhurat do të kapnin 350.4 miliardë dollarë, rreth 247 miliardë më shumë se sa është parashikuar në buxhet. Megjithëse disa vende kanë vendosur sanksione dhe kanë ulur importet nga Rusia, vendi vazhdon të tregtojë normalisht me shumë ekonomi të tjera.

Rritja e çmimeve do të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe për Europën dhe Gjermaninë. Me një çmim prej 100 dollarësh për fuçi, fatura e importeve të naftës mund të kalojë 60 miliardë euro.

Eksperti i energjisë Thomas Baier nga Dhoma paralajmëron se, së bashku me rritjen e kostove të gazit, industria përballet me një “goditje kostosh” që mund të frenojë rimëkëmbjen ekonomike të pritur në vitin 2026.

Dhoma parashikon gjithashtu rritje të të ardhurave për Rusinë nga eksporti i plehrave kimike, me një potencial prej 8.9 miliardë eurosh shtesë në një skenar afatmesëm.

Tagesschau

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0